2014-01-08 17:11:22

Kardinali De Paolis hap Kapitullin e Legjionarëve të Krishtit: drejt Kushtetutës së re e të kryesisë së re


Sot pasdite, në Romë, u hapën punimet e Kapitullit të përgjithshëm të jashtëzakonshëm të Legjionit të Krishtit. Meshën e hapjes e kryesoi delegati papnor, kardinali Velasio De Paolis, në orën 18.30, në Kapelën e Qendrës së studimeve të larta të Legjionit të Krishtit.“Erdhi ora!”. Kështu qe shprehur kardinali De Paolis më 4 tetorin e kaluar, duke kumtuar se Kapitulli, i parashikuar që tre vjet më parë, do të hapej më datën 8 janar 2014. Tre vjet. Kohë e mjaftueshme për pastrim e përtëritje shpirtërore. Por edhe për rishikimin e Kushtetutës e të zgjedhjes së kryesisë së re të Legjionit të Krishtit. Kujtojmë se kardinali De Paolis u emërua, në qershor 2010, nga Benedikti XVI, e u rikonfirmua nga Papa Françesku, qershorin e kaluar, si delegat papnor për Legjionin e Krishtit, pas ngjarjeve tejet të rënda të sjelljes imorale të themeluesit të Kongregatës, atë Marcial Maciel Degollado, larguar në maj 2006 nga çdo detyrë publike, gjë që i hapi plagë të rënda e pati pasoja edhe më të rënda, në jetën e strukturën e Legjionit. Atë Maciel vdiq në vitin 2008.
Parashikohet që Kapitulli të zgjasë 20 ditë, me porta të mbyllura. Synimi, rishikimi i teksteve kushtetuese dhe zgjedhja e kryesisë së re të Legjionit të Krishtit, vendime që do të bëhen, pastaj, publike.
Më pas, një fazë e dytë punimesh, për të përballuar tema të ndryshme të jetës në Kongregatë. Ka shumë mundësi që punimet e Kapitullit të përfundojnë aty nga fundi i shkurtit.








All the contents on this site are copyrighted ©.