2014-01-06 15:42:50

Procesioni tradicional “Rroftë Befana” 2014


Ati i Shenjtë përshëndeti edhe procesionin tradicional ‘Rroftë Befana 2014,” që gjallëroi edhe sivjet Solemnitetin e Dëftimit të Zotit në Romë e në Vatikan. Procesioni “Rroftë Befana”, manifestim historik, lindi në vitin 1986, për të kërkuar rikthimin e festës së Ujit të Bekuar, që ishte shlyer nga kalendari civil.
Në rrjedhë vitesh procesioni ‘Rroftë Befana’ u bë çast festiv, pa të cilin nuk mund të kuptohet Festa e madhe, që përmbyll pothuajse të gjitha festat e dimrit. Çdo vit rreth njëqind mijë vetë janë të pranishëm në manifestimin, i cili lë mbresa të pashlyera në kujtesën e atyre, që marrin pjesë, e atyre, që ndjekin shpalosjen e figurave. Të duket sikur gjithçka del nga kapakët e librave, që flasin për kështjella e kështjellarë, për shenjtorë gjysëm legjendarë e për fenomene kozmike misterioze. Manifestimi vlerësohet nga të mëdhenj e të vegjël për aftësinë e zgjedhjes së skenave plot fantazi, që vijnë njëra pas tjetrës si një shpërthim ngjyrash e tingujsh, duke gërshetuar me art elemente fetare e fokloristike, në njërën nga festat më të rëndësishme e më domethënëse të krishterimit.
Për të paraqitur karakterin universal të lindjes së Krishtit, që u dëftohet mbarë popujve të tokës, çdo vit në Romë arrijnë nga vise të ndryshme të Italisë e të botës, mijëra shtegtarë. Ndërmjet tyre, tre Mbretërit Dijetarë, me veshjet plot salltanet e me dhuratat, ndjekur nga grupet folklorike e nga figura, që të kujtojnë ngjarje të ndryshme historike, nga banda muzikore, kuaj e figura të tjera tipike të vendit organizator. Sivjet, pjesëmarrësit e procesionit ‘Rroftë Befana’ erdhën nga Leonesa, komunë italiane me 2.648 banorë e provincës së Rietit. U zgjodh për të nderuar një vend, me pasuri të mëdha artistike, kulturore, tradicionale, dhuratë e vërtetë për festën e Dëftimit të Zotit e mesazh gazmor i paqes, solidaritetit e vëllazërimit, që u përhap në të katër anët e botës, nga Sheshi i Shën Pjetrit.
Një pjesë të kësaj pasurie, me figura të gjalla nga historia, jeta e Kishës, bujqësia, blegtoria, artizanati, prodhimet e burimet, pati fatin ta ndjekë turma vigane, e radhitur në të dyja anët e Rrugës së Pajtimit e në Sheshin e Shën Pjetrit.
Procesioni historiko-folklorik nisi parakalimin që nga ora 11.00. Në orën 12. 00 arriti në Sheshin e Shën Pjetrit, ku pjesëmarrësit ndoqën Lutjen e Engjëllit të Tënzot.
Sheshi u mbush plot me pjesëmarrësit, nga të cilët, bashkëvëllazëri historike, disa banda muzikore, dhjetra kuaj, famfara, skena me flamuj e parulla, e sa e sa skena të tjera vërtet të paharrueshme, që rikujtuan praninë e Krishtit në historinë e të gjitha epokave. Me rëndësi, pjesëmarrja e fëmijëve, simbol shprese. Ishin pikërisht fëmijët, fëmijë të të gjitha moshave, veshur me rrobat e të gjitha epokave që, me ndihmën e mësuesve të tyre të shkollës së Leonesës dhe të kryebashkijakut, Paolo Trankasini, në përfundim të Engjëllit të Tënzot i dorëzuan Papës dhuratat simbolike të Tre Mbretërve Dijetarë. Edhe ata të pranishëm, mbi kuajtë madhështorë, ngarkuar me dhurata simbolike.
Ndërkaq në Sheshin e Shën Pjetrit shpaloseshin një mori flamujsh, simbol i popujve që shkojnë të takohen me Krishtin.









All the contents on this site are copyrighted ©.