2014-01-06 15:41:32

Papa në Engjëllin e Tënzot: Zoti i thërret të gjithë, edhe atë, që nuk e kërkon, për të bërë pjesë në popullin e Tij


Në lutjen e sotme të Engjëllit të Tënzot, kremtuar në Sheshin e Shën Pjetrit, Papa Françesku kujtoi përsëri solemnitetin e sotëm të Dëftimit të Zotit, duke theksuar se ky solemnitet vë në dukje shëlbimin universal, që solli Jezusi, e njëkohësisht dëfton lëvizjen e dyfishtë të Hyjit drejt botës e të mbarë njerëzimit, drejt Zotit. Në përfundim, përshëndetja drejtuar Kishave Lindore, që nesër kremtojnë Krishtlindjen dhe kujtimi i Ditës së sotme Misionare të Fëmijëve.RealAudioMP3

Krishti, që u dëftohet njerëzve, dhe shëlbimi, që i solli mbarë njerëzimit. Ky është kuptimi i solemnitetit të sotëm, nënvizoi Papa, e u ndal tek episodi i Ungjillit, përshkruar mrekullisht bukur edhe nga Papa i nderit, Benedikti XVI, në librin e tij kushtuar fëmijërisë së Jezusit. Episod, në të cilin shikojmë lëvizjen e dyfishtë, tërheqjen reciproke ndërmjet njeriut e Zotit:
Kjo festë na bën të shikojmë një lëvizje të dyfishtë: nga njëra anë, lëvizjen e Zotit drejt botës, drejt njerëzimit; gjithë historinë e shëlbimit, që arrin kulmin në Jezusin; e nga ana tjetër, lëvizjen e njerëzve drejt Zotit, që të kujton fetë, kërkimin e së vërtetës, shtegtimin e popujve drejt paqes, paqes së shpirtit, drejtësisë, lirisë. Lëvizje e dyfishtë, e nxitur nga tërheqja reciproke”.
Fuqia tërheqëse e Atit drejt nesh, shpjegoi Papa, është dashuria që ka për ne, për secilin nga bijtë e Tij. Me këtë dashuri Ai kërkon të na çlirojë nga e keqja, nga sëmundjet, nga çdo formë e vdekjes. Por edhe ne kemi dashuri e dëshirë për gjithçka është mirësi, vërtetësi, bukuri, jetë. Kemi dashuri reciproke, pra, e hallka kryesore lidhëse e saj, është Jezusi, pa harruar se është Zoti ai, që na fton gjithnjë, na fton e na prin:
“Por kush e merr nismën? Zoti, gjithnjë. Dashuria e Zotit i paraprin gjithnjë dashurisë sonë. Ai e bën gjithnjë hapin e parë. Na pret, na fton, por nisma është gjithnjë e Tija”.
Prej këndej, ftesa, drejtuar edhe të largtëve, të vihemi për udhë, duke ndjekur dritën, në gjurmët e Mbretërve Dijetarë:
Kisha është e tëra brenda kësaj lëvizjeje të Zotit drejt botës: gëzimi i saj është Ungjilli, reflektimi për dritën e Krishtit. Kisha është populli i atyre, që e kanë provuar këtë tërheqje, e kanë në shpirt, në zemër, në jetë. Do të më pëlqente, sinqerisht e, do të më pëlqente t’u thosha atyre, që janë larg nga Zoti e nga Kisha, t’u thosha me respekt, atyre që janë të druajtur e indiferentë: Zoti të thërret edhe ty, të thërret të jesh pjesë e popullit të Tij, dhe e bën këtë me respekt e dashuri të madhe! Zoti të thërret. Zoti të kërkon. Zoti të pret, ty, që në këtë çast nuk beson ose je larg . Kjo është dashuria e Zotit”.
Papa u lut që Kisha të zbulojë gëzimin e ungjillëzimit e të komunikimit të dashurisë së Zotit mbarë popujve. E pastaj iu lut Marisë të na ndihmojë që të gjithë të jemi dishepuj e misionarë, yje të vegjël, që pasqyrojnë dritën e Zotit.
Në përfundim të lutjes së Engjëllit të Tënzot, përshëndetja dhe urimet, drejtuar mbarë besimtarëve të Kishave Lindore, që e kremtojnë nesër Krishtlindjen:
U drejtoj urimet më të përzemërta vëllezërve e motrave të Kishave Lindore, që kremtojnë nesër Krishtlindjen e Shenjtë. Paqja, që Zoti i dhuroi njerëzimit me lindjen e Jezusit, Fjalës së mishëruar, i përforcoftë të gjithë në fe, shpresë e dashuri e u dhëntë ngushëllim bashkësive të krishtera e Kishave, që kalojnë çaste prove”.
Së fundi, një mendim për Ditën e sotme Misionare të Fëmijëve, propozuar nga Vepra e Fëmijërisë së Shenjtë si dhe falënderimi drejtuar gjithë fëmijëve, që bashkëpunojnë në misionin e Kishës e bëhen protagonistë të solidaritetit vëllazëror me bashkëmoshtarët.
“Të gjithëve, u uroj gëzuar festën e Dëftimit të Zotit. Drekën e mirë e mirupafshim!”.








All the contents on this site are copyrighted ©.