2014-01-06 15:43:09

Kishat e Lindjes përgatiten të kremtojnë Krishtlindjen. Ipeshkvi i Gizës: në Egjipt, festa të blinduara


Kishat Ortodokse dhe Kishat Katolike të ritit lindor, që ndjekin kalendarin julian, festojnë sot Natën e Krishtlindjes, e cila kremtohet nesër, më 7 janar. Në shumë prej vendeve, Zoti lind në një klimë politike tepër të pasigurtë, me frikën e dhunës. Ndër skenarët më të vështirë, Egjipti, ku, këto ditë, manifestimet e përkrahësve të ish-presidentit Morsi përfunduan me gjakderdhje. Shqetësimi ndjehet fuqishëm në fjalët e ipeshkvit të Gizës, imzot Antonios Aziz Mina, i cili na flet me telefon nga Egjipti:
Policia po mbyll të gjitha rrugët pranë kishës, duke mos lejuar kalimin e makinave. Praktikisht, mund të hyhet në kishë vetëm në këmbë, për të siguruar kështu pak paqe për Krishtlindje. Diçka, që s’është parë ndonjëherë. Deshëm të luteshim në paqe, por nuk duan të na lënë.
Hera e parë, që ndodh kjo?
Kaq fuqishëm, po! Çdo vit vijnë një, dy, tre policë, shumë-shumë katër, kur kisha është e madhe, por tani kanë sjellë edhe tankset. Lutja në këtë atmosferë nuk na pëlqen, nuk na pëlqen aspak! S’është e mundur!
Sa kohë ka, që vijon kjo gjendje?
Kjo atmosferë ka filluar që 30-40 vjet më parë. Vëllezërit Myslimanë kanë punuar për ta përçarë vendin e fqinjët rreth tij. Pasi erdhën në pushtet, vunë në zbatim shtypjen, gjithnjë represion e mënjanim për të gjithë. Vendet drejtuese ishin vetëm për Vëllezërit Myslimanë, aq sa populli shpërtheu sërish e zbriti në sheshe.
Sipas jush, a ekziston ndonjë mënyrë për ta pajtuar vendin?
Për ta pajtuar me kë? Ata nuk duan paqe: nuk e duan aspak paqen e as pajtimin me fraksionet e tjera të vendit.
A mund të shërbejë njëfarësoj dialogu ndërmjet feve?
Po as dialogu ndërmjet vetë myslimanëve nuk ka sukses! Megjithatë, ekziston një dialog ndërmjet myslimanëve e të krishterëve, apo katolikëve, e është i frytshëm, por vetëm me të moderuarit.
Nesër kremtohet lindja e Krishtit. A ndjehet kjo festë në Egjipt?
Sigurisht, por fatmirësisht, nuk është festë komerciale si në Evropë. Festa është më tepër fetare: lutemi shumë e falenderojmë Zotin. Kemi kaluar tri vite të vështira pas revolucionit, por i fundit qe krejtësisht “i zi”. Prandaj, shpresojmë që kjo Krishtlindje të kalojë në paqe. Ata do t’i përqendrojnë aktet terroriste kundër kishave, kundër institucioneve, kundër policisë, duke dashur të mbjellin përçarje e të destabilizojnë vendin. Ne do të donim me gjithë shpirt që të pajtoheshin me popullsinë. E kemi gojën të hidhur, jo vetëm ne të krishterët, por gjithë popullsia egjiptiane, pavarësisht se jetojmë ditë festash e ka filluar Viti i Ri. Egjiptiani është njeri paqësor e kjo është forca e bukuria e këtij populli.
Një mesazh shprese për këtë Krishtlindje, për të gjitha Kishat e Lindjes…
T’i lutemi Zotit, sepse Ai mendon për ne, nuk na lëshon dore kurrë, na mban e do ta shpëtojë popullin e vet.








All the contents on this site are copyrighted ©.