Befana është figurë tipike e folklorit, e pranishme në krijimtarinë gojore popullore
të mbarë popullit italian. Lidhet me të gjitha figurat folkloristike që shpërndajnë
dhurata, menjëherë pas kremtimeve të Kërshndellave. Sipas traditës, Befana shkon
për vizitë tek fëmijët natën e Dëftimit të Zotit, më 6 janar, për t’u mbushur çorapet
e varura në vende të ndryshme. Fëmijëve të mirë u dhuron ëmbëlsira, të këqijve, qymyr-
prej sheqeri, natyrisht. Ka pamjen e shtrigës, por të shtrigës së mirë, gjithnjë buzagaze,
me thesin e dhuratave ngarkuar mbi shpinë.
Legjenda Sipas rrëfimit
popullor, Tre Mbretërit Dijetarë, drejtuar kah Betlehemi, për t’i paraqitur dhuratat
e tyre Krishtit Fëmijë, me që nuk po e gjenin rrugën, iu lutën një plake vendase
t’u printe. Megjithë këmbënguljen e tyre, plaka nuk doli nga shtëpia për t’i shoqëruar.
E ata u nisën përsëri, rrugë pa rrugë. Sapo ishin zhdukur në horizont, me devetë e
tyre ngarkuar, plaka u pendua. Mbushi shpejt e shpejt një thes me ëmbëlsira, doli
nga shtëpia e u nis pas gjurmëve të tyre. Por nuk mundi t’i arrinte. E vijoi kështu,
duke trokitur derë më derë e duke u dhuruar ëmbëlsira fëmijëve, që takonte, me shpresë
se njëri prej tyre do të ishte Foshnja Hyjnore. Që asokohe Befana plakë vijon të
shtegtojë nëpër botë, duke u bërë dhurata fëmijëve, me shpresë se Ferishtja e grazhdit
do ta falë. Ja si i këndon Befanës poeti i njohur italian, Gjovani Paskoli: “Erdhi,
erdhi prap Befana; zbret nga malet nëpër natë, lodhë e këputë
nga rruga e gjatë, dëbora, ngrica e tramundana”.Befana, pra, përkon
me solemnitetin e Dëftimit të Zotit, më 6 janar, e lidhet ngushtë me figurat e Tre
Mbretërve: Melkiorin, Baldasarin e Gasprin, që u nisën nga vende të ndryshme, ndoshta
nga Nubia, Godolia e Tharsis, për t’i dhuruar Jezusit ar, kem e mirrë. Simbolika e
dhuratave: ar - për Mbretin; kem - për Zotin, mirrë - për njeriun që do të flijohej
në kryq, sepse mirra është aromë që përdoret për të lyer trupat e të vdekurve. Njihnin
kështu flijimin e Zotit, sundimin e tij mbretëror mbi universin e hyjninë e Foshnjës
së grazhdit. Tre Mbretërit përshkuan shumë vende, të udhëhequr nga një yll e kudo
shkelnin, banorët vraponin pas tyre. E kështu, në shtegtim e sipër, trokitën në portën
e plakës, Befanës, që nuk pranoi t’i shoqëronte. Prandaj plaka nuk mundi ta shikojë
Jezusin në grazhd. Që aso kohe, gjithnjë sipas legjendës, natën ndërmjet 5 e 6 janarit,
duke fluturuar mbi një fshesë, me një thes në shpinë, kalon shtëpi më shtëpi për t’u
shpërndarë fëmijëve dhuratat, që nuk mundi t’ia jepte Foshnjës.