2014-01-05 11:15:47

Shenjtorët e javës 6-12 janar


Më 6 janar është solemniteti i Dëftimit të Zotit. Mbretërit e ardhur nga Lindja ndjekin yllin që i çon tek Krishti. Hyji ndez në shpirtin e çdo njeriu yllin që çon drejt takimit me Birin e tij të bërë njeri.
Më 7 janar përkujtohet Shën Raimondi i Penjafortit. U lind në një familje fisnike katalanase (Spanjë) në 1175. E la rangun e lartë klerikal (ishte kanonik i katedrales së Barcelonës), për të hyrë në urdhrin e domenikanëve, që sapo kishin mbërritur në Barcelonë. Në 1234 Papa deshi ta emëronte kryeipeshkëv të Tarragonës, por ai nuk pranoi. Megjithatë, vëllezërit e tij e zgjodhën Epror të Përgjithshëm të Urdhrit, prandaj udhëtoi në gjithë Evropën për të mbështetur domenikanët në predikimin e Ungjillit. Vdiq në Barcelonë në viti n 1275.
Më 8 janar përkujtohet Shën Severini. U lind në Itali rreth vitit 410, në një familje fisnike romake. U bë murg dhe iu kushtua tërësisht kujdesit fetar e shoqëror për njerëzit nevojtarë në një zonë të perandorisë së atëhershme, ku sot takohen Austria, Gjermania dhe Zvicra. Severini i ktheu banorët e asaj zone në fenë e krishterë, themeloi disa kisha dhe kuvende dhe, edhe pse nuk e kishte pushtetin formal për ta bërë këtë gjë, vendosi një taksë, që shërbente vetëm për të ndihmuar të varfrit. Jetoi dhe vdiq i varfër.
Më 9 janar përkujtohet Shën Adriani nga Kantërbëri. U lind në Afrikë dhe u bë abat në Neridë. Kur Papa, Shën Vitaliani, e thirri për ta bërë Kryeipeshkëv të Kantërbërit, nuk e pranoi emërimin dhe e këshilloi Papën të caktonte kryeipeshkëv Teodorin e Tarsit, i cili u bë me të vërtetë njëri prej ipeshkvinjve më të mëdhenj të Kishës angleze. Adriani u bë këshilltar i kryeipeshkvit dhe abat i manastirit të Shën Pjetrit e Palit, në shkollën e të cilit dha mësim për më se dyzet vite. Vdiq afër Kantërbërit në vitin 710.
Më 10 janar përkujtohet Shën Aldo. Nuk njihet me saktësi epoka në të cilën jetoi, por mendohet rreth vitit njëmijë. Sipas traditës, qe heremit dhe nxjerrës karboni në Karbonia, pranë Pavisë. Qe varrosur në Pavi, në kapelën e Shën Kolombanit, prej ku e zhvendosën në bazilikën e shën Mikelit, prandaj kulti i tij u zhvillua në këtë qytet.
Më 11 janar përkujtohet Shën Liberata, bija e konsullit romak dhe guvernatorit të verilindjes së Gadishullit Iberik në vitin 122 Lucius Catelius Severus. E ëma, Kalsia, lindi nëntë binjakë. Nga marrja e një lindjeje kaq të pazakontë, vendosi t’i mbyste foshnjat në det. Caktoi për këtë punë shërbëtoren e vet, e cila nuk u bind. Atëherë i pagëzoi me emrat Gjinevra, Viktoria, Eufemia, Gjermana, Marina, Marciana, Bazilisa, Kuiteria e Liberata dhe u caktoi si edukatore Silën, e cila nderohet gjithashtu si shenjtore. Më vonë, pas shumë peripecish, vdiqën të gjitha të martirizuara nën perandorin Adrian. Trupi i Shën Liberatës ruhet në Katedralen e Siguencës (Spanjë).
Më 12 janar është e diel, Solemniteti i Pagëzimit të Zotit tonë Jezu Krishtit.








All the contents on this site are copyrighted ©.