2014-01-05 11:37:59

Krishtlindja, në kryevepra proze. Piero Bargjelini: “Njëri nga Mbretërit Dijetarë”. (Emisioni XXXII)


Në emisionin XXXII të rubrikës “Krishtlindja, në kryevepra proze”, përsëri Piero Bargjelini, me të cilin ju njohëm në emisionin XXII. Tregimi i tij i sotëm titullohet: “Njëri nga Mbretërit Dijetarë”. Na fton të ecim në gjurmët e njërit nga dijetarët, që nesër do të adhurojnë Krishtin Fëmijë në Shpellën e Betlehemit.RealAudioMP3
“Jo, ju nuk mund ta besoni se unë jam magjistar përrallash. Nuk kam shkop, as nuk bëj magji. Në vendin tonë, në Persi, magjistar do të thotë i urtë, domethënë dijetar. Edhe ne kishin studiuar shumë, sidomos librin e titulluar Avesta.
Shpatullat tona ishin kërrusur mbi këtë libër. Mjekrrat, zbardhur, nga studimi.
Libri kumtonte ardhjen e një “zotërie të ditur”, ose të një fitimtari, që do t’i çlironte njerëzit përgjithmonë.
Para nesh, brezni pas breznie, dijetarët e patën pritur këtë njeri mrekullibërës, por gjithnjë, më kot!
Tashmë ishim motuar e tuteshim se do t’i mbyllnim sytë pa e parë Çlirimtarin. Vëzhgonim qiellin, në pritje të shenjës, që do të kumtonte ardhjen e Tij.
E ja, një yll, me shkëlqim të jashtëzakonshëm, na bëri me shenjë ta ndjekim.
U nisëm të lum, mbi deve race, me veshje madhështore, me kurora në kokë e dhurata në dorë.
Nuk ishte gjë e bukur të paraqiteshim para këtij mbreti të madh me duar thatë. Njëri nga ne mori një kupë ari, simbol i pushtetit mbretëror. Tjetri, një amforë plot me kem, simbol i nderimit priftëror. I treti, një kelk me mirrë, simbol i ringjalljes.
Ylli na printe. Asnjë karvan nuk mund të krenohej se kishte bërë një udhë të tillë. Kaluam male, përshkuam fusha, kapërcyem lumenj e arritëm në qytetin, ku ylli na bëri shenjë të ndalemi.
Ishte Jeruzalemi. Mbreti Herod u njoftua për arritjen tonë. E mori vesh edhe se kërkonim Mbretin e Judenjve e nisi t’i pyeste dijetarët e vet:
- Ku thonë librat se duhet të lindë Shëlbuesi?
Edhe hebrenjtë kishin një libër, të quajtur Bibla, ku kumtohej ardhja e Shëlbuesit. Prandaj të urtit e mbretërisë iu përgjigjen Herodit:
- Betlehemi do të jetë djepi i tij!
- Shkoni, pra, në Betlehem - na tha Herodi - e në kthim, ejani e më tregoni për të.
Rinisëm udhëtimin e ylli shtegtonte me ne, derisa u ndal mbi një stallë. Gjetëm aty fëmijën, mbështjellë në fasha, vënë mbi një grazhd, ndërmjet dy kafshëve. Ç’braktisje. E ç’mjerim i zi! Mbreti i botës prehej mbi fije kashte, pa oborr mbretëror rreth e rreth, pa kurrfarë nderimi.
E pamë e dija jonë u pështjellua krejtësisht. Prisnim një mbret fuqiplotë, në një fron madhështor, në mes të pasurisë e të shkëlqimit.
Duke parë gjithë këtë përvujtëri, edhe ne na u duk vetja njerëz të përvuajtur. Nxorëm dhuratat tona: arin, kemin, mirrën. Foshnja na ndoqi me sy mirënjohës, po ne e kuptuam se dhuratat nuk mjaftonin. Ai nuk kënaqej vetëm me ar, kem e mirrë. Donte edhe zemrat tona. E i donte përplot me atë pasuri, që nuk shteron kurrë e që quhet Dashuri.
Për këtë Dashuri, që kthehet në bamirësi, shkenca jonë prej dijetarësh të moçëm, nuk kishte menduar kurrë.
Na e mësoi një Ferishte, një i posalindur, në një stallë, me një buzëqeshje, që e rinoi zemrën tonë të stërplakur”.








All the contents on this site are copyrighted ©.