2014-01-04 17:01:24

Liturgjia e Fjalës së Zotit


E diela II e Krishtlindjes

Ngjarja e mishërimit të Fjalës është zbulimi i përsosur dhe i patejkalueshëm i misterit të Hyjit. Në “historinë e Fjalës” njeriu mund të shohë lavdinë e Hyjit dhe, kështu, njeriu merr jetën e amshuar, edhe pse ende jeton në kohë.
Shestimi i mistershëm i Hyjit për njerëzimin zbulohet plotësisht me mishërimin: atij, që e pranon Fjalën e mishëruar, i jepet pushteti për t’u bërë bir i Hyjit. Njeriu është i thirrur për t’u bërë pjesëmarrës në të njëjtën bijësi hyjnore të Fjalës: në Fjalën e mishëruar, bëhet biri i Atit. Dhe Ati lind, në Fjalën e mishëruar, edhe çdo njeri dhe, në Të, shikon dhe dashuron çdo njeri. Është zbulimi i epërm i dinjitetit t njeriut, të çmueshmërisë së veçantë të çdo njeriu.

Jezu Krishti, Fytyra e dukshme e Hyjit Atë

“Unë kam dalë nga goja e të Tejetlartit dhe e kam mbuluar tokën si re... Para shekujve, qysh në fillim, Ai më krijoi... Kam vënë rrënjë mes një populli të lavdishëm...”. Leximi i parë i kësaj të diele na jep njërin prej lavdërimeve të mëdha të Urtisë hyjnore: ajo njëpërnjësohet nga njëra anë me Fjalën e Hyjit të bërë person, e nga ana tjetër me Shpirtin hyjnor, që flatronte mbi ujërat parke. Prologu i Gjonit ndjek një ritëm të ngjashëm me leximin e parë: Jezusi është Fjala, sepse është zbulimi përfundimtar i Atit. E Fjala, për Gjonin, sjell ndër mend kujtimin e Fjalës hyjnore të Besëlidhjes së Vjetër, Fjalë që e gjen përsosurinë e vet në Jezusin: Ai është Fjala e Hyjit, e mishëruar për jetën e Botës.
Leximi i dytë përmban himnin me të cilin Pali e nis letrën drejtuar të krishterëve të Efesit. Hyji na ka paracaktuar për të qenë bijtë e tij, falë veprës së Krishtit. Atij duhet t’i kërkojmë “shpirtin e urtisë e të zbulesës, për ta njohur atë më thellë”.
Pra, kemi përballë një triptik madhështor të Shkrimit të Shenjtë: kremtojmë me solemnitet ndërhyrjen e Hyjit Atë në historinë e njerëzve, nëpërmjet njeriut të paralajmëruar nga Besëlidhja e Vjetër; Fjala, është Fjala e Hyjit, që u bë njeri dhe e vendosi banesën e vet mes nesh; nëpërmjet tij Hyji “na ka bekuar me çdo bekim...”.

Fjala është mishëruar

Jezusi është Fjala e Hyjit: nuk mund të jetë një fjalë që nuk ka kuptim. Ai është i gjithi fjalë dhe fjala e të gjithëve. Hyji e kishte zbuluar pushtetin e tij të amshuar me anë të krijimit, kishte dërguar profetët e vet, lajmëtarët e vet, por pavarësisht nga kjo, kishte mbetur i mbuluar me mister, i pashqyrtueshëm, i padukshëm, i ndryrë, përtej principatave dhe fuqive, përtej pështjellimeve dhe angështisë. Në një farë pike, Hyji është zbuluar; ka folur qartë e kuptueshëm. Kjo ka ndodhur në Jezusin nga Nazareti. Jezusi është Fjala, që e ka thyer heshtjen njëfarësoj të Hyjit. Përmbajtja e kësaj Fjale është Hyji vetë. Një Hyj i ndryshëm nga si e mendonin njerëzit: ai është Hyji Trini e dashurisë, është Ati i mëshirshëm, që e do njeriun dhe dëshiron ta shpëtojë. Jezusi “u tregon të gjithë besimtarëve udhën e të vërtetës” thotë lutja e liturgjisë eukaristike gjatë kushtimit të bukës e të verës. Ai ka ardhur për të na zbuluar atë Hyj, që pret dhe thërret njeriu i çdo kohe: “... o dritë e besimtarëve... zbulohu para të gjithë popujve në shkëlqimin e së vërtetës sate”, thotë lutja fillestare e liturgjisë së kësaj të diele.

A nuk duhet më Hyji?

Për shumë njerëz sot, kjo “Fjalë” bie në vesh të shurdhër. Hyji nuk është më pjesë e jetës sonë të zakonshme. Sot ekzistenca e tij vihet në dyshim. Ateizmi nuk është më një çështje e vetëm pak vetëve: ai prek një numër gjithnjë më të madh të njerëzve, aq sa është bërë fenomeni i qytetërimit tonë. Fare lehtë mund të dëgjojmë njerëz që thonë: “Hyji nuk duhet gjë”. Në të vërtetë, Hyji nuk ekziston sepse “duhet gjë”, siç mendojnë shumë vetë. Hyji nuk është mjeku i rasteve të pashpresa , as agjenci sigurimesh, as alibi për të shpjeguar çfarë nuk mund të kuptojë njeriu, apo çfarë uk arrin të bëjë ende.
Hyji i Jezusit nuk është një lloj tirani, dashamirës apo i zemëruar, sipas rasteve, që ndërhyn sipas tekave në rrjedhën e ngjarjeve, për t’i ndërprerë apo për t’i ndryshuar. Kush beson në Hyjin në këtë mënyrë, gjendet në paradhomën e ateizmit.

Kemi nevojë për Hyjin

Nuk është e lehtë të marrësh në analizë problemin e ndërlikuar të mungesës së fesë në botën moderne, sepse ky problem nuk është gjithmonë e gjithkund njësoj. Shpesh herë rrënjët e problemit janë të ngulura në pamundësinë për të sqaruar vetëdijen individuale. Nuk mungojnë as ata që përgjegjësinë për këtë gjendje ia lënë asaj sfere të vetë krishterimit, që, e ka ushqyer e përhapur, me sjellje të gabuara e me mendjelehtësi. Shpesh herë ateizmi dhe skepticizmi fetar i kohës sonë vjen si rrjedhojë e mosnjohjes së mesazhit të vërtetë të krishterimit. Prandaj Kisha ua ka shtrirë dorën ateistëve, për një takim të hapur e për dialog të sinqertë.
Harrohet se njeriu, në tërë qenien e vet shpirtërore, domethënë në aftësitë supreme për të njohur e për të dashur, është i lidhur me Hyjin, është bërë për Hyjin. Çdo arritje e shpirtit njerëzor e shton në të trazimin dhe ndez dëshirën për të shkuar më tej, për të hyrë në oqeanin e qenies dhe të jetës, në të vërtetën e plotë, e vetmja që jep lumininë. Ta heqësh Hyjin nga horizonti i kërkimit, kah i cili njeriu është i prirur për nga natyra, do të thotë të ndrydhësh vetë njeriun. E ashtuquajtura “vdekje e Hyjit” përfundon me “vdekjen e njeriut”. Prandaj kemi një detyrë të pashmangshme: ta shijojmë njohjen e Hyjit; ta kërkojmë atë, ta kërkojmë me pasion, ku, si dhe kur na e bën të mundur ta takojmë.

Pjesë nga traktati “Shpirti i Shenjtë” i shën Bazilit, ipeshkëv
(Kap. 26, 61)

Quhet njeri shpirtëror ai që nuk jeton më sipas trupit, por udhëhiqet nga Shpirti i Hyjit, sepse merr emrin e birit të Hyjit dhe bëhet i ngjashëm me Birin e njëlindur të Hyjit.
Sikurse syri i shëndoshë ka aftësinë për të parë, ashtu edhe shpirti që ka këtë pastërti ka forcën vepruese të Shpirtit të Shenjtë. Sikurse mendimi i mendjes sonë, nganjëherë mbetet i pashprehur brenda zemrës, nganjëherë shprehet me anë të fjalës, kështu edhe Shpirti i Shenjtë nganjëherë dëshmon brenda shpirtit tonë dhe thërret në zemrën tonë: “Abba, Atë” (Gal 4,6), nganjëherë flet në vendin tonë, sikurse thotë Shkrimi i Shenjtë Nuk jeni ju që flisni, por në ju flet Shpirti i Atit (khs. Mt 10,20). Shpirti i Shenjtë, duke u shpërndarë të gjithëve dhuntitë e veta, është e gjitha që gjendet në të gjitha pjesët. Të gjithë jemi gjymtyrë të njëri-tjetrit dhe kemi dhurata të ndryshme sipas hirit të Hyjit, që na është komunikuar. Për këtë arsye “syri nuk mund t’i thotë dorës: nuk kam nevojë për ty; as koka këmbëve: nuk kam nevojë për ju” (1Kor 12,21). Të gjitha gjymtyrët së bashku plotësojnë trupin e Krishtit në njësinë e Shpirtit dhe, sipas dhuntive, bëhen të dobishme për njëra-tjetrën, si duhet. Hyji i ka renditur të gjitha gjymtyrët e trupit, secilën sipas vullnetit të vet. Pjesët janë plot me kujdes të ndërsjellë, sipas bashkimit shpirtëror të dashurisë. Prandaj, “nëse një gjymtyrë vuan, të gjitha gjymtyrët e tjera vuajnë bashkë me të dhe, nëse një gjymtyrë nderohet, të gjitha gjymtyrët gëzohen me të” (1 Kor 12,26). E meqë pjesët gjenden në të tërën, kështu ne jemi secili në Shpirtin e Shenjtë, sepse të gjithë sa jemi në një trup të vetëm jemi pagëzuar në një Shpirt të vetëm.
Sikurse Ati bëhet i dukshëm në birin, edhe Biri bëhet i pranishëm në Shpirtin e Shenjtë. Prandaj adhurimi në Shpirtin e Shenjtë tregon veprimtarinë e shpirtit tonë, që zhvillohet plotësisht në dritë. Edhe fjalët e gruas samaritane na e tregojnë këtë. Ejo, sipas kuptimit të gabuar të popullit të vet, mendonte se duhej adhuruar Hyji në një vend të veçantë, por Zoti, duke ia ndryshuar idenë, i tha: Adhurimi bëhet në Shpirt e në të Vërtetë (khs. Gj 4,23), duke e përkufizuar vetveten qartas si “e Vërteta”. Pra, në të njëjtën mënyrë, në të cilën e kuptojmë adhurimin në Birin, domethënë si adhurimin, nëpërmjet shëmbëllimit, e atij që është Hyj e Atë, kështu duhet ta kuptojmë edhe adhurimin në Shpirtin e Shenjtë, si adhurim ndaj atij që shpreh në vetvete esencën hyjnore të Zotit Hyj.
Me të drejtë, pra, në Shpirtin që na ndriçon, shohim shkëlqimin e lavdisë së Hyjit. Nëpërmjet gjurmës, shkojmë tek vula dhe tek ai, të cilit i përket gjurma dhe vula dhe për të cilin edhe gjurma edhe vula janë e njëjta gjë.








All the contents on this site are copyrighted ©.