2014-01-03 16:28:27

“Zgjojeni botën!”: në Civiltà Cattolica, biseda e Papës Françesku me eprorët e përgjithshëm


Revista “Civiltà Cattolica” botoi, në letër e në variantin dixhital të faqes së saj të internetit , një bisedë të gjatë të Papës Françesku me anëtarët e Bashkimit të Eprorëve të Përgjithshëm (Usg), mbajtur më 29 nëntorin e kaluar, në përfundim të së cilës Papa njoftoi edhe se 2015-ta do të jetë Vit kushtuar Jetës Rregulltare. Atë Antonio Spadaro, drejtor i revistës së Shoqërisë të Jezusit, ulur ndërmjet 120 eprorëve të përgjithshëm, pritur nga Papa, e regjistroi bisedën e lirë e spontane, duke bërë një kronikë të komentuar të takimit. Janë 15 faqe reviste, që mund t’i shfletoni në numrin e fundit të “Civiltà Cattolica”.

“Duhet formuar zemra. Përndryshe formojmë përbindsha të vegjël, e këta përbindsha të vegjël formojnë popullin e Zotit. E kjo ma përqeth krejt shtatin” - kështu shkruan Papa në një nga fragmentet më të forta të bisedës me eprorët e përgjithshëm. Ati i Shenjtë prek tema nga më të rëndësishmet, duke nisur nga ndërlikimet e jetës, gatuar me hir e me mëkat, tek detyra për të qenë profetë në botën tonë, vëllazërimi, denoncimi i tregtimit të noviceve, domethënë arritja masive e Kongregatave të huaja, që hapin shtëpi me qëllim që të rekrutojnë thirrje, për t’i shërbyer, pastaj, Evropës. E akoma, dënimi i sjelljeve, si hipokrizia e fondamentalizmi, lavdërimi i vendimit të madh të Benediktit XVI për përballimin e rasteve të shpërdorimeve të klerit mbi të miturit, rëndësia e karizmave, sfidat më të ngutshme, marrëdhëniet ndërmjet rregulltarëve e ipeshkvijve, nevoja e frymës së dashurisë, aftësia për ‘t’i ledhatuar’ konfliktet’ e, sidomos, nevoja për një shkundje të tillë, që ta zgjojë nga gjumi botën tonë të trullosur”.

Tema e prekur që në krye të bisedës, ishte identiteti dhe misioni i rregulltarëve. Përkushtimi i plotë ndaj Ungjillit nuk është tipar, që u takon vetëm rregulltarëve, vëren Papa. U takon të gjithëve. Megjithatë duhet pranuar se rregulltarët e ndjekin Zotin në një mënyrë krejt të veçantë, në mënyrë profetike. E kjo është dëshmia, që pret Papa Françesku. Rregulltarët, kujton, duhet të jenë burra e gra të afta për të zgjuar botën. Jeta, vijoi, është e ndërlikuar, me hir e mëkat. Nëse ndokush nuk mëkaton, s’ është njeri. Rregulltari, që e ndjen veten të ligshtë e mëkatar, nuk i kundërvihet dëshmisë, që është i thirrur të japë, përkundrazi, e forcon. Papa Françesku kërkon të shmangë fondamentalizmin e të ndriçojë të ardhmen. E, ripohon bindjen se ndryshimet e mëdha të historisë u realizuan, kur realiteti nuk u vërejt nga qendra, por nga periferia. Të rrish në periferi, shtoi, të ndihmon t’i shikosh gjërat më mirë e t’i kuptosh më thellë, të bësh analiza më të drejta të realitetit, duke u larguar nga centralizmi dhe nga përçapjet ideologjike.

Papa Françesku kujton përvojën e tij si jezuit. Për të kuptuar, vëren, duhet të vendosesh në vendin e duhur, ta shikosh realitetin nga këndvështrime të ndryshme. Duhet të mësohemi të mendojmë! Papa kujton një letër të atë Arrupes, për të pohuar se rregulltari duhet ta njohë me të vërtetë realitetin dhe mënyrën si jetojnë njerëzit. Nëse kjo nuk ndodh, na kërcënon rreziku të kthehemi në ideologë abstraktë ose fondamentalistë. E kjo nuk është e shëndetshme. Papa ngulmon posaçërisht tek apostullimi i të rinjve. Kush punon me të rinjtë, kujton, nuk mund të mjaftohet me porosi tepër të rregullta e të hartuara si traktate, sepse këto gjëra nuk e tërheqin me të vërtetë vëmendjen e të rinjve. Duhet folur me një gjuhë të re. Këtë na kërkon sot Zoti: të dalim nga foleja, për të shkuar ndërmjet njerëzve, si të dërguar.

Po cila është, atëherë, përparsia në jetën rregulltare? Profecia e Mbretërisë, përgjigjet Papa, që nuk mund të tregtohet. Një profeci, që bën zhurmë, që ka dhantinë të bëhet tharm. Papa u tërheq vëmendjen rregulltarëve ta shmangin tundimin e lojës për t’u dukur si profetë, pa qenë të tillë. E i inkurajon të kërkojnë gjithnjë rrugë të reja, që karizma të mos bëhet shterpë. Lidhur me shtimin e thirrjeve në kishat e reja dhe inkulturimin e karizmave, Papa Françesku nënvizon se karizma nuk është shishe me ujë të distiluar. Duhet jetuar me energji, duke e rilexuar edhe kulturalisht. Por kështu, pohon Papa në dialogun me eprorët e përgjithshëm të rregulltarëve, ekziston rreziku të gabohet. Është e rrezikshme, ripon Ati i Shenjtë. Bëjmë gjithnjë gabime, pa dyshim. Por kjo nuk duhet të na frenojë. Duhet të kërkojmë gjithnjë falje e t’i shikojmë me turp të madh dështimet apostolike të shkaktuara nga mungesa e guximit. E më pas Papa vë theksin mbi nevojën për të zgjedhur në drejtim të urdhërave e të kongregatave, njerëz të kulturave të ndryshme, që e jetojnë karizmën në mënyra të ndryshme. Nga ana tjetër, shpjegon, të inkulturosh karizmën, është themelore e kjo nuk do të thotë kurrë ta relativizosh.

Papa Françesku njofton edhe se ka kërkuar nga Kongregata për Jetën Rregulltare të rimarrë në dorë dy dokumente; i pari, mbi thirrjet e rregulltarëve, që nuk janë meshtarë. I dyti, që po rishikohet, është Mutuae relationes mbi marrëdhëniet ndërmjet ipeshkvijve e rregulltarëve në Kishat vendase. Ne, ipeshkvijtë, pohoi Papa, duhet të kuptojmë se njerëzit e shuguruar nuk janë material ndihmës, por dhanti, që pasurojnë dioqezat. Gjatë bisedës, kujton atë Spadaro, iu kushtua vëmendje e veçantë temës së formimit dhe përparësive të saj. Fantazma, që duhet luftuar, vëren Papa, është përfytyrimi i jetës rregulltare si strehë e ngushëllim, përballë botës së jashtme, të vështirë e të ndërlikuar. Papa tërheq përsëri vëmendjen për të qëndruar larg hipokrizisë e klerikalizmit, që mund t’i minojnë vitet e noviciatit. Nuk zgjidhen problemet vetëm duke i ndaluar novicët për të bërë këtë, ose atë. Duhet dialog, shumë, e ballafaqim. Nuk duhet harruar se hipokrizia është një nga të këqiat më të tmerrshme nënvizon, e më pas kujton vendimin e madh të Benediktit XVI për përballimin e rasteve të shpërdorimeve. Ky, vëren, duhet të shërbejë si shembull për formimin personal, që duhet të shikohet si sfidë serioze, duke menduar gjithnjë për Popullin e Zotit.

Formimi, rikujton Papa, duhet orientuar jo vetëm në drejtim të zhvillimit vetjak, por kryesisht në drejtim të Popullit të Zotit, në drejtim të atyre, tek të cilët do të dërgohen njerëzit, që kemi formuar. Të mendojmë për ata rregulltarë, që e kanë zemrën të thartë, si uthulla, vëren, e që nuk janë bërë për popullin. E shton: “Nuk duhen formuar administratorë, drejtues, por etër, vëllezër, shokë udhe”. Formimi është vepër mjeshtrore, jo policore. Katër bazat kryesore të formimit janë: shpirtërore, intelektuale, komunitare dhe apostolike. Baza, nënvizon, që duhet të ndërveprojnë qysh ditën e parë të hyrjes në noviciat.
Papa dhe eprorët e përgjithshëm u ndaluan edhe tek tema e vëllazërisë e tek rreziku i individualizmit, që shpesh e bën folenë në bashkësi. Nganjëherë, vëren Ati i Shenjtë, është e vështirë të jetosh në bashkësi me frymën e vëllazërisë. Por nëse nuk e jeton, nuk jep fryt. Edhe puna apostolike, për Papën, mund të rrezikohet nga ikja prej jetës vëllazërore. Kush nuk mund ta jetojë vëllazërimin, nuk mund ta jetojë jetën rregulltare. Konflikti është i pashmangshëm, vijon, por duhet pranuar, nuk duhet injoruar. Nëse mbulohet, krijon presion e më pas shpërthen. Nganjëherë, vijon Papa, jemi tepër mizorë. Tundohemi të kritikojmë për kënaqësi personale ose për të siguruar përfitime personale. Nganjëherë, vijon akoma, krizat e vëllazërimit shkaktohen nga brishtësia e personalitetit, e në këtë rast duhet kërkuar ndihma e profesionistëve, e ndonjë psikologu. Nuk duhet pasur frikë nga kjo. Por kurrë nuk duhet të sillemi si administratorë përballë konfliktit të një vëllai. Duhet ta ndjekim me zemër. Papa kërkon edhe një herë që konfliktet ‘të ledhatohen’ me ‘dhimbsurinë eukaristike’. Dhimbsuria eukaristike, ripohon, nuk e mbulon konfliktin, por ndihmon për ta përballuar burrërisht.
Së fundi, Papa Françesku flet për temën e tij të dashur të “kufijve të ungjillëzimit”, duke theksuar se nuk janë vetëm gjeografikë, por edhe simbolikë, se nuk janë të paracaktuar e të njëllojtë për të gjithë. Papa flet përsëri për përparësinë e realitetit të përjashtimit, ku duhen dërguar njerëzit më të mirë, më të përgatitur. Vija e kufirit kulturor dhe edukativ në shkolla e në universitete, përfundon, është mision kyç. Fjalë, kjo, të cilën e përsërit tri herë. Mision që, kujton Papa, kërkon të kumtohet Krishti, duke përballuar situata familjare të panjohura e të ndërlikuara.







All the contents on this site are copyrighted ©.