2014-01-02 16:23:55

Udha e faljes, udha e të rinjve të Taizé-së, nga Strasburgu në Pragë e përtej


Takimi i 36-të i Taizé-së përfundoi të mërkurën në Strasburg, pas katër ditësh plot diskutime, shkëmbime e lutje, në një klimë të hareshme. Pjesëmarrësit, më se 30 mijë të rinj nga të gjitha kishat e krishtera, të mbledhur nga të katër anët e kontinentit të vjetër, kanë treguar lidhjen e tyre me Evropën. Një Evropë e hapur e solidare, uron prijësi i kësaj bashkësie.
Duke kujtuar figurën e Nelson Mandelës, vëlla Aloizi i ka ftuar të rinjtë të ndjekin udhën e faljes, me frymën e pajtimit. Pastaj ka bërë thirrje për bashkimin e Kishës, pa pritur që të gjitha formulimet teologjike të arrijnë harmonizimin e plotë dhe duke mbajtur parasysh se ndryshimet që mbesin në mënyrën si e shprehim fenë, nuk na ndajnë.
Të hënën mbrëma katedralja e Strasburgut, ku ishin të pranishëm edhe autoritetet civile të rajonit, sikurse udhëheqësit e krishterë të disa vendeve, u mbush plot e përplot. Në gjysmërrethin e parlamentit evropian është organizuar edhe një takim me eurodeputetet e krishterë. Të gjithë të rinjtë pjesëmarrës kanë bujtur nëpër familje, gjë që nuk kishte ndodhur më që nga viti 2008 në Poloni. Për të bërë të mundur këtë veprimtari janë vënë në punë rreth dyqind famulli nga të dyja anët e kufirit franko-gjerman.
Në këtë takim ka spikatur prania masive e delegacionit ukrainas, e dyta në numër nga delegacionet e huaja. Në kryeqytetin alsacian u mblodhën greko-katolikë, ortodoksë e katolikë latinë. Takimi i ardhshëm do të mbahet në Pragë, në zemrën e Evropës qendrore, nga 29 dhjetori 2014 më 1 janar 2015. Çdo vit, që nga 1978, në festën e Shën Silvestrit, bashkësia ekumenike e Taizé-së organizon tatimin e të rinjve nëpër kryeqytete të ndryshme të Evropës.








All the contents on this site are copyrighted ©.