2014-01-02 16:18:23

Krishtlindja, në kryevepra proze. “Bredhi i Krishtlindjes, ndërmjet historisë e letërsisë”(Emisioni XXIX)


Emisionin XXIX të rubrikës “Krishtlindja, në kryevepra proze”, ia kushtojmë Bredhit të Krishtlindjes, duke ecur në gjurmët e historisë e të letërsisë.

Sipas pohimit të profesor Fabio Fabianit, i cili përveçse mjek i mirë, është edhe shkrimtar i kulturuar, në librin e tij ‘Historia e Bredhit të Krishtlindjes’ shënon se Bredhi i solemnitetit duket në letërsi duke nisur nga shekuli XVIII. Autori i parë i rëndësishëm që e përshkruan, është Johann Wolfgang Goethe (1749-1832) (Johan Volfgang Gëte) në romanin e tij të famshëm ‘Die Leiden des jungen Werther? (Vuajtjet e djaloshit Verter), botuar në vitin 1774. Aty nga fundi i romanit, më datën 20 dhjetor, heroina e veprës, Lote, përgatit dhuratat për të vegjëlit. Është e diela para Krishtlindjes e Verteri, që shkon ta takojë, flet për kohën e lume, kur hapja e papritur e një porte përballë Bredhit të Krishtlindjes, zbukuruar me qirinj, ëmbëlsira e mollë, e rrëmben njeriun dhe e bën të jetojë disa çaste ekstaze gazmore”. Edhe Johan Christoph Friedrich Schiler (1759-1805) (Johan Kristof Friedrih Shiler) në veprat e tij flet për Bredhin e Krishtlindjes. Kjo na siguron se në këtë kohë, në të gjithë Gjermaninë, ishte zakon që për Krishtlindje, të ngriheshin Bredhat e festëst.
Në vitin 1798 poeti i madh anglez, Samuel Taylor Coleridge (Semjuel Tajlor Kolerixh), autor i ‘The Rime of the Ancient Mariner’, pasi kishte kaluar Krishtlindjen në Gjermani, në një letër drejtuar njërit nga miqtë, i përshkruan bukurinë mahnitëse të bredhave plot me drita, që i kishte parë nëpër shtëpitë e banorëve vendas. Në vitin 1848 Fjodor Dostojevski botoi në fletën e shtatorit të Otecestvennye Zapiski, tregimin e tij të njohur ‘Bredhi i Krishtlindjes’. Charls Dickens (Çarl Dikens) në vitin 1850 u tregonte lexuesve të vet në një revistë, mrekullitë e Bredhit të Krishtlindjes të ngarkuar me dritëza.
Veprave të këtyre shkrimtarëve të famshëm, profesor Fabiani u shton edhe tregimin ‘Gjyshja’, shkruar nga Bozhena Nemcova, botuar në Paris, në të cilin flitet për Bredhin e Krishtlindjes në Çekosllovaki. E, së fundi, nuk duhet të harrojmë kurrsesi “Bredhin e Krishtlindjes” dhe ‘Shitësen e vogël të shkrepëseve’ të Hans Kristian Andersenit.








All the contents on this site are copyrighted ©.