2014-01-02 16:26:34

Evangelii gaudium - Përmbledhje (II)


Kapitulli i parë i dokumentit Evangelii gaudium i kushtohet transformimit misionar të Kishës. Krishti e ka dërguar Kishën në botë për të shpallur lajmin e mirë, prandaj misioni nuk është gjë tjetër, veçse bindja ndaj këtij mandati: “Shkoni dhe bëjini të gjithë popujt nxënësit e mi. Pagëzojini në Emër të Atit e të Birit e të Shpirtit Shenjt dhe mësojini të zbatojnë gjithçka ju urdhërova” (Mt 28,19-20).
Në Shkrimin e Shenjtë shfaqet shpesh fjala “dalje”. Hyji nxjerr Abrahamin nga toka e tij, dërgon Moisiun për të çliruar popullin, i thotë Jeremisë të shkojë tek ata, tek të cilët Ai do ta dërgojë. Në kontekstin e historisë së shëlbimit “të gjithë jemi të ftuar të pranojmë këtë thirrje: të dalim nga rehatia jonë e të marrim guximin për t’i mbërritur të gjitha periferitë, që kanë nevojë për dritën e Ungjillit” (n 20). Gëzimi misionar zë fill dhe plotësohet në këtë dalje të përhershme drejt periferive. Shembullin më të mirë na e ka dhënë vetë Jezusi, kur u thotë apostujve: “Të shkojmë tjetërkund, në fshatrat përreth, që të predikoj edhe atje, se për këtë kam ardhur” (Mk 1,38). Kjo gatishmëri për të “dalë” e për të “shkuar” tjetërkund për të kumtuar Ungjillin, mbështetet në besimin se fjala, që shpallim, ka një forcë të veten në jetën e njerëzve, si fara: pasi mbillet, mbin vetë. “Kisha duhet ta pranojë këtë liri të parrokshme të Fjalës, që është vepruese sipas mënyrës së vet dhe në forma shumë të ndryshme, të tilla, saqë shpesh u shpëtojnë parashikimeve tona dhe i thyejnë skemat tona” (n. 22). Ajo duhet të jetë thellësisht e bashkuar me Krishtin, por ky bashkim me të duhet të jetë shëtitës, sepse “gëzimi i Ungjillit është për të gjithë popullin e nuk mund të përjashtojë askënd” (n. 23).
Papa rendit pesë foljet themelore që tregojnë karakteristikat e veprimit të Kishës mes njerëzve: me marrë nismën, me u përfshi, me shoqnue, me dhanë fryte dhe me festue.
Sikurse Zoti na ka dashur dhe na ka shpëtuar me nismën e vet, edhe Kisha duhet të dijë të marrë nismën për të shkuar drejt të tjerëve e jo vetëm të presë vendnumëro, sepse ajo “jeton me dëshirën e pashtershme për të dhuruar mëshirë. Kjo dëshirë është fryt i përjetimit të mëshirës së pafundme të Atit dhe forca e saj shtytëse” (n.24). Mbartësi dhe përçuesi i Ungjillit duhet, gjithashtu, të përfshihet në jetën e të tjerëve, duke mësuar nga Jezusi, që përkulet e u lanë këmbët apostujve. Bashkësia ungjillëzuese duhet t’i “shkurtojë distancat” (n.24) dhe, po qe nevoja, edhe të pranojë poshtërimin, të prekë trupin e vuajtur të Krishtit tek njerëzit dhe të marrë “erën e deleve”. Lajmëtarët e ungjillit, i shoqërojnë me durim njerëzit, të cilëve u kumtojnë lajmin e mirë. Nuk e humbin durimin për shkak të kufizimeve të veta apo të të tjerëve, por presin frytet, që pjek Hyji në popullin e vet, pavarësisht nga egjra, që mbin në arën e jetës së botës. Gëzimin e fryteve të Hyjit Kisha e kremton në bukurinë e liturgjisë, “ungjillëzon dhe ungjillëzohet me bukurinë e liturgjisë” (n.24).
Në veprimtarinë e saj ungjillëzuese, bashkësia e krishterë duhet të ripërtërihet gjithmonë me anë të kthimit kah Hyji dhe kah burimi i thirrjes së saj. Ajo nuk është një administratë, që duhet të shpëtojë e të ruajë veten, por bashkësi “në gjendje të përhershme misioni” (n.25), prandaj, siç thoshte Pali VI, ka nevojë të “ndreqë të metat” duke u pasqyruar në modelin e Krishtit. Strukturat nuk duhet të bëhen pengesë për shpalljen e Ungjillit, e vetmja që e bën të re jetën dhe, “pa jetën e re dhe shpirtin e mirëfilltë ungjillor, pa besnikërinë e Kishës ndaj thirrjes së saj, çfarëdolloj strukture prishet në pak kohë” (n.26). Strukturat kanë nevojë të rinohen përherë, për të qenë “një kanal i përshtatshëm për ungjillëzimin e botës aktuale dhe jo për të ruajtur vetveten” (n.27). Ndër strukturat kishtare, famullia është, nga njëra anë e pashmangshme, nga ana tjetër, “është shumë plastike, mund të marrë forma shumë të ndryshme, që kërkojnë gatishmërinë për të ndryshuar dhe krijimtarinë misionare të bariut dhe të bashkësisë” (n. 28). Papa thotë se famullitë presin ende të gjejnë formën e dëshirueshme për të përmbushur si duhet misionin e tyre: “Duhet ta pranojmë se thirrja për rishikimin dhe përtëritjen e famullive nuk ka dhënë ende fryte të mjaftueshme, që të jenë edhe më afër njerëzve, që të jenë vendet e bashkimit të gjallë dhe të pjesëmarrjes dhe që të orientohen krejtësisht kah misioni” (n.28). Lëvizjet kishtare mund të sjellin një zell të ri ungjillëzues, por duhet të mbështeten tek famullia dhe të integrohen në jetën e Kishës, që të mos mbeten “vetëm një pjesë e Ungjillit dhe e Kishës” (n.29). Ipeshkvi dioqezan duhet të përkrahë bashkësinë misionare të kishës së vet, duhet të rrijë me grigjën, herë duke i prirë, herë midis saj, herë duke e ndjekur, sepse grigja ka nuhatjen e vet. Ai duhet të dijë të dëgjojë të gjithë “e jo vetëm disa, që janë gjithmonë të gatshëm për t’i thurur lëvdata” (n.31). “Meqë jam i thirrur për të jetuar vetë çfarë u kërkoj të tjerëve – shkruan Papa Françesku – duhet të mendoj edhe për kthimin e papatit” (n.32). Ati i Shenjtë kujton gatishmërinë, që kishte treguar Gjon Pali II, për rishikimin e ushtrimit të parisë së Papës, shprehet se nuk janë bërë hapa përpara në këtë drejtim dhe shkruan se “edhe papati dhe strukturat qendrore të Kishës universale kanë nevojë të dëgjojnë thirrjen për kthim” (n.32), në shërbim të veprimtarisë baritore. Duke folur shkurtimisht për Konferencat Ipeshkvore, Papa mendon se mund të merret në shqyrtim dhënia e kompetencave për ushtrimin e autoritetit doktrinar, sepse “centralizimi i tepruar nuk e ndihmon, por e ndërlikon jetën e Kishës dhe dinamikën e saj misionare” (n.32), që kërkon “guxim dhe shpirt krijues” (n.33).








All the contents on this site are copyrighted ©.