2014-01-01 16:59:12

Urimet e krishtera të Papës për 2014-tën, në Engjëllin e Tënzot


Pas Meshës, Papa kremtoi lutjen e Engjëllit të Tënzot, me një urim të posaçëm për Vitin e Ri 2014.
“Urimi im është ai i Kishës, është urimi i krishterë! Nuk lidhet me kuptimin pakëz magjik e pakëz fatalistik të një cikli të ri, që fillon”.
Të gjithë, kujtoi Papa, kemi Shpirtin Shenjt, të cilin e morëm në Pagëzim:
“Ai na nxit të ecim përpara në udhën e jetës së krishterë, në udhën e historisë, drejt Mbretërisë së Hyjit”.
Më pas Ati i Shenjtë kujtoi temën e Ditës Botërore të Paqes “Vëllazërimi, themel e udhë e për paqen”, me bindjen se të gjithë jemi bij të një Ati të vetëm, pjesë e së njëjtës familje njerëzore, me një fat të përbashkët, të thirrur të punojmë, që bota të bëhet bashkësi vëllezërish. Vëllezër, që respektohen, pranohen, me larmitë e tyre, e kujdesen për njëri tjetrin:
“Jemi të thirrur edhe të mbajmë qëndrim ndaj dhunës e padrejtësive, që vërehen në të katër anët e botës, të cilat nuk mund të na lënë indiferentë e të palëvizshëm: ndjehet nevoja për impenjim të të gjithëve, që të ndërtohet një shoqëri me të vërtetë më e drejtë e më solidare”.
Prej këndej, ftesa e Papës Françesku për të ecur të gjithë, në të katër anët e tokës, me vendosmëri më të madhe në udhët e drejtësisë e të paqes, gjithnjë me ndihmën e Zotit:
“Paqja kërkon forcën e butësisë, forcën e padhunshme të vërtetësisë e të dashurisë”.
E paqja nis nën strehën e secilit:
“Drejtësia e paqja në shtëpi, ndërmjet nesh. Nis në shtëpi, e pastaj shkon përpara, përhapet në mbarë njerëzimin”.
Më pas, lutja drejtuar Zojës së Bekuar, që Ungjilli i vëllazërimit t’i shembë muret, të cilat i pengojnë armiqtë të kuptojnë se në vërtetë janë vëllezër:
“Asaj, që e shtrin amësinë mbi gjithë njerëzit, ia besojmë britmën e paqes të popujve të shtypur nga lufta e nga dhuna, që guximi i dialogut dhe i pajtimit të fitojnë mbi tundimin e hakmarrjes, prepotencës, korrupsionit”.
E përsëri, pas lutjes mariane, duke ia kthyer urimet të Presidentit Napolitano, Papa bekoi posaçërisht popullin italian.
Së fundi, një falënderim për të gjitha nismat e lutjes e të impenjimit për paqen në të katër anët e botës.









All the contents on this site are copyrighted ©.