2014-01-01 16:59:50

Në Ditën Botërore të Paqes, Papa ia beson Marisë, Nënës së Zotit, nevojat e mbarë botës


Në Ditën Botërore të Paqes, Solemnitet i Marisë, Nënë e Zotit, Papa Françesku ia besoi Zojës së Bekuar, në homelinë e Meshës, kremtuar sot paradite në Bazilikën e Shën Pjetrit, dëshirat e zemrës sonë, e nevojat e botës mbarë.

"Zoti të bekoftë e të ruajtë. Të ndriçoftë me fytyrën e vet e pastë mëshirë për ty. E sjelltë kah ti fytyrën e vet e të dhëntë paqe”.
Për të hapur Vitin e Ri, Papa zgjodhi lutjen e lashtë të bekimit, të cilën Hyji ia pati këshilluar Moisiut, për të shoqëruar shtegtimin në kohën, që hap shtigjet e veta para nesh:
“Janë fjalë force, guximi, shprese. Jo shpresë e rreme, e bazuar mbi premtime të brishta njerëzore; as shpresë foshnjarake, që e përfytyron ardhmërinë më të mirë, vetëm e vetëm sepse është ardhmëri. Kjo shpresë mbështetet pikërisht mbi bekimin e Zotit, bekim, i cili përmban urimin më të madh, urimin, që Kisha i bën secilit nga ne, përplot me mbrojtjen dashamire të Zotit, me ndihmën e Tij gjithë kujdes”.
Urim, tha Papa, që u realizua plotësisht në një grua, në Marinë, e paracaktuar të ishte Nëna e Zotit:
Ky është titulli kryesor e themelor i Zojës. Është fjala për një cilësi, një rol, që besimi i popullit të krishterë, në devocionin e vet plot dashuri e thjeshtësi për Nënën qiellore, e ka përceptuar gjithmonë”.
“Nëna e Zotit” na parapriu në udhën tonë të fesë, prandaj e ndjejmë gjithnjë pranë nesh
“...Nëna e Zotit jetoi si ne, u detyrua të ecte në të njëjtat udhë, ku ecim edhe ne, nganjëherë të vështira e të errëta. Iu desh të përballonte shtegtimin në udhët e fesë”.
Maria është burim shprese e gëzimi të vërtetë, shembull përvujtërie e gatishmërie përballë vullnetit të Zotit. Edhe në majë të Kalvarit, e mbajti të ndezur flakën e besimit në ngjalljen e Birit e ia përcolli plot me dashuri amtare edhe të tjerëve:
“Asaj ia besojmë udhën tonë të fesë, dëshirat e zemrës sonë, nevojat tona e nevojat e mbarë botës, posaçërisht urinë e etjen për drejtësi e paqe; e i drejtohemi të gjithë së bashku: Shën Mari, Nëna e Zotit”.









All the contents on this site are copyrighted ©.