Viti i Ri a Kryeviti, është dita e parë e Vitit. Në botën moderne kremtohet më 1 janar,
sipas Kalendarit gregorian, në përdorim për qëllime civile në mbarë botën. Në shumicën
e shteteve, është ditë feste. Për popullsitë, që ndjekin Kalendarin julian, për shembull
disa Kisha ortodokse, me synime ngushtësisht fetare, fundi i vitit kremtohet në ditën,
që përkon me 14 janarin e Kalendarit gregorian.
Historia Zakoni për
ta kremtuar Vitin e Ri vjen në kohët tona nga thellësia e shekujve e, pikërisht, nga
festa pagane e hyjnisë romake Giano. Në shekullin VII paganët e Fiandreve, ndjekës
të druidëve, e kishin zakon ta kremtonin me festa të bujshme, kalimin në vitin e ri;
ky kult pagan u dënua nga Shën Eligji (vdekur rreth vitit 660), që e qortoi ashpër
popullin e Fiandrës, duke e porositur: “Në kryevit, askush nuk duhet të bëjë mbrapshti
qesharake, si endja rrugëve me maska mëzetësh a drerësh, me shaka e lojëra, e nuk
duhet të rrijë gjithë natën duke ngrënë e duke pirë, e as të bëjë dhurata të kota
e t’i japë liri të tepruara vetes. Asnjë i krishterë nuk duhet t’u besojë fallxhoreve
duke shikuar zjarret, e as të kërkojë fatin skutash, sepse është vepër djallëzore”.
Të duket sikur zëri i Shenjtit vijon të ushtojë në kohë, me të njëjtën porosi... Në
Mesjetë, shumë vende evropiane përdornin Kalendarin julian, por kishte ende një mori
datash të ndryshme, që shënonin fillimin e një viti të ri. Për shembull, nga shekulli
XII e deri në vitin 1752, në Angli e në Irlandë, kryeviti kremtohej më 25 mars (dita
e Mishërimit të Zotit, ndjekur edhe nga Piza e Firence), ndërsa në Spanjë, deri në
fillimet e gjashtëqindës, vitet shndërroheshin më 25 dhjetor, Ditë e Lindjes së Krishtit.
Në Francë, deri më 1564, Viti i Ri festohej ditën e Ngjalljes së Zotit; në Venedik
(deri në rënien e Republikës detare, më 1797), më 1 mars, ndërsa në viset, që ndiqnin
stilin bizantin, kremtohej më 1 shtator dhe quhej latinisht Caput anni-Kryeviti.
Në viset e perandorisë romake datat e fillimit të vitit ndryshonin nga vendi
në vend, deri në vitin 1691, kur Papa Inoçenci XII e ndryshoi Kalendarin e paraardhësit,
duke vendosur që viti të niste më 1 janar, sipas stilit modern. Përdorimi universal
i Kalendarit gregorian ndikoi që data 1 janar, si datë e fillimit të vitit, të bëhej
e përgjithshme. Të gjitha përpjekjet për ta ndryshuar përsëri këtë datë, që u vërejtën
në disa vende, si në Francë, gjatë Republikës I, me Kalendarin republikan, apo në
Itali, me Kalendarin e Vitit I të epokës fashiste, ranë, bashkë me ata, që i caktuan.
Mbeti gjithnjë në këmbë Kalendari që ia dhuroi njerëzimit, më 1582, një papë, Gregori
XIII prej këndej, me emrin e tij, gregorian.
Tradita moderne Në shumë
vende të botës, dita e parë e vitit quhet edhe Kryeviti! 1 janari shënon fillimin
e një periudhe të re, që zakonisht nis një javë pas Krishtlindjes. E gjatë kësaj jave,
rikujtohet përmbledhtas gjithë ç’ka ndodhur gjatë vitit të kaluar. Rikujtohen ngjarjet
më të rëndësishme, të bukura a tronditëse, kujtohen njerëzit më të shquar të vitit
- sivjet Papa Françesku - ndryshimet në jetën e njerëzimit, parashikimet për vitin
e ri, ligjet e reja në fuqi e shumë e shumë hollësira, sipas vendit e kuvendit. Kjo
ditë, në shumë vise, është edhe festë fetare. Në Kishën Katolike solemniteti i Nënës
së Zotit, për ata, që ndjekin formën e zakonshme të riti romak; Rrethprerja e Jezusit,
për ata, që ndjekin ritin ambrozian ose formën e jashtëzakonshme të ritit romak. Nata
ndërmjet 31 dhjetorit e 1 janarit festohet nga shumica e viseve të botës si natë e
shndërrimit të viteve. Është natë e pagjumë. Një pjesë e mirë e botës rri zgjuar e
përgjon zhdukjen e ngadalshme të një viti, e dukjen e nji tjetri. Në Itali
vërehen një mori zakonesh bestyte, për të mos marrë mësysh. Ndërmjet tyre, veshja
me të linjta të kuqe, ose flakja nga dritaret e sendeve të vjetëruara. Natën e festës
hahen lentikie, si urim për një vit të pasur. Në Spanjë e kanë zakon të
hanë 12 kokrra rrushi pikërisht në mesnatë, një për çdo tingëllimë të sahatit, që
kumton pikërisht orën 12-të. Në Rusi, pas tingëllimit të 12-tës, hapet porta,
që të hyjë viti i ri e nis shkëmbimi i dhuratave. Në Ekuador, njerëzit dalin
nga banesat e organizojnë një lloj karnavali me maska, që përfundon me djegien e figurës
kryesore, si tek ne në kremtimin e karnevalit. Në Japoni, familjet shkojnë
në tempuj për të pirë sakè e për të dëgjuar 108 goditje gongu, kumt për arritjen
e vitit të ri. Goditjet janë simbol i 108 mëkateve, që bën çdo njeri gjatë vitit,
mëkate, të cilat pastrohen nën goditjet e gongut. Në shumë vende, që ndjekin Kalendarin
gregorian, ndërmjet të cilëve SHBA, Mbretëria e Bashkuar, Italia e vende të tjera,
Viti i Ri kremtohet edhe si festë civile. Izraeli është i vetmi vend që, ndonëse e
përdor Kalendarin gregorian, nuk e kremton Vitin e Ri si festë publike. E kjo, sepse
Viti i Ri lindi si festë e krishterë e edhe pse shumica e vendeve, që e kremtojnë,
janë të krishtera. Nuk mungojnë, megjithatë, izraelitët, që e kremtojnë privatisht. Viti
i Ri kinez kremtohet në përkim me hënën e re, ndërmjet 21 janarit e 19 shkurtit. Kështu
kremtohet edhe në Vietnam. Viti i ri islamik, festohet ditën e parë të muajit
Muharram e mund të përkojë me çfarëdo lloj periudhe të Kalendarit gregorian, sepse
viti hënor i Kalendarit islamik është 11 ditë më i shkurtër se viti diellor i Kalendarit
gregorian. Viti i ri tibetian bie ndërmjet janarit e marsit. Në Iran
përkon me ekuinoksin pranveror (21 mars), Në Tailandë, Kamboxhia, Birmani e
Bengal viti i ri quhet Songran e festohet ndërmjet 13 e 15 prillit, me rastin
e ndryshimit të pozicionit të diellit në unazën e zodiakut. Rosh haShana, Viti
i ri hebraik kremtohet zakonisht në shtator. Viti i ri i hinduistëve, dy
ditë para Divalit, festës së dritës, në gjysmën e nëntorit.
Kur akrepat e
orës shënojnë mesnatën, zakonisht shpërthejnë fishekzjarret, që mbushin me dritë qiellin,
gjurmë të ndritshme të ditës së parë të vitit të ri, ende në fasha. Njëherësh, edhe
tapat e shisheve të verës e nisin edhe ëndrra e reja për vitin e ri. Shoqëruar me
një mori urimesh: Për shumë mot! Pritsh të mirë mot! Gëzuar Vitin e Ri! Mot më mirë”.