Më 31 dhjetor përkujtohet Shën Silvestri. Jetoi në periudhën ndërmjet fundit të përndjekjes
së të krishterëve dhe fillimit të paqes kostandiniane. U bë ipeshkëv i Romës në vitin
314 dhe e drejtoi Kishën për njëzet vjet. Nën papnimin e tij u kremtua Koncili Ekumenik
i Nicesë në vitin 325, organizoi jetën e Kishës së Romës dhe mbështeti ndërtimin e
bazilikave të para. Vdiq në vitin 335 dhe varrimi bë më 31 dhjetor. Më 1 janar
përkujtohet Maria e Shejtnueshme, Mbretëresha e Paqes. Ajo është nëna e çdo njeriu
që lind në Hyjin dhe Nëna e Kishës. Bashkë me Kishën Lindore e nderojmë si “Përherë
Virgjër, të shpallur solemnisht Nënë e shejtnueshme e Hyjit nga Koncili i Efesit,
me qëllim që Krishti të njihej, në kuptimin e vërtetë e të mirëfilltë, Biri i Hyjit
dhe Biri i Njeriut”. Më 2 janar përkujtohen Shën Bazili i Cezaresë dhe Shën Gregori
i Naxianxit. Shën Bazili u lind në vitin 330 në Cezarenë e Kapadokisë nga prindër
të shenjtë. Mori një edukatë letrare të thellë dhe jetoi me virtyt. Vendosi të përqafonte
jetën heremitike, por në vitin 370 u bë ipeshkëv i qytetit të vet. Theksoi pa u lodhur
temën e dashurisë, sidomos si angazhim për vëllezërit në nevojë. Luftoi kundër arianëve
dhe shkroi vepra të shkëlqyeshme, veçanërisht rregullat murgare, që ndiqen edhe sot
e kësaj dite nga shumë murgjër lindorë. Vdiq i varfër, siç edhe jetoi, në vitin 379. Ndër
miqtë e parë e më të çmueshëm të Shën Bazilit gjejmë Shën Gregorin e Naxianxit. E
nxisnin njëri-tjetrin për të ushtruar virtytin e për të zgjeruar dijen. Edhe Gregori
u lind në vitin 330, por jetoji më gjatë se Bazili. U shugurua prift e pastaj ipeshkëv
i Kostantinopojës, por, për shkak të ndasive që e pllakosën kishën e tij, u tërhoq
në Naxianx, ku nëdrroi jetë në vitin 390. Më 3 janar përkujtohet emri i shenjtë
i Jezusit. U nderua dhe lëvdua nga Kisha qysh në shekujt e parë, por vetëm në shekullin
XIV u zhvillua kulti liturgjik. Shën Shën Bernardini, me ndihmën e vëllezërve të vet,
e pëprhapi shumë këtë devocion, që më në fund u bë festë liturgjike. Në vitin 1530
Papa Klementi VII e autorizoi urdhërin françeskan të recitonte Shërbesën e Emrit të
Shenjtë të Jezusit. Gjon Pali II e vendosi edhe një herë këtë festë më 3 janar në
Kalendarin Romak. Më 4 janar përkujtohet Shën Anxhela e Folinjos, 1248-1309. Përjetoi
disa herë çaste mistike dhe iu përkushtua veprimtarisë apostolike, sidomos ndihmës
ndaj të gërbulurve. Pasi i vdiqën e bashkëshorti dhe fëmijët, u dha të varfërve gjithçka
pati dhe hyri Urdhrin e Tretë Françeskan. Falë shkrimeve të saj të thella, është quajtur
“mjeshtre e teologjisë. Më 5 janar është e diel, festa e Zotit, e diela e dytë
e Krishtlindjes.