2013-12-29 14:44:22

Refugjatët e pleqtë, ‘mërgimtarë’ të ditëve tona. Papa në Engjëllin e Tënzot lutet për familjet e botës


Një mendim për emigrantët dhe refugjatët, viktima të mospranimit, të shfrytëzimit, të tregtimit dhe besimi në afërsinë e dhimbsurinë e Zotit: në lutjen e Engjëllit të Tënzot të së dielës së parë pas Krishtlindjes e në festën e sotme të Familjes së Shenjtë, Papa u lut për të gjithë ata, të cilët i quajti “të mërguar”: nga të arratisurit, tek të moshuarit. Më pas, në sa përgatitet Sinodi i ardhshëm i ipeshkvijve kushtuar familjes, një lutje e posaçme, shkruar nga vetë Papa, dhe një përshëndetje drejtuar besimtarëve të Nazaretit, Barcelonës, Loretos, Madridit e shenjtëroreve të tjera, të lidhura përmes videos, me Romën.

Jezusi deshi të lindte në një familje njerëzore, deshi të kishte një nënë e një baba, duke provuar kushtet dramatike të jetës së mërgimtarëve, plot frikë, paqartësi, ngushtica, që askush të mos ndjehet i përjashtuar nga afërsia plot dhimbsuri e Zotit. Tek këto familje, me miliona, që jetojnë në kushtet e një realiteti tejet të hidhur, shkoi mendimi i Papës, në lutjen e sotme të Engjëllit të Tënzot:
“Në troje të largëta, edhe kur gjejnë punë - e jo gjithnjë - jo gjithnjë të arratisurit e mërgimtarët gjejnë mikpritje të vërtetë, respekt, pranim të vlerave, që sjellin me vete. Dëshirat e tyre të ligjshme ndeshen me situata të ndërlikuara e me vështirësi të panumërta, që nganjëherë duken të pakapërcyeshme”.
Duke kujtuar Jozefin, Marinë e Jezusin në udhën e dhimbshme të mërgimit, në kërkim të një strehe në Egjipt, ku ikën për të shpëtuar nga kërcënimet e Herodit, Papa nënvizoi se gati çdo ditë televizioni e gazetat japin lajme për refugjatët, që ikin të tmerruar nga uria, nga lufta, nga rreziqe të tjera të rënda, në kërkim, tha Papa, të sigurisë e të një jete dinjitoze për vete e për familjet e veta:
“Të mendojmë për dramën e atyre emigrantëve e refugjatëve, që janë viktima të mospranimit, të shfrytëzimit, viktima të tregtisë së njerëzve e të punës prej skllavi. Por të mendojmë edhe për ‘mëgimtarë’ të tjerë, ‘mërgimtarë të padukshëm’, ‘mërgimtarë’, që mund të jenë në gjirin e vetë vatrave, të moshuarit, për shembull, që nganjëherë trajtohen si të ishin barrë e rëndë për familjen. Mendoj shpesh se një nga shenjat, që tregon si shkojnë punët në familje, është mënyra si i trajton fëmijët e pleqtë”.
Zoti, i siguroi Papa besimtarët, është atje, ku njeriu ndodhet në rrezik; atje, ku njeriu vuan; atje, ku ikën, ku mohohet e braktiset. Por, shtoi Ati i Shenjtë, Zoti është edhe atje, ku njeriu ëndërron, shpreson të rikthehet, i lirë, në atdhe, planifikon e zgjedh rrugët më të drejta për vete e për familjarët. Pastaj, ftesa për t’ia ngulur sytë Familjes së Shenjtë e për të parë thjeshtësinë e jetës së saj në Nazaret:
Është shembull, që i bën shumë mirë familjeve tona, i ndihmon të jenë gjithnjë më shumë, bashkësi dashurie e pajtimi, në të cilat provohet dhimbsuria, ndihma e anasjelltë, ndjesa reciproke”.
Papa Françesku kujtoi, e i ftoi edhe besimtarët t’i përsërisin, edhe tri fjalët-kyçe për të jetuar në paqe e në gëzim, në gjirin e familjes:
Kur në familje nuk ka përzjerje në punët e të tjerëve, kërkohet ‘leje’. Kur në familje nuk ka egoizëm, thuhet gjithnjë ‘faleminderit! faleminderit!’. E kur, në familje, ndonjëri kujtohet se ka bërë ndonjë punë të keqe e di të lypë ‘falje’, në këtë familje ka paqe e gëzim”.
Papa Françesku, në vijim, i ikurajoi familjet të fitojnë vetëdijen e rëndësisë që kanë në Kishë e në shoqëri:
Kumtimi i Ungjillit kalon kryesisht përmes familjeve, për të arritur, pastaj, në mjediset e tjera të jetës së përditshme”.
Papa iu lut Marisë e Jozefit ta shndrisin, ta ngushëllojnë, ta prijnë familjen në botë, për ta kryer me dinjitet e paqe misionin, që ia besoi Zoti.
Pas lutjes së Engjëllit të Tënzot, Ati i Shenjtë kujtoi edhe Sinodin e ardhshëm të ipeshkvijve, kushtuar temës së familjes. E pikërisht Familjes së Shenjtë, ia besoi punimet sinodale, duke thënë një lutje kushtuar familjeve të mbarë botës, shkruar nga ai vetë. E në uratë, i lypi Zotit t’i bëjë edhe familjet tona, vatra bashkimi e çenakuj lutjeje, shkolla të vërteta të Ungjillit e Kisha të vogla shtëpiake:“O Familje e Shenjtë e Nazaretit,
premto që në familje
të mos ketë kurrë më
dhunë, errësirë e përçarje:
kushdo qoftë i plagosur a i shkandulluar,
pastë hirin e ngushëllimit e të shëndetit”.
Në përfundim, Papa uroi që Sinodi i ardhshëm i Ipeshkvijve, të ringjallë në zemrat e të gjithëve vetëdijen për karakterin e shenjtë e të padhunueshën të familjes.
Pastaj përshëndeti, ndërmjet tjerësh, besimtarët e videolidhur me Sheshin e Shën Pjetrit nga bazilika Sagrada Familia e Barcelonës, nga Bazilika Shenjtërore e Shtëpisë së Shenjtë të Loretos dhe të gjithë ata që, të mbledhur në të katër anët e botës për kremtime të tjera, sidomos në kremtimin e Madridit, i shikojnë familjet si protagoniste në jetën e njerëzimit.







All the contents on this site are copyrighted ©.