2013-12-29 12:53:39

Kardinali Uilet: tërheqja e Benediktit XVI hapi vërtet një epokë të re në historinë e Kishës


Viti, që po përfundon, mund të quhet vërtet i jashtëzakonshëm për jetën e Kishës. Tërheqja e Benediktit XVI nga shërbimi papnor e zgjedhja e Papës Françesku në fronin e Shën Pjetrit, janë ngjarje që i dhanë mundësi të mëdha Kishës Katolike. Kështu thekson, në mikrofonin tonë, prefekti i Kongregatës për Ipeshkvijtë, kardinali Mark Uilet. Ta dëgjojmë, në bilancin e tij për Radio Vatikanin:
Dorëheqja e Papës Benedikti XVI hapi rrugë të reja. Prandaj, unë mendoj se kjo është ngjarja më e madhe e këtij viti, që po përfundon. Tërheqja e Papës ishte një gjest vërtet i ri. Është risia më e madhe e historisë së Kishës, e cila dëshmoi kështu përvuajtërinë e saj të madhe e, njëkohësisht, edhe besimin e madh në Shpirtin Shenjt për të ardhmen. Duhet t’i jemi shumë mirënjohës Papës Benedikti XVI, sepse ai e hapi këtë horizont dhe bëri të mundur ardhjen e Papës Françesku. Unë besoj se ka vazhdimësi ndërmjet veprave të të dy papëve. Duke parë vitin 2013, mendoj se jemi në një kthesë të rëndësishme në historinë e Kishës, që unë e përshkruaj si baritore e ka të bëjë pikërisht me figurën e Papës Françesku.
Reformat janë pjesë e përjetimit të Ungjillit, karakteristikë e jetës së krishterë, apo jo?
Besoj se ato janë vetë qëndrimi i Papës Françesku; ky vullnet i tij për të pasur një kontakt të ri, më afër Popullit të Zotit. Reforma e parë është kjo: të kapërcehen të gjitha reformat, të gjitha protokollet për të preferuar kontaktin e menjëhershëm, sy më sy. Duke bërë kështu, Papa u jep edhe ipeshkvijve shembullin e një pranie baritore të ngrohtë, të mëshirshme, që sjell ngushëllim e shpresë të re. Në sjelljet e në gjestet e Papës Françesku gjejmë risi e premtime, por ajo që më duket edhe më e rëndësishme është si e ndjen Atin e Shenjtë opinioni publik botëror. Kemi të bëjmë me ungjillëzimin e vërtetë.
Revista amerikane “Time” e shpalli protagonistin e vitit…
Pikërisht. Është shenja e këtij ndikimi, e kësaj nevoje për shpresë të njerëzimit, që e sheh Papën Françesku si pikë referimi. Është një “lajm” i madh, një “lajm” i mirë! Mendoj se të gjithë duhet të gëzohemi.
Papa Françesku ka krijuar një lidhje të drejtpërdrejtë, shumë të bukur, me besimtarët. A ndihet edhe brenda Kuries, në gjirin e Kishës, i njëjti interes për të, që ndihet jashtë mureve të Vatikanit? Si kuptohet mesazhi i Atit të Shenjtë?
Ndjejmë gëzim të madh kur shohim sa popullor është Papa. Është popullaritet i mirë, që nuk bazohet thjesht mbi gjëra sipërfaqësore. Sigurisht, kjo shtron para nesh pyetje e na detyron ta ndryshojmë sjelljen. Ati i Shenjtë dëshiron të reformojë një lloj mendësie klerikale, e cila karakterizohet nga ambicie kishtare e mondane. Lufton karrierizmin! Besoj se kjo i bën shumë mirë Kishës, në të gjitha nivelet, duke filluar nga Kuria Romake. Jemi vërtet në një çast hiri e shpresoj që Shpirti i Shenjtë t’i japë shëndet e t’i sigurojë bashkëpunimin, që i nevojitet për të bërë reformat në Kishë e për ungjillëzimin.
Ju keni qenë një ndër bashkëpunëtorët e ngushtë të Papës Benedikti XVI e tani jenni pranë Papës Françesku. Si e keni përjetuar këtë kalim?
Thjeshtësia e Papës Françesku dhe fakti, që e njihja edhe më parë, e bën bashkëpunimin jashtëzakonisht të mirë. Në harmoni të plotë. Është gëzim i madh për mua të bashkëpunoj me të, ta mbështes në maksimum. Njerëzimi ka nevojë për një figurë atërore, një figurë të afërt; një figurë, që njëkohësisht, të jetë pikë e sigurtë referimi moral, por edhe i ngrohtë, të zgjojë shpresë.







All the contents on this site are copyrighted ©.