2013-12-26 14:08:01

Mesazhi i Krishtlindjes i imzot Lucian Avgustinit


Krishtlindja gëzoi edhe zemrat e besimtarëve të Sapës, të cilët ipeshkvi i tyre, imzot Lucian Avgustini, i ftoi të mblidhen rreth grazhdit të Betlehemit, për të adhuruar Foshnjën Hyjnore e për ta lejuar ta shndërrojë jetën e secilit. Ta dëgjojmë mesazhin e ipeshkvit…RealAudioMP3

T’i lejojmë Hyjit të bëhet i pranishëm në mesin tonë
Letra për Krishtlindje 2013


Një ditë ndërsa po priste disa miq të ditur, mësuesi rabin Mendel Koyk i habiti miqtë e tij duke i pyetur drejtpërsëdrejti: “Ku banon Hyji”. Ato filluan ta përqeshin: “po çfarë thua?”. A thua bota nuk është plot me lavdinë e tij? Atëherë vetë mësuesi iu përgjigj pyetjes së vet: “Hyji banon aty ku i lejohet të bëhet i pranishëm”.

(Martin Buber, “Ecja e Njeriut”)


Meshtarëve, rregulltarëve e rregulltareve,
diakonëve dhe seminaristave
të gjithë besimtarëve dhe njerëzve vullnetmirë

vëllezër e motra,

Krishtlindja është historia e Zotit i cili u bë njeri, është historia e së vërtetës që ka ardhur për t’i liruar zemrat njerëzore nga çdo mashtrim dhe iluzion, ka ardhur t’i dhuron njeriut Shëlbimin. Kujtimi i kësaj ngjarje në këtë vit, pasi që e kemi jetuar Vitin e Fesë, na bën që të pyesim edhe njëherë veten mbi mënyrën e të jetuarit dhe të vepruarit tonë.
Shumë të dashur, në grazhdin e Betlehemit bashkohen qielli e toka. Grazhdi, përfaqëson botën e cila e pranon Shëlbuesin, por është edhe shenja e pranisë dhe dashurisë së Hyjit i cili largon të ftohtin dhe terrin dhe ndriçon mendjen e zemrën. Nga ky vend i bashkimit të qiellit dhe tokës, nga grazhdi i Betlehemit, ne duhet të mësojmë praktikën e jetës sonë: se si duhet të jetojmë, dhe cilës rrugë duhet të ecim.
Foshnja hyjnore e Betlehemit dëshiron të vijë në jetën dhe zemrën tonë për të na zgjuar dhe liruar nga mashtrimet dhe fuqitë e së keqes që koha e sotme po na imponon duke na imponuar mënyra të reja jetësore larg Zotit. “Drita e vërtetë që shndrit çdo njeri erdhi në botë.” (Gjn 1,9), kjo Dritë erdhi për të ndriçuar mendjen dhe zemrën e njerëzimit. Kjo Dritë është Biri i Hyjit, i cili erdhi për të na e zbuluar të vërtetën dhe njohjen e Hyjit. E vërteta është kjo: s’ka njeri pa Zotin. Njeriu nuk mund t’i bjerë mohit Zotit pa i rënë mohit vetvetës.”...Një humanizëm që e përjashton Zotin është një humanizëm çnjerëzor”, (Pali VI) “... larg prej Hyjit, njeriu është i paqetë dhe i sëmurë” (Benedikti XVI).
Hyji e dërgoi Birin e vet ne mesin tonë për dashuri ndaj njeriut, që të mos na le në errësirën e mëkatit. “Vërtet, Ligji u dha nëpër Moisiun, porse hiri dhe e vërteta erdhën nëpër Jezu Krishtin”. (Gjn 1,17). Jezu Krishti na e dha vetëm një ligj të cilin në qoftë se e pranojmë dhe besojmë na e jep zotësinë të bëhemi bijtë e Hyjit. Ky ligj është ligji i dashurisë ndaj Hyjit dhe njeriut. Në emër të këtij ligji, Biri i Hyjit, ka ardhur që t’ia kthejë njeriut dinjitetin dhe t’i thotë se askush nuk mund t’i merrë atë me çka vetë Krijuesi e ka paisur, d.m.th. me dinjitetin e bijësisë hyjnore.
Krishtlindja ka kuptim vetëm atëherë kur personalisht takohemi me Krishtin e gjallë. Vetëm në këtë mënyrë, na zbulohet misteri i madh i Betlehemit, kur ne takohemi me Krishtin. “Gëzimi i ungjillit mbush zemrën dhe krejt jetën e atyre që takohen me Jezusin. Atyre që e lënë veten të shpëtohen nga Ai janë të lirë nga mëkati, nga trishtimi, nga boshlleku i brendshëm, nga izolimi. Me Jezu Krishtin lind dhe rilind gjithmonë gëzimi. (Papa Françesku “Evangelii gaudium” Nr. 1)
Zoti dëshiron të hyjë në botën që është e tija, por dëshiron ta bëjë këtë përmes njeriut: ja çelësi i gëzimit dhe lumturisë së vërtetë, të lejosh që Hyji të bëhet i pranishëm. Por mund të bëhet i pranishëm vetëm atje ku Ai është, atje ku vërtetë gjendet, atje ku jetohet. Nëse krijojmë një marrëdhënie të shenjtë me botën dhe të mirat që na janë besuar, nëse ne, ndihmojmë vëllaun në vuajtje, atëherë i përgatisim Hyjit një banesë në zemrën dhe jetën tonë, atëherë lejojmë që Hyji të bëhet i pranishëm në mesin tonë.
Vëllezër dhe motra, “Vetëm në marrëdhënie personale me Krishtin, vetëm në takim me të, bëhemi vërtetë të krishterë. Kështu hapet arsyeja jonë, na hapet gjithë urtia e Krishtit e gjithë pasuria e së vërtetës. Prandaj t’i lutemi Zotit të na ndriçojë, t’i dhurojë botës sonë takimin me praninë e Tij: e kështu, të na japë një fe të gjallë, një zemër të hapur, një dashuri të madhe për të gjithë, të aftë për t’ia ndryshuar faqen botës” (Benedikti XVI).
Papa Françesku në nxitjen apostolike “Evangelii gaudium” që na e dhuroi para pak kohe na porosit: “Kisha është e thirrur të jetë gjithmonë shtëpia e hapur e Atit. ... është shtëpia atërore ku ka vend për secilin me jetën e tij të vështirë” (47). Nëse diçka duhet të na shqetësojë e të merakosë ndërgjegjen tonë, është se shumë nga vëllezërit tanë “jetojnë pa miqësinë e Jezusit” (49). Duhet të gjejmë guximin dhe fuqishëm ti thërrasim edhe të tjerët, ejani të shkojmë edhe ne, ta takojmë Krishtin Zot i cili ndryshon jetën.
Dëshiroj që nëpërmjet këtij urimi të jem me zemër dhe uratë afër të gjithëve besimtarëve të Dioqezit të Sapës, posaçe afër të sëmurëve e të varfërve, familjeve, bashkëshortëve në vështirësi dhe rrezik të ndarjes, atyre që janë larg Kishës, të papunëve, të rinjve, fëmijëve dhe të gjithë njerëzve vullnet mirë, me dëshirën dhe urimin që të gjithë të krijojmë miqësi me Jezusin, mos t’ja mbyllim derën Zotit por ta pranojmë sepse Hyji banon aty ku i lejohet të bëhet i pranishëm.
I uroj gjithsecilit që të përjetojë takimin personal me Hyjin e mishëruar e ky takim të sjellë në jetë gëzimin, fuqinë dhe dashurinë për të ndërtuar të ardhmen tonë, me urimet më të sinqerta Ju uroj, lumturi dhe bekime prej Jezu Krishtit, Foshnjës hyjnore!

Për shumë vjet Krishtlindja dhe bekime e lumturi në Vitin e Ri që po vjen!

Bariu i juaj

Imzot Lucjan Avgustini








All the contents on this site are copyrighted ©.