2013-12-26 14:14:42

Intervista me Atë Spadaron


Në bisedën me Atë Spadaron, Papa Françesku tregon për shijet e veta artistike në fushën e letërsisë, të pikturës dhe të muzikës. Përmend Dostojevskin, Hëlderlinin, Manxonin, Hopkinsin, Karavaxhon, Shagalin, Moxartin, Bethovenin, Wagnerin, etj. Por edhe kinemaja është e ka shoqëruar Jorge Bergoglion përgjatë përvojave të tij estetike. Ja si shprehet Ati i Shenjtë:

“Duhet të flasim edhe për kinemanë. Rruga nga Fellini është filmi që ndoshta më ka pëlqyer më shumë. Gjej veten në atë film, në të cilin gjendet një lidhje e pathënë me Shën Françeskun. Pastaj besoj se kam parë të gjithë filmat me Anna Magnani-n e Aldo Fabrizi-n, kur kam qenë 10-12 vjeçar. Një tjetër film që më ka pëlqyer shumë është Roma qytet i hapur. Për kulturën kinematografike u detyrohem mbi të gjitha prindërve të mi, që na çonin shpesh në kinema”.
“Sidoqoftë, në përgjithësi më pëlqejnë artistët tragjikë, veçanërisht më klasikët. Servantesi vë në gojën e studentit Karrasko një përkufizim të bukur, për t’i thurur lavde historisë së Don Kishotit: ‘fëmijët e mbajnë në duar, rinia e lexon, të rriturit e kuptojnë, pleqtë i thurin lavde’. Sipas meje ky mund të jetë një përkufizim i mirë për klasikët”.
E kuptoj se më kanë përthithur këta referenca të tijat dhe dëshiroj të hyj në jetën e tij, duke kaluar nga dera e shijeve të tija artistike. Mendoj se do të ishte një rrugë e gjatë. Do të përfshinte edhe kinemanë, që nga neorealizmi italian deri tek Dreka e Babetës. Më vijnë ndër mend autorë e vepra të tjera, edhe më të vegjël, më pak të njohur ose lokalë, të cituar prej tij në raste të tjera: nga Martin Fierro i José Hernández-it tek poezia e Nino Costa-s, tek Eksodi i madhi i Luigi Orsenigo-s. Por kam ndër mend edhe Joseph Malègue-un dhe José María Pemán-in. Dhe sigurisht Dante e Borges, por edhe Leopoldo Marechal, autor i Adán Buenosayres, El Banquete de Severo Arcángelo e Megafón o la guerra.
Kam ndër mend veçanërisht Borgesin, sepse Bergoglio njëzetetetë vjeçar, profesor i letërsisë në Santa Fe, pranë Kolegjit të Zojës së Papërlyer e pati njohur personalisht. Bergoglio jepte mesin në dy vitet e fundit të liceut dhe u mësonte nxënësve të tij krijimtarinë shkrimtare. Kur kam qenë në atë moshë kam pasur të njëjtën përvojë si të tijën dhe kam themeluar BombaCarta, në Istituto Massimo të Romës, të cilën ia tregoj. Në fund i kërkoj Papës të më tregojë përvojën e tij.
“Qe diçka pak e rrezikshme – përgjigjet –. Duhej të bëja diçka, që nxënësit e mi të studionin El Cid. Por të rinjve nuk u pëlqente. Kërkonin të lexonin García Lorca-n. Atëherë vendosa t’i lejoja ta studionin El Cid në shtëpi, ndërsa gjatë mësimeve do të merreshim me autorët që u pëlqenin më shumë të rinjve. Kuptohet, të rinjtë dëshironin të lexonin vepra letrare më “djegëse”, bashkëkohore, si La casada infiel, ose klasiket, si La Celestina e Fernando de Rojas. Por, duke lexuar këto gjëra, që i tërhiqnin për një çast, e shijonin edhe më shumë letërsinë, poezinë, dhe kalonin tek autorët e tjerë. Për mua ka qenë një përvojë e rëndësishme. E plotësova programin, por në mënyrë të destrukturuar, pra jo sipas renditjes së parashikuar, por sipas një rendi që vinte natyrshëm me leximin e autorëve. E ky modalitet më përkonte shumë: nuk më pëlqente të bëja një programim të ngurtë, por të dija ku doja të arrija, pak a shumë. Atëherë fillova edhe t’i bëja të shkruanin. Në fund vendosa t’i jepja Borges-it të lexonte dy tregime të nxënësve të mi. Njihja sekretaren e tij, që kishte qenë mësuesja ime e pianofortes. Borges-it i pëlqyen shumë. E atëherë ai propozoi të shkruante parathënien për botimin e një përmbledhjeje”.
“Atëherë, Atë i Shenjtë, për jetën e një njeriu krijimtaria është e rëndësishme?”, e pyes. Ai qesh e më përgjigjet: “Për një jezuit është jashtë mase e rëndësishme! Jezuiti duhet të jetë krijues”.








All the contents on this site are copyrighted ©.