2013-12-25 12:43:28

Mesazh i Papës për Krishtlindje: paqe për mbarë botën; ta lëmë Zotin të na prekë me dashurinë e Tij!(tekst i plotë)


“Lumni Zotit në më të lartin qiell,
e përmbi tokë paqe njerëzve, që Ai i do”(Lk 2,14).
Të dashur vëllezër e motra të Romës e të botës, mirëmëngjesi e gëzuar Krishtlindjen!
Bëj timen këngën e engjëjve, që iu dukën barinjve të Betlehemit natën kur lindi Jezusi. Një këngë, që bashkon qiell e tokë, duke i drejtuar qiellit nder e lavdi e tokës së njerëzve, urimin e paqes.
I ftoj të gjithë të bashkojnë zërat në këtë këngë: kjo këngë i përket çdo burri e çdo gruaje, që rri zgjuar këtë natë, që shpreson në një botë më të mirë, që kujdeset për të tjerët, duke u përpjekur për të kryer përvujtërisht detyrën e tij.
Lumni Hyjit!
Për këtë, para së gjithash, na bën thirrje Krishtlindja: t’i japim lumni Zotit, sepse është i mirë, është besnik, është i mëshirshëm. Në këtë ditë uroj që të gjithë ta njohin fytyrën e vërtetë të Hyjit, Atit, që na dhuroi Jezusin. Uroj që të gjithë ta ndjejnë se Zoti është pranë, të rrinë në praninë e Tij, ta duan, ta adhurojnë.
E secili nga ne t’i japë lumni Hyjit, posaçërisht me jetë, me një jetë të shkrirë nga dashuria për Të e për vëllezërit.
Paqe njerëzve!
Paqja e vërtetë nuk është ekuilibër ndërmjet forcave kundërshtare. Nuk është ‘fasadë’ e bukur, pas së cilës fshihen kontraste e përçarje. Paqja është impenjim i përditshëm. Paqja është edhe Krishtlindje. Çohet përpara, duke u nisur nga dhurata e Zotit, nga hiri që na dha në Jezu Krishtin.
Duke kundruar Foshnjën në shpellë, Foshnjën e paqes, mendojmë për fëmijët, viktimat më të brishta të luftërave, por mendojmë edhe për pleqtë, për gratë e keqtrajtuara, për të sëmurët... Luftërat shkatërrojnë e plagosin shumë jetë!
Tepër shkatërroi kohët e fundit konflikti në Siri, duke ndezur urrejtje e hakmarrje. Vijojmë ta lusim Zotin që t’i kursehen popullit të dashur sirian vuajtje të reja, që palët në konflikt t’i japin fund çdo dhune e të garantojnë hyrjen e ndihmave humanitare. E pamë sa e fuqishme është lutja! E jam i kënaqur që sot bashkojnë zërat në lutjen tonë për paqe në Siri, edhe besimtarët e konfesioneve të ndryshme fetare. Nuk duhet ta humbasim kurrë guximin e lutjes. Guximin për të thënë: O Zot, na e jep paqen për Sirinë e për botën mbarë. Edhe jo besimtarët i ftoj ta dëshirojnë paqen, me dëshirën e tyre, që e zgjeron zemrën: të gjithë, të bashkuar, me lutje o me dëshirë, për paqen!
Jepi paqe Republikës Qendroafrikane, shpesh herë e harruar nga njerëzit. Po Ti, o Zot, nuk harron askënd! Çoje paqen edhe në këto troje, të copëtuara nga spiralja e dhunës dhe e mjerimit, ku shumë njerëz nuk kanë strehë, ujë, ushqim, nuk kanë as më të voglën gjë, që duhet për të jetuar. Ndihmoje të pajtohet Sudanin e Jugut, ku tensionet aktuale shkaktuan viktima të shumta e kërcënojnë bashkëjetesën paqësore të këtij Shteti të ri.
Ti, Princ i paqes, shndërroji kudo zemrat e njerëzve të dhunshëm, që t’i lëshojnë armët e t’i hapin rrugën dialogut. Shikoje Nigerinë, copëtuar nga sulmet e vazhdueshme, që nuk i kursejnë njerëzit e pafajshëm e as të pambrojturit. Bekoje Tokën, që e zgjodhe për të ardhur në botë e bëj të përfundojnë me sukses bisedimet e paqes ndërmjet izraelitëve e palestinezëve! Shëroji plagët e Irakut të dashur, të goditur në zemër nga një mori atentatesh!
Ti, o Zot i jetës, mbroji të gjithë ata, që persekutohen për shkak të emrit Tënd. Jepu shpresë e ngushëllim të shpërngulurve e refugjatëve, posaçërisht në Bririn e Afrikës e në lindje të Republikës Demokratike të Kongos.
Premto që emigrantët, në kërkim të një jete dinjitoze, të gjejnë mikpritje e ndihmë. Tragjeditë, që kemi parë këtë vit, me një numër të madh të vdekurish në Lampeduzë, mos ndodhshin kurrë më!
O Foshnjë e Betlehemit! Prekua zemrat atyre, që merren me tregtinë e njerëzve, që ta kuptojnë sesa i rëndë është ky krim kundër njerëzimit; silli sytë e Tu drejt fëmijëve, që rrëmbehen, plagosen e vriten në konflikte të armatosura e drejt atyre, që shndërrohen në ushtarë, duke u rrëmbyer edhe fëmijërinë.
O Zot i qiellit e i tokës, shikoje Planetin tonë, të cilin shpesh lakmia e pangopësia e njerëzve e shfrytëzon mbarë e mbrapsht. Ndihmoi e mbroji ata, që janë viktima të fatkeqësive të natyrës, posaçërisht popullin e dashur të Filipineve, dëmtuar rëndë nga tufani i kohëve të fundit.
Të dashur vëllezër e motra, në këtë botë, në gjirin e njerëzimit të sotëm, lindi Shëlbuesi, Krishti Zot! Të ndalemi para Foshnjës së Betlehemit. Ta lëmë zemrën të preket. Kemi frikë se zemra jonë do të preket. Po kemi edhe nevojë të prekemi! Ta lëmë, pra, zemrën të preket, të ngrohet nga dhimbsuria e Zotit; sa nevojë kemi për ledhatimet e Tij! Përkëdheljet e Zotit nuk hapin plagë.
Zoti është i madh në dashuri, Atij i qoftë lavd e nder në shekuj të shekujve!
Zoti është paqe: t’i kërkojmë të na ndihmojë për ta ndërtuar paqen ditë për ditë, në jetën tonë, në familjet tona, në qytetet e kombet, në botën mbarë. Ta lëmë Zotin të na i prekë zemrat, me mirësinë e Tij!








All the contents on this site are copyrighted ©.