2013-12-25 13:45:15

Krishtlindje në Betlehem. Patriku Tual: Çdo njeri është Tokë e Shenjtë


Në Tokën e Shenjtë Patriku Latin i Jeruzalemit, Fuad Tual, kryesoi Meshën e Natës së Krishtlindjes, në Bazilikën e Lindjes së Krishtit, në Betlehem. Të shumtë shtegtarët, ardhur nga të katër anët e botës, për kremtimin e këtij Solemniteti, pikërisht në vendin, ku u mishërua Zoti. Në homeli, Patriku bëri thirrje për zgjidhje të drejtë të konfliktit izraelito-palestinez.
Në rit morën pjesë presidenti i Autoritetit Kombëtar Palestinez, Abu Mazen dhe kryetarja e diplomacisë evropiane, Catherine Ashton. Ishte festë e kremtuar në gjirin e një populli shumë të vuajtur, si ai palestinez, posaçërisht, si të krishterët e këtyre viseve, siç theksoi, në urimet e tij, edhe Patriku Latin i Jeruzalemit, imzot Fuad Tual:

Përgjigje: - Duke pasur parasysh atë që ndodh në Lindjen e Mesme, kemi përshtypjen se urimet tona janë thjesht formalitet e nuk kanë kuptim. Në të vërtetë, jemi të lodhur… Të lodhur nga politika, të lodhur nga gjendja ekonomike, nga situata çnjerëzore në të cilën jetojnë shumë familje, fëmijë, gra, të rinj e të reja, që vuajnë tepër. Ja Krishtlindja e paqes, Krishtlindja e gëzimit, Krishtlindja e dhuratave… unë ju kërkoj të mendoni për fëmijët, që nuk dinë ç’është Krishtlindja, që nuk e ndjejnë kurrë gëzimin e Krishtlindjes, as gëzimin e një strehe mbi kokë, të një dhurate, të një ledhatimi njerëzor.

Pyetje: - Mesazhi juaj për këtë Krishtlindje?
Përgjigje: - Që dashuria jonë për të afërmin të jetë pa asnjë interes. Të gjithë mund të bëjmë diçka. Unë nuk besoj se ka ndonjë njeri aq të varfër, sa të mos ketë asgjë për t’u dhënë të varfërve të tjerë; e nuk besoj as se ka të pasur, që nuk kanë nevojë për të varfërin. Krishti na pret. Vjen përsëri në këtë Këshndellë. E, ju lutem, mos e harroni kurrë ju, të gjithë, se Zoti lindi në Betlehem, por se dëshiron të lindë në zemrën e secilit nga ne, sepse në zemrën e secilit është një Tokë Shenjte, ku Zoti dëshiron të lindë e të rritet. Ju lutem, mos na harroni në uratë. Lutuni për ne. Edhe ne të Tokës Shenjte, do të lutemi për ju të gjithë. Amen!







All the contents on this site are copyrighted ©.