Përurohet Shpella e Betlehemit në Sheshin e Shën Pjetrit. Kardinali Sepe: Krishtlindja
sjelltë paqe e drejtësi
U përurua sot, në orën 17.00, në Sheshin e Shën Pjetrit, me notat e “O Dielli im”
luajtur nga banda muzikore e Vatikanit, Shpella e Betlehemit, dhuratë nga kardinali
Kreshencio Sepe për Papën. Në orën 18.00, kardinali Komastri ndezi, në emër të Papës,
dritën e paqes. Në përfundim të kremtimit, lidhja me Betlehemin. Sivjet Shpella
e Betlehemit, e vendosur si zakonisht tek këmbët e Obeliskut, në kornizën e shkëlqyer
të Kolonatit berninian, titullohet: “Françesku 1223-Françesku 2013”. Hera e parë që
Sheshi i Shën Pjetrit shikon një Shpellë Betlehemi napoletane. E, duke u nisur nga
atmosfera e kësaj Shpelle, kardinali i Napolit, Kreshencio Sepe, i drejton
botës urimet e dioqezës së tij:
Përgjigje: - Nga njëra anë,
uroj një Krishtlindje plot shpresë: ky Zot, që vjen, na sjelltë shpresë, na sjelltë
pakëz paqe, na sjelltë, posaçërisht, pakëz drejtësi në këto troje të helmatisura.
Duam t’u përcjellim të gjithëve mesazhin të mos dorëzohemi, të e lëshojmë veten në
krahët e pesimizmit, pa harruar përgjegjësinë, që kemi të gjithë, përballë realitetit:
Kishë, institucione, të gjithë njerëzit vullnetmirë, që të punojnë për t’i hapur jetës
një rrugë të re. Të mos e shikojmë, prandaj, shpresën si ëndërr të parealizueshme.
E të japim shenja shprese!
Sivjet në Sheshin e Shën Pjetrit, në Vatikan,
nisi tashmë të soditet një kompleks artistik dhe arkitektonik, krijuar e realizuar
nga artisti napoletan Antonio Kantone, së bashku me bashkëshorten e tij, Maria Kostabile,
ndërsa vendosja u koordinua nga skenografi, profesor Antonio Di Tuoro. Ngjarje
e jashtëzakonshme, sepse është hera e parë që artizanati artistik napoletan ka privilegjin
të ekspozohet në një vitrinë ndërkombëtare, absolutisht të veçantë, si Sheshi i Shën
Pjetrit, ku besimtarët dhe turistët e mbarë botës, do të kenë mundësi t’i admirojnë
e t’i vlerësojnë aftësitë e mëdha artistike e gjenialitetin e zejtarëve napoletanë.
Napoli, që sot vuan e ndjehet keq për shumë arsye, paraqitet tani para skenës ndërkombëtare
me një nga karakteristikat e tij më të shkëlqyera tradicionale artistike. Ideja, që
i udhëhoqi artistët Kantone e Kostabile, ishte të vendosnin në Shpellën e Betlehemit
shtatore të gjata dy metra, për t’u parë edhe nga larg. Janë 16 figura, realizuar
sipas pamjes së barinjve napoletanë, me kokë e gjymtyrë prej terrakote polikrome,
sy kristali e veshje pëlhure. Realizojnë kompozime, që të kujtojnë ato të shtatëqindës,
përgatitur pikërisht për kishat. Po ju njohim me personazhet e kësaj skene kaq
të posaçme, që mund të soditet nga e gjithë bota njëherësh. Janë Shën Jozefi, Maria
e Foshnja Hyjnore; një gajdexhi që i fryn gajdes; Mbretërit Dijetarë, dy figura fshatarësh,
njëri nga të cilët, me kapuç; një fisnik lindor; një i varfër, një plakë e një cigane,
që rrok krishterimin, para Krishtit Fëmijë; një vogëlushe e shoqëruar nga një i ri
dhe një fshatar i vogël. Vendosen në një kornizë, që të kujton mjediset fshatarake
të Kampania Felix e cila, për faj të disave, quhet sot ‘toka e zjarreve’. Figurat
vendosen në mënyrë që në qendër të jetë Foshnja Hyjnore, e rrethuar nga njerëz të
popullit, veshur thjesht, në adhurim. Të vetmet figura veshur me salltanet, janë Mbretërit
Dijetarë. Posaçërisht e studiuar, skenografia, projektuar nga profesor Antonio
Di Tuoro, i cili është kujdesur që Shpella e Betelehemit të mund të admirohet nga
të gjitha këndvështrimet, në 360°. Një atmosferë e ngrohtë ndehet mbi gjithë Shpellën,
falë teknikës së përdorur për ndriçimin, që luan me ditë-hijet, pa u ndjerë fare prania
e llampave. Edhe sivjet Shpella e madhe e Betlehemit, vendosur në zemër të krishterimit,
u realizua falë ndihmës së disa bamirësve, duke i kufizuar në kulm shpenzimet në ngarkim
të Governatoratit. Studioja e punimeve artizanale Kantone e Kostabile, me seli
në Napoli, vijon traditën napoletane të artit të Shpellave të Betlehemit, duke krijuar,
me art, figura, që bëjnë pjesë, pastaj, në koleksione të famshme, në Itali e jashtë
saj.