2013-12-24 14:04:57

"O e qeta Natë": historia, teksti, muzika


Në këto ditë të mëdha, në atmosferen Krishtlindjes 2013, dëgjojmë përsëri në radio, në televizion, në Kisha, pranë Betlehemit, tingujt dhe fjalët e këngës së famshme “Stille Nacht” - “O e qeta natë”. Po cili është historiku i krijimit të kësaj kënge, ndër më të famshmet e më të përhapurat në mbarë botën?RealAudioMP3
Fjalët u shkruan natën e Këshëndellave 1818, nga meshtari Joseph Mohr (1792-1848), ndihmës famullitar në Oberndor të Salsburgut (Austri).
Në të njëjtën natë u muzikuan nga Franc Xavier Gryber(1787-1863), organist i qytezës së afërme, Arsndorf.
Sipas dëshirës së Mohr, motivi muzikor qe punuar për dy zëra, shoqëruar nga kori dhe kitarra.
Mohr vetë e këndoi motivin dhe e shoqëroi me kitarrë, ndërsa Gryber bëri pjesën e basit.
Fjalët dhe motivi muzikor u përhapen menjëherë, aq sa kënga u bë “Himn i përbotshëm i Krishtlindjes”.
Autorët e këngës nuk figurojnë në asnjë Encikopedi të madhe, ndoshta sepse “Stille Nacht” është i vetmi krijim i tyre. Por shumë muzikantë të shquar, emrat e të cilëve gjenden në të gjitha Enciklopeditë, kanë deklaruar se do t’i jepnin me gjithë zemër tërë kryeveprat e tyre, për të qenë autorë të kësaj ninulle hyjnore, melodia e së cilës është e njohur nga njerëz të të gjitha moshave, të të gjitha kombësive.
Shumë shpejt kjo këngë nisi të këndohej edhe në Shqipëri. Ishte fillimi i shekullit, kur Atë Vinçenc Prennushi, françeskan, i prekur thellë nga bukuria e këngës, e përktheu dhe “O e qeta natë” u këndue për herë të parë në Kishen Françeskane të Gjuhadolit në kremtimin e Krishtlindjes së vitit 1920.
Po ju njohim me tekstin e Atë Vinçencit, një nga përkthimet më lirike, më prekëse e më origjinale të këngës:
Flej, o Qielluer,
Zojes në krahnuer.
Flej, mos kjaj,
ndale at’vaj.
Gjumi t’vjen, por ty s’t’bahet me fjetë,
pse n’do kashta t’rrin trupi Ty p’shtete.
Jezus për p’shtim të gjithë neve,
Jezus për p’shtim të gjithë neve.
Ty Zoja Mri,
Ty gjithë dashtëni,
rrin tuj t’ruejtë,
ambël prujtë,

Ditë do t’vinë, O shelbues, me u mekë;
Ka me të ra mbi një krygje ty me dekë !

Jezus për p’shtim të gjithë neve,
Jezus për p’shtim të gjithë neve!
Pas françeskanit, e përktheu, me shumë besnikëri ndaj tekstit, edhe jezuiti i mirënjohur, atë Pjetër Meshkalla. Këtë tekst mund ta lexoni në faqen tonë të internetit.
Le të jehojë, pra, me fjalët shqipe të të dy rregulltarëve, të dy martirë, kjo kryevepër botërore, në kishat tona që këtë vit, për të 22-tën herë mbas dekadave pa Këshëndella, shtruan kashten shqiptare në grazhdet e Betlehemeve, për të pritur Shëlbuesin, duke ia kënduar nina-nanen në gjuhën tonë.


STILLE NACHT
Natë e qetë; Nate e Shenjtë
(Sipas përkthimit të Atë Pjetër Mëshkallës)

Nat’ e qetë, Nat e shejtë,
Krishti lum sot ka le;
Shih si qeshet e bukur f’tyr’,
Me sy t’ambel mbar shekullin k’qyer’
Flej, o i bukuri, flej
Flej, se shpresa je Ti.

Nat’ e qetë, Nat’ e shejtë
Krishti f’mijë i Zoj’s Mari
Qe, në prehen sa mir’ po i rri,
Ejt’këndojnë me brohori:
Erdh i lumi Mesi
Erdh i lumi Mesi.

Nat’ e qetë, Nat’ e shejtë,
Me shpejti vijnë barijt
Me shikue k’te bukuri,
Me ardhrue njik’te fëmijë
Krishti plot dashuri,
Krishti plot dashuri!
SHENJTJA NATË, E LUMJA NATË!

Krejt janë fjetë
Veç kanë mbetë
Shën Jozefi e Zoja Mrí,
Rahatojnë të bukrin Fëmí.
Flejë me t’ ambël gjumë,
Flej me t’ ambël gjumë!

Shenjtja natë, e bukra natë,
Krishti Fëmijë i Zojës Mrí,
Qe, në prehen sa mirë po i rri,
Ejt këndojnë për bukurí:
“Erdh i lumi Mesí,
Erdh i lumi Mesí!”

Shenjtja natë, e lumja natë,
Me shpejtí - vijnë barí,
Me shikjue kët bukurí
Me adhrue njëket Fëmí:
Krishtin plot dashtëní,Krishtin plot dashtëní!










All the contents on this site are copyrighted ©.