2013-12-24 13:58:03

Nata e Krishtlindjes: Mesha me Papën Françesku, në Bazilikën e Shën Pjetrit, në orën 21.30


Papa Françesku do të kryesojë Meshën e parë të Natës së Krishtlindjes sonte, duke nisur nga ora 21.30. Kremtimi do të hapet me këngën e Kalendës, kumtim i Krishtlindjes, që përmbledh me shkëlqim të veçantë, përmbushjen e pritjes universale të Ardhjes së Zotit. Në përfundim të Kalendës, do të nisë procesioni i hyrjes, i shoqëruar nga Gloria, kënga e lavdisë, kumbimi i këmbanave të Bazilikës e tingujt e organos. Në këtë çast Ati i Shenjtë do të zbresë nga kangjellat e elterit të Dëshmimit, për të vendosur shtatoren e Foshnjës Hyjnore në grazhd, në fronin e zakonshëm. Në përfundim të kremtimit eukaristik, Papa do ta marrë në dorë shtatoren e Ferishtes Hyjnore e do ta çojë, me procesion, tek Shpella e Betlehemit e Bazilikës. Atje fëmijët do t’i dhurojnë Krishtit Fëmijë lule të freskëta. Do të jenë dhjetë fëmijë, përfaqësues të kontinenteve të ndryshme.
Gjatë uratëve, besimtarët do të luten posaçërisht për të persekutuarit për shkak të fesë, që të marrin forcë nga Mishërimi i Fjalës së Hyjit, me bindjen se Zoti të shpëton gjithnjë nga armiqtë. Nesër, në orën 12.00, Papa do t’u drejtojë, nga lozha qendrore e Bazilikës, Mesazhin tradicional të Krishtlindjes besimtarëve të pranishëm në Sheshin e Shën Pjetrit si dhe të gjithë atyre, që do ta ndjekin përmes radios e televizionit, duke dhënë Bekimin Urbi et Orbi – Romës e Botës.







All the contents on this site are copyrighted ©.