2013-12-23 17:45:50

Shpella e Betlehemit 2013, në Sheshin e Shën Pjetrit


Sot, në orën 12.00 Papa Françesku priti në audiencë private kardinalin Sepe, shoqëruar nga një delegacion i Kuries Kryeipeshkvnore, Rajonit, Studios Zejtare Kantone Kostabile e Shoqërisë për rregullimin e Shpellave të Betlehemit.
Sivjet në Sheshin e Shën Pjetrit, në Vatikan, do të soditet një kompleks artistik dhe arkitektonik, dhuruar nga Studioja kardinalit Kreshencio Sepe, kryeipeshkëv i Napolit, i cili, nga ana e tij, ia dhuroi Papës.
Kryeipeshkvi i Napolit ia paraqiti Papës dhuratën artistike, krijuar e realizuar për Sheshin e Shën Pjetrit nga artisti napoletan Antonio Kantone, së bashku me bashkëshorten e tij, Maria Kostabile, ndërsa vendosja u koordinua nga skenografi, profesor Antonio Di Tuoro.
Ngjarje e jashtëzakonshme, sepse është hera e parë që artizanati artistik napoletan ka privilegjin të ekspozohet në një vitrinë ndërkombëtare, absolutisht të veçantë, si Sheshi i Shën Pjetrit, ku besimtarët dhe turistët e mbarë botës, do të kenë mundësi t’i admirojnë e t’i vlerësojnë aftësitë e mëdha artistike e gjenialitetin e zejtarëve napoletanë. Napoli, që sot vuan e ndjehet keq për shumë arsye, paraqitet tani para skenës ndërkombëtare me një nga karakteristikat e tij më të shkëlqyera tradicionale artistike. Ideja, që i udhëhoqi artistët Kantone e Kostabile, ishte të vendosnin në Shpellën e Betlehemit shtatore të gjata dy metra, për t’u parë edhe nga larg. Janë 16 figura, realizuar sipas pamjes së barinjve napoletanë, me kokë e gjymtyrë prej terrakote polikrome, sy kristali e veshje pëlhure. Realizojnë kompozime, që të kujtojnë ato të shtatëqindës, përgatitur pikërisht për kishat.
Po ju njohim me personazhet e kësaj skene kaq të posaçme, që mund të soditet nga e gjithë bota njëherësh. Janë Shën Jozefi, Maria e Foshnja Hyjnore; një gajdexhi që i fryn gajdes; Mbretërit Dijetarë, dy figura fshatarësh, njëri nga të cilët, me kapuç; një fisnik lindor; një i varfër, një plakë e një cigane, që rrok krishterimin, para Krishtit Fëmijë; një vogëlushe e shoqëruar nga një i ri dhe një fshatar i vogël.
Vendosen në një kornizë, që të kujton mjediset fshatarake të Kampania Felix e cila, për faj të disave, quhet sot ‘toka e zjarreve’.
Figurat vendosen në mënyrë që në qendër të jetë Foshnja Hyjnore, e rrethuar nga njerëz të popullit, veshur thjesht, në adhurim. Të vetmet figura veshur me salltanet, janë Mbretërit Dijetarë.
Posaçërisht e studiuar, skenografia, projektuar nga profesor Antonio Di Tuoro, i cili është kujdesur që Shpella e Betlehemit të mund të admirohet nga të gjitha këndvështrimet, në 360°.
Një atmosferë e ngrohtë ndehet mbi gjithë Shpellën, falë teknikës së përdorur për ndriçimin, që luan me dritë-hijet, pa u ndjerë fare prania e llampave.
Edhe sivjet Shpella e madhe e Betlehemit, vendosur në zemër të krishterimit, u realizua falë ndihmës së disa bamirësve, duke i kufizuar në kulm shpenzimet në ngarkim të Governatoratit.
Studioja e punimeve artizanale Kantone e Kostabile, me seli në Napoli, vijon traditën napoletane të artit të Shpellave të Betlehemit, duke krijuar, me art, figura, që bëjnë pjesë, pastaj, në koleksione të famshme, në Itali e jashtë saj.








All the contents on this site are copyrighted ©.