Papa: për Krishtlindje, t’i bëjmë vend Jezusit, në vend të shpenzimeve e të zhurmave
Për Krishtlindje, ashtu si Maria, t’i bëjmë vend Jezusit, që vjen. Këshilla e Papës
Françesku në meshën e sotme, në Shtëpinë e Shën Martës, u kujton të krishterëve frymën,
me të cilën duhet jetuar lindja e Foshnjës Hyjnore. Kisha është në pritje, nënvizoi
Ati i Shenjtë, ashtu si Maria, që mezi ç’pret ta shohë në fytyrë birin e saj. Edhe
ne, si Kishë, e shoqërojmë Zojën në këtë kohë, duke pritur me padurimin e saj. Zoti
vjen dy herë, theksoi Papa. Tani përkujtojmë lindjen e Tij fizike, por Hyji do të
vijë sërish në fundin e kohëve. Ka edhe një ardhje të tretë, siç pohon Shën Bernardi,
citoi Ati i Shenjtë: “Ka një ardhje të tretë të Zotit: ajo e çdo dite. Hyji
i bën vizitë çdo ditë Kishës së Tij! Viziton secilin prej nesh e shpirti ynë bëhet
më i ngjashëm me Të: shpirti ynë i ngjan Kishës, shpirti ynë i ngjan shën Marisë.
Etërit e shkretëtirës thonë se Maria, Kisha e fryma(shpirti) jonë janë femërore e
ç’mund të thuhet për njërën, mund të thuhet edhe për tjetrën. Shpirti ynë është në
pritje, në pritje për ardhjen e Hyjit; zemër e hapur që e thërret: “Eja, o Zot!” E
Shpirti Shenjt e nxit secilin prej nesh, vazhdoi Papa Françesku, që këto ditë të lutet,
duke thënë “Eja! Eja!”. Gjatë Kohës së Ardhjes kemi qenë gjithnjë zgjuar, si Maria.
Kjo vigjilencë është virtyt i shtegtarit. Të gjithë jemi shtegtarë, tha Papa: “E
pyes: jemi në pritje, apo të mbyllur në vetvete? Jemi vigjilentë, apo të sigurtë në
ndonjë hotel, që kemi hasur gjatë udhës e nuk duam të ecim më përpara? Jemi shtegtarë,
apo endacakë? Prandaj Kisha na fton të lutemi me fjalën ‘Eja!’, sepse kështu ia hapim
portat zemrës dhe e mësojmë shpirtin të jetë në pritje. Të vigjëlojë! …Ç’ndodh me
shpirtin tonë, kur Zoti vjen e ç’ndodh kur nuk vjen? Ka vend për Zotin, apo ka vend
vetëm për festë, për shpenzime, për zhurmë… A e kemi të hapur zemrën, siç e ka hapur
portën Kisha Nënë e siç e kishte Zoja? Apo shpirti ynë është bërë sa një grusht dhe
në portë kemi varur një pusullë – me fjalë plot edukatë – që thotë: ‘Ju lutem, mos
na shqetësoni!’”. Bota nuk mbaron me ne, tha Ati i Shenjtë. Ne nuk jemi më
të rëndësishmit e kësaj bote: më i rëndësishëm është Zoti, me Zojën e me Kishën Nënë.
E duke përmendur antifonat e mëdha të Nëntëditëshit të Krishtlindjes, Ati i Shenjtë
uroi: “O urti, o çelësi i Davidit, o mbret i popujve, eja!”: “E sot, të përsërisim
shumë herë ‘Eja!’ e të përpiqemi, që shpirti ynë të mos thotë: ‘Mos më shqetëso!’.
Jo! Të jetë shpirt i hapur, të jetë shpirt i madh, për ta pritur Zotin e për ta dëgjuar
atë, që na thotë Kisha nesër me anë të antifonës: ‘Ta dini se sot vjen Zoti! E nesër
do të shihni lavdinë e Tij!’”.