2013-12-22 14:21:01

Liturgjia e Fjalës së Zotit, Java IV e ardhjes, Viti A


Pikojeni, o qiej, vesën së larti
Dhe nga retë zbrittë ndër ne i Drejti;
të çelet toka e të bulojë Shpëtimtari.

Me këto fjalë të Isaisë e fillon Kisha liturgjinë e kësaj të diele, e fundit e kohës së Ardhjes. Krishti vjen nga qiejt, si vesë e freskët në amshim, mes njerëzve, që i ka marrë malli për të takuar të Drejtin. Ai është Biri i Hyjit.
Krishti vjen nga toka, si njeri, që lind nga një grua, pasi ka pritur për nëntë muaj, që nëna e zgjedhur për të nga Hyji, t’i përgatiste një trup prej trupit të saj. Ai është Biri i Marisë.

Liturgia e sotme na kujton profecinë e Isaisë: elementet e parë të zbatimit të premtimit janë bindja e Jozefit, “po”-ja e Marisë dhe mishërimi i Birit të Hyjit. Është plani i mirësisë, në të cilin nismëtari është gjithmonë Hyji.
Ai që vjen nuk është një njeri çfarëdo, por Biri i Hyjit.
Vjen nga një virgjër, pa ndërhyrjen e një njeriu.
Ai dëshiron të jetë me ne: Hyji me ne.

Plani i Hyjit takohet me vullnetin dhe bashkëpunimin njerëzor: Jozefi dhe Maria.
Maria, Bija e Sionit, është lulja e mbarë njerëzimit; Jozefi është njeriu i drejtë, jo me drejtësinë legale, që synon të përfitojë nga ligji për të dëbuar të fejuarën, por me drejtësinë e fesë, që nuk e lejon të marrë meritat e veprimit të Hyjit në jetën dhe në thirrjen e Birit të tij. Vjen një engjëll dhe i thotë se Hyji ka nevojë për të: është e vërtetë se ngjizja është vepër e Shpirtit të Shenjtë, por Jozefi shërben, për ta renditur foshnjën ndër pasardhësit e Davidit.
Foshnja që lind nga Maria është shenja, që Hyji na ka dërguar, për të treguar praninë e tij mes nesh. Etërit e Kishës e kanë parë ngjizjen e Krishtit në kraharorin e Marisë si këtë shenjë, për të cilën flet profeti Isaia në leximin e parë.

Origjeni, Homelite mbi librin e Isaisë, Homelia III, 1
Hyji e urdhëron Akazin jo vetëm të kërkojë një shenjë, por “për vete”; në të vërtetë Shkrimi thotë: “Kërko për vete një shenjë nga Zoti, Hyji jot, në thellësi e në lartësi”. “Shenja” për të cilën flitet është “Zoti” im Jezu Krishti! Është pikërisht kjo “Shenja”, që i urdhërohet të “kërkojë për vete në thellësi e në lartësi”. “në thellësi”, sepse “ai është ai që zbriti” dhe edhe “në lartësi”, sepse “ai është ai që u ngjit përmbi të gjithë qiejt”. Por, për mua, kjo “shenjë” e parashtruar “në thellësi e në lartësi” – “Zoti” im Jezu Krishti – nuk më duhet asgjë, nëse nuk bëhet për mua misteri i “thellësisë” dhe i “lartësisë” së tij. Pasi të kem pranuar misterin e Krishtit Jezus, “thellësinë” e tij dhe “lartësinë” e tij, atëherë do të marr “shenjën” për të cilën flet Zoti e do të më thuhet, mua që mbaj thellë në veten time atë shenjë në “thellësi” e në “lartësi”: “Mos thuaj në zemrën tënde: ‘Kush do të ngjitet në qiell?’. Për këtë ka zbritur Krishti. Ose: ‘Kuh do të zbresë në humnerë?’. Për këtë Krishti është ringritur nga të vdekurit. Shumë pranë është Fjala jote, në gojën tënde e në zemrën tënde”. Pra, të gjithë neve na është parashtruar kërkesa që “të kërkojmë” për ne këtë “shenjë”, që të bëhet e dobishme për ne “shenja” që “Zoti Hyj jep në thellësi e në lartësi”.
Nëse, pastaj, dikush di të nxjerrë dobi nga shqyrtimet shpirtërore, të kuptojë, atëherë, se shprehja: “në thellësi e në lartësi” nuk është thënë për të paraqitur një alternativë. Do të thotë se përqafon njërën gjë dhe tjetrën. “Ti vetë kërko një shenjë nga Zoti në thellësi e në lartësi”. Për sa i përket realitetit të premtuar, Apostulli thotë: “që të njohim thellësinë, lartësinë, gjerësinë dhe gjatësinë”. “E Akazi tha: nuk do ta kërkoj”. U tregua mosbesimtar. E Zoti i kishte thënë: “Ti vetë kërkoje për vete”. Për sa i përket popullit, deri më sot “nuk e kërkon shenjën” e për këtë arsye nuk e merr, prandaj “bën luftë me Zotin” ky popull, që nuk e pranon Zotin tim Jezu Krishtin!
Pastaj vijon një tjetër argument për diskutim: Akazi thotë: “Nuk do ta kërkoj e nuk do ta vë Zotin në provë!”. Mendon se “të kërkojë një shenjë” do të thotë të vërë Zotin në provë, prandaj zoti i thotë: “Dëgjo, pra, o shtëpia e Davidit: mos është gjë e vogël për ju të luftoni me njerëzit, që doni të hyni në luftë edhe me Zotin?”. Sigurisht, nuk “hyn në luftë me Zotin”, por as me njerëzit, mendoj unë, ai që hyn në luftë, “ai që kërkon një shenjë në thellsi ose në lartësi”. Në të vërtetë është “luftë” për Hyjin si të shpëtojë njeriun: pra, nuk “hyn në luftë me Zotin” ai që strehohet nën shpëtimin, por ai që, ndërsa Zoti lufton për ta shpëtuar njeriun, ikën nga shpëtimi e largohet nga Zoti. Ky “hyn në luftë me Zotin”. “Prandaj, Zoti vetë do t’ju japë një shenjë: Ja, virgjëra do të ngjizë e do të lindë një fëmijë, e ti do ta quash Emanuel”. (Veni, veni, Emmanuel!)

Nga “Letrat e Shën Leonit të Madh, Papë (Letra 31)
Nuk ka asnjë vlerë të pohojmë se Zoti ynë është biri i Virgjërës së lume, njeri i vërtetë e i përsosur, nëse nuk besojmë se është një njeri prej atij fisi për të cilin flitet në Ungjill. Shkruan Mateu:
“Breznitë e Jezu Krishtit, birit të Davidit, birit të Abrahamit” (Mt 1,1). Vijon rendi i pasardhësve njerëzorë me të gjitha breznitë, deri te Jozefi, me të cilin ishte martuar Nëna e Zotit. Ndërsa Luka, duke përshkuar anasjelltas radhën e breznive, mbërri tek vetë kreu i gjinisë njerëzore, për të treguar se Adami i parë dhe i fundit kanë të njëjtën natyrë.
Sigurisht gjithëpushtetësia e Birit të Hyjit, për t’i mësuar njerëzit e për t’i bërë të drejtë, do të mund të shfaqej, siç u ishte shfaqur patriarkëve e profetëve, nën dukjen e njeriut, si atëherë kur bëri luftë me Jakobin apo bisedoi ose pranoi të pritej si bujtës dhe u ushqye me shujtën që i shtruan para. Por ato pamje qenë vetëm shenjat e këtij njeriu, që, siç paralajmëruan shenjat mistike, do të kishte marrë natyrën e vërtetë të fisit të patriarkëve, që i kishin paraprirë.
Asnjë figurë nuk mund ta kryente sakramentin e pajtimit tonë, të përgatitur që prej amshimit, sepse Shpirti i Shenjtë nuk kishte zbritur ende mbi Virgjërën, as fuqia e të Tejetlartit nuk e kishte mbuluar ende me hijen e vet. Urtia nuk e kishte ndërtuar ende shtëpinë e saj në gjirin e papërlyer të Marisë. Fjala nuk ishte bërë ende njeri. Krijuesi i kohëve nuk kishte lindur ende në kohë, duke bashkuar në vetvete, në një person të vetëm, natyrën e Hyjit dhe natyrën e shërbëtorit. Ai, nëpërmjet të cilit janë bërë të gjitha gjërat, duhej të lindte vetë mes të gjitha krijesave të tjera.
Nëse ky njeri i ri, i bërë në ngjashmëri me trupin e mëkatit (Rom 8,3), nuk do të kishte marrë natyrën e njeriut tonë të vjetër, dhe nëse ai, që është i njëgjëjtë me Atin, nuk do të ishte denjuar të ishte i njëgjëjtë edhe me Nënën dhe, nëse ai, që është i vetmi i lirë nga mëkati, nuk do të ishte bashkuar me natyrën tonë njerëzore, e gjithë natyra njerëzore do të kishte mbetur nën robërinë e djallit. Ne nuk do të kishim mundur të merrnim pjesë në fitoren e tij të lavdishme, nëse fitorja do të ishte realizuar jashtë natyrës sonë.
Si rrjedhojë e kësaj pjesëmarrjeje të mrekullueshme në natyrën tonë njerëzore, shkëlqeu për ne sakramenti i rilindjes, me qëllim që, me forcën e të njëjtit Shpirt prej të cilit lindi Krishti, edhe ne, që kemi lindur nga epshi i trupit, të lindnim sërish me lindje shpirtërore. Për këtë arsye ungjilltari thotë për besimtarët: “Jo nga gjaku, as nga dëshira e trupit, as nga dëshira e njeriut, por nga Hyji u lindën” (1 Gj 1,13).

Nga “Letrat” e Shën Leonit të Madh, Papë (Letra 28, dërguar Flavianit)
Nga madhështia hyjnore u përqafua përvujtnia e natyrës sonë, dobësia nga forca, vdekshmëria jonë nga ai që është i amshuar; dhe, për të paguar detyrimin, që peshonte mbi gjendejn tonë, natyra e mundueshme u bashkua me natyrën tonë të mundueshme. Gjithë kjo ndodhi që, sikurse ishte e përshtatshme për shpëtimin tonë, ndërmjetësi i vetëm ndërmjet Hyjit e njerëzve, njeriu Krishti Jezus, nga njëra anë i paprekshëm nga vdekja, të bëhej, nga ana tjetër, i nënshtruari i saj.
E vërtetë, e plotë dhe e përsosur qe natyra në të cilën u lind Hyji, por, në të njëjtën kohë, e vërtetë dhe e përsosur është natyra hyjnore në të cilën ai mbetet i pandryshueshëm. Në të gjendet plotësia e hyjnisë së tij dhe plotësia e njerëzisë sonë.
Me natyrën tonë kuptojmë natyrën e krijuar nga Hyji në fillim dhe të marrë nga Fjala, për ta shëlbuar. Përkundrazi, tek Shpëtimtari nuk u gjet asnjë gjurmë e atyre prapësive, që tunduesi solli në botën tonë dhe që u pranuan nga njeriu i tunduar.
Ai vendosi të vishej me ligështitë tona, por të mos kishte pjesë në fajet tona.
Hyri në gjendjen e skllavit, por pa u përlyer me mëkat. E lartësoi njerëzinë, por pa e zvogëluar hyjninë. Asgjësimi i tij e bëri të dukshme të padukshmen dhe të vdekshëm krijuesin dhe zotin e të gjitha gjërave. Përulja e tij qe një përulje e mëshirshme drejt mjerimit tonë, më shumë sesa humbje e pushtetit dhe e zotërimit të tij. Ai qe krijuesi i njeriut në gjendjen e tij hyjnore dhe njeri në gjendejn e skllavit. Ky qe i vetmi dhe i njëjti Shpëtimtar.
Biri i Hyjit, pra, hyn në mes të mjerimeve të kësaj bote, duke zbritur nga froni i tij qiellor, pa e braktisur lavdinë e Atit. Hyn në një gjendje të re, lind në një mënyrë të re. Hyn në një gjendje të re: në fakt, i padukshëm në vetvete, bëhet i dukshëm në natyrën tonë; i pafundmë, bëhet i rrokshëm, ekzistues para të gjitha kohërave, fillon të jetojë në kohë; zotërues e zot i gjithësisë, e fsheh madhështinë e tij të pafundme, merr formën e shërbëtorit; i pamundueshëm e i pavdekshëm, si Hyj, nuk e përbuz njeriun e mundueshëm dhe të nënshtruar ndaj vdekjes, por bëhet i tillë.
Ai që është Hyj i vërtetë, është edhe njeri i vërtetë. Nuk ka asgjë të shtirur në këtë njerëzi, sepse mbesin edhe përvujtëria e natyrës njerëzore, edhe madhështia e natyrës hyjnore.
As Hyji nuk pëson ndryshim për shkak të mëshirës së tij, as njeriu nuk tjetërsohet nga dinjiteti që merr. Secila natyrë vepron bashkë me tjetrën gjithçka që është veçori e saj. Fjala bën çfarë i takon Fjalës dhe njerëzia zbaton çfarë i takon njerëzisë. Natyra e parë shkëlqen me mrekullitë që kryen, tjetra u nënshtrohet fyerjeve që pëson. Dhe, sikurse Fjala nuk heq dorë nga lavdia që zotëron njësoj si ati, ashtu njerëzia nuk e braktis natyrën e veçantë të llojit.
Nuk do të lodhemi së përsërituri: Ai dhe vetëm ai është me të vërtetë Biri i Hyjit dhe me të vërtetë biri i njeriut. Është Hyj, sepse “Në fillim ishte Fjala e Fjala ishte me Hyjin dhe Fjala ishte Hyj” (Gj 1,1). Është njeri, sepse “Fjala u bë njeri dhe erdhi të banojë mes nesh” (Gj 1,14).








All the contents on this site are copyrighted ©.