2013-12-21 16:24:00

Françesku, Kuries: t’i shërbehet Kishës me shenjtëri e pa thashetheme, që të mos jetë doganë burokratike


Profesionalitet, shërbim, shenjtëri. Janë këto tri karakteristikat, që duhet të ketë kush dëshiron të punojnë në Kurien Romake. E nënvizoi sot Papa Françesku, në fjalimin e tij të parë drejtuar pikërisht Kuries, me rastin e urimeve të Krishtlindjes. Papa tërhoqi vëmendjen për të ndenjur larg thashethemeve që, vërejti, dëmtojnë cilësinë e njerëzve, të punës, të ambientit. E shtoi: “Nuk jeni doganë burokratike”, që nuk lejon veprimin e Shpirtit Shenjt!
Papën e përshëndeti kardinali Dekan, Anxhelo Sodano.

Kënaqësi e mirënjohje. Fjalimi i Papës Françesku drejtuar Kuries Romake nisi me shprehjen e këtyre ndjenjave për ata që punojnë çdo ditë në shërbim të Kishës. E menjëherë i drejtoi një përshëndetje të veçantë imzotit Parolin, sekretar i ri i Shtetit të Shenjtërisë së Tij që, tha Papa, ka nevojë për lutjet tona. Ndërsa afrohet Krishtlindja, vijoi Françesku, është kënaqësi t’i shprehim edhe mirënjohjen njëri-tjetrit:
E unë kam nevojë, në këtë Krishtlindje të parë si Ipeshkëv i Romës, t’ju them me plot gojën ‘faleminderit’ ju, si bashkësi pune në përgjithësi e secilit prej jush, personalisht. Ju falënderoj për shërbimin tuaj të përditshëm, për kujdesin, zellin, frymën krijuese; për impenjimin, jo gjithnjë të lehtë, të bashkëpunimit në zyrë, ku dëgjohen, ballafaqohen, vlerësohen persona e cilësi të ndryshme, me respekt reciprok”.
Në mënyrë të veçantë, shtoi Papa, dëshiroj t’u shpreh mirënjohjen time atyre që, në këtë periudhë, e kryejnë shërbimin e dalin në pension. E dimë mirë, saktësoi, se si meshtarë e ipeshkvij, nuk dilet kurrë në pension, por si zyrtarë, po, e është e drejtë, edhe për t’iu kushtuar pakëz më shumë lutjes e kujdesit për shpirtrat, duke nisur nga vetja.
Një falënderim i posaçëm i Papës, për ata, që punuan në Kurie për shumë vjet e me shumë përkushtim, në heshtje të plotë, pa kërkuar kurrfarë vëmendjeje a shpërblimi të veçantë:
Kjo është vërtetë e denjë për admirim. I admiroj ata ipeshkvij, që marrin për model punonjësit e vjetër të Kuries, njerëz shembullorë… Por edhe sot kemi Njerëz, që punojnë me kompetencë, saktësi, vetmohim, duke e çuar përpara me kujdesin më të madh, detyrën e tyre të përditshme”.
Nga ky model e nga kjo dëshmi, shtoi, mund të përcaktoj karakteristikat e zyrtarit të Kuries, e aq më shumë, të Eprorit, për të cilin dëshiroj të nënvizoj: profesionalitet e shërbim:
Profesionalitet, që do të thotë kompetencë, studim, azhurnim… Kjo është kërkesë themelore për të punuar në Kurie. Natyrisht profesionaliteti formohet, e pjesërisht, edhe fitohet; por mendoj se, pikërisht nga që formohet e edhe fitohet, duhet të ketë, që në fillim, një bazë të mirë”.
Karakteristika e dytë është shërbimi, shërbim ndaj Papës, ipeshkvijve, Kishës universale e Kishave të veçanta. Në Kurien Romake, pohoi Papa, ndjehet në mënyrë të veçantë kjo përmasë e dyfishtë e Kishës, ky depërtim ndërmjet universales e së veçantes. Fjalë, këto, që u pasuan nga një vërejtje:
“Kur mungon profesionaliteti, dalëngadalë rrëshqitet në mediokritet. Praktikat bëhen raporte klishè e komunikimi, pa tharm jete, i paaftë për të krijuar horizonte të ndritura. Nga ana tjetër, kur nuk u shërbehet Kishave të veçanta dhe ipeshkvijve të tyre, atëhere rritet struktura e Kuries e bëhet si të ishte ndonjë doganë burokratike, që inspekton me rreptësi, duke penguar, kështu, veprimin e Shpirtit Shenjt dhe rritjen e popullit të Zotit”.
E këtyre dy cilësive, profesionalitet e shërbim, Papa u shtoi edhe një të tretë, shumë të rëndësishme: “shenjtëri jete”. E dimë mirë, tha, se kjo është më e rëndësishmja në hierarkinë e punës. Përbën bazën edhe të cilësisë së punës e të shërbimit:
Shenjtëri do të thotë jetë e ndikuar nga Shpirti Shenjt, zemër e hapur për Zotin, lutje e vazhdueshme, përvujtëri e thellë, dashuri vëllazërore në marrëdhëniet me kolegët. Do të thotë edhe apostullim, shërbim i kujdesshëm baritor, besnik, i çuar përpara me zell e marrëdhënie të drejtpërdrejta me popullin e Zotit”.
E kjo, pohoi me forcë Papa, është e domosdoshme për meshtarin. Dëshiroj të shtoj se në Kurien Romake ka pasur e ka shenjtorë! Këtë e kam thënë më se një herë publikisht, për të falënderuar Zotin. Por shenjtëri në Kurie, shtoi Papa, do të thotë edhe mospranim i thashethemeve, për arsye të ndërgjegjes:
“Ne me të drejtë ngulmojmë shumë mbi vlerën e kundërshtimit për arsye të ndërgjegjes, por ndoshta duhet ta ushtrojmë edhe për t’u mbrojtur nga një ligj i pashkruar i mjedisve tona që, për fat të keq, është ai i thashethemeve. Atëherë t’u kundërvihemi të gjithë, për arsye se na kundërshton ndërgjegjja; e, vini re! Nuk dua të bëj vetëm një fjalim moral! Sepse thashethemet e dëmtojnë cilësinë e njerëzve, dëmtojnë cilësinë e punës e të mjedisit”.
Papa e përfundoi fjalimin, duke kujtuar Shën Jozefin, aq të heshtur e aq të nevojshëm pranë Zojës së Bekuar. Të mendojmë atë, shtoi, kujdesin e tij për Fatin e vet e për Foshnjën Hyjnore. Na mëson shumë për shërbimin tonë në Kishë! Atëhere ta jetojmë këtë Krishtlindje shpirtërisht pranë Shën Jozefit:

“Ju falënderoj shumë për punën tuaj e, në mënyrë të posaçme, për lutjet tuaja. Me të vërtetë ndjehem i mbështetur fort nga lutjet e ju kërkoj të vijoni të më ndihmoni kështu. Edhe unë ju kujtoj në Tënzonë e ju bekoj, duke i uruar Krishtlindje drite e paqeje secilit nga ju e edhe të dashurve tuaj. Gëzuar Krishtlindjen!”.







All the contents on this site are copyrighted ©.