2013-12-20 16:33:44

Papa, Veprimit Katolik: Krishtlindje do të thotë të lutemi edhe për armiqtë, thashethemet nuk janë të krishtera


Papa Françesku u takua sot me të rinjtë e Veprimit Katolik Italian. Ati i Shenjtë i falenderoi për urimet e Krishtlindjes dhe u uroi për shumë mot e me gëzime për ta e për të dashurit e familjarët e tyre.
“Veprimi Katolik Rinor – tha Ati i Shenjtë – është një realitet i bukur, që shtrihet e vepron në të gjitha dioqezat e Italisë. Ju inkurajoj të jeni gjithnjë ‘gurë të gjallë’ në Kishë, për ta ndërtuar atë, në bashkim me Jezusin. Veprimi Katolik, pa Jezusin – vazhdoi Papa – nuk shërben për asgjë. Do të ishte një organizatë jo qeveritare si shumë të tjera”.
Françesku përmendi udhën e përshkuar nga të rinjtë këtë vit, veprimtaritë e të cilit janë zhvilluar gjithnjë në kuadrin e temës “Nuk ka lojë pa Ty” dhe kanë synuar t’ua paraqesin Jezusin të rinjve si shok jete. “Ja – u tha Papa – Krishtlindja është pikërisht festa e pranisë së Zotit, i cili vjen mes nesh për të na shëlbuar. Lindja e Jezusit nuk është përrallë! …Kjo Foshnje na tregon besnikërinë dhe ëmbëlsinë e dashurisë pa fund, me të cilën Zoti rrethon secilin prej nesh. Prandaj e festojmë Krishtlindjen… sepse është festa e takimit të Zotit me ne”.








All the contents on this site are copyrighted ©.