2013-12-20 16:15:48

Krishtlindja, në kryevepra proze: Paulo Koelho “Sandalet e Hozesë” (Emisioni XVIII)


Rubrika “Krishtlindja, në kryevepra proze” na çon sot nga letërsia gjermane, në atë braziliane, duke na njohur me një tregimtar e poet të shquar në mbarë letërsinë botërore. Quhet Paulo Coelho (Pavlu Koelu) (Rio-de-Janeiro, 24.08.1947). Njeri me jetë të shqetësuar, nxënës i shkollës së jezuitëve San Fernando një herë, i mbyllur në çmendinë nga e ëma për rebelim pastaj, i përfshirë në jetën dhe kulturën e hipive, më në fund bëri kthesën e madhe: hyri në rrugën e krishterimit, nën ndikimin e një miku holandez, njohur në shtegtimet nëpër botë. E gjatë lisat e veprave të Koelu, ndërmjte të cilave po kujtojmë vetëm më të sukseshmet: “Alkimisti”(Alquimista, 1988) dhe “Rrëfimet e shtegtarit”(2000).
Nga tregimet e tij të shkurtëra, zgjodhëm “Sandalet e Hozesë”:

“Shumë vjet më parë, aq shumë sa më s’dihet data e saktë, në një vend të Brazilit të jugut, jetonte një fëmijë shtatë vjeç, me emrin Hosè. Kishte mbetur jetim në moshë të njomë e për të mos ravguar në rrugë të madhe, e bëri bir në shpirt një teto tejet kurrnace. Ndonëse e krimbur në para, shpenzonte pak e aspak për jetimin e gjorë. Hosé, që s’dinte ç’është dashuria, besonte se kështu duhet të ishte jeta, e nuk dëshpërohej kurrë.
Me që jetonin në një lagje të pasur, tetua e detyroi drejtorin e shkollës ta pranonte të nipin me një të dhjetën e pagës mujore, duke e kërcënuar se do ta padiste tek kryetari i bashkisë, në se do të kundërshtonte. Drejtori u tremb e pranoi, por sa herë i jepej rasti, i nxiste mësuesit ta nëpërkëmbnin fëmijën e varfër, duke e nxitur të bënte ndonjë të pabërë. Për ta përjashtuar përgjithnjë nga shkolla.
Po Hosè, që nuk e kishte shijuar kurrë dashurinë, mendonte se kështu ishte jeta e nuk e prishte aspak shpirtin.
Erdhi Nata e Krishtlindjes. Të gjithë nxënësit duhet të shkonin për të parë meshë në një kishë larg banesave, me që famullitari ishte i sëmurë. Duke ecur së bashku, fëmijët ëndërronin dhuratat, që do t’i gjenin të nesërmën, në çorape: veshje moderne, lodra të shtrenjta, ëmbëlsira, skejtboord, biçikleta. Sepse në botën e ëndërimeve, çorapja mund të zërë edhe biçikletën. Ishin të gjithë të veshur si s’ka ku të vejë më mirë, siç vishen fëmijët në ditë feste. Vetëm jetimi kishte në trup petkat e përditshme, të arnuara e në këmbë, sandalet, tepër të vogla për këmbët tij, në rritje. Tetua ia kishte blerë kur ishte vetëm katër vjeç e i kishte premtuar se do të mbathte një palë të reja, kur të mbushte dhjetë vjeç. Disa fëmijë, duke e parë ashtu, të mjerë, e kishin për turp të ecin pranë zhelanit të vogël. Por me që Hosè nuk e dinte ç’është dashuria, nuk shqetësohej fort për këtë sjellje.
Kur hynë në Kishë, dëgjoi tingujt e organos, pa dritat e njerëzit, veshur me rrobat më të mira, pa familjet e bashkuara e prindërit, që përqafonin fëmijët. E e ndjeu veten krijesa më e mjerë mbi faqe të dheut. Pas Kungimit, në vend që të kthehej në shtëpi, bashkë me grupin, u ul në pragun e kapelës e qau: ndonëse nuk e dinte ç’është dashuria, tani e kuptoi ç’do të thotë të jesh vetëm qyq, i braktisur nga të gjithë.
Në këtë ças u kujtua se pranë tij ishte ulur një fëmijë i zbathur, edhe më i mjerë. Paska ecur shumë për të arritur deri këtu. Duket nga këmbët. Po ia fal njërën nga sandalet, kështu do t’ia lehtësoj gjysmëm e vuajtjes, mendoi me vete Hosè,
Ai nuk e dinte ç’është dashuria, po e dinte mirë ç’është vuajtja, e nuk dëshironte që edhe tjerët të vuanin, si ai vetë.
Ia fali fëmijës sandalen e u nis kah shtëpia me një këmbë mbathur e një zbathur. Duke e ndërruar sandalen që i kishte mbetur herë në njërën këmbë, herë në tjetrën. Të dyja, copë nga gurët e rrugës. S’kish arritur mirë në shtëpi, kur tetua ia nisi britmës. Nëse nipi nuk do ta gjente sandalen e humbur deri të nesërmën në mëngjes, do të ndeshkohej rrebtë. Hosè shkoi në shtrojë i tmerruar, sepse e dinte ç’ishte në gjendje të bënte plaka. E kaloi gjithë natën duke u dridhur e, kur nisi të dremiste sapak, dëgjoi zëra në sallon. Tetua hyri me vrull në dhomën e tij të mjerë, e mrekulluar.
Edhe më i mrekulluar, Hosè u nis pas saj, hyri në sallon e pa se sandalja, që i kishte dhuruar shokut të mjerimit, ishte aty. Mezi dukej nën një grumbull vigan lodrash. veshjesh, ëmbëlsirash. Nuk mungonte as biçikleta e as skejtbord. Fqinjët këlthisnin, e padisnin fëmijën se ua kishte vjedhur dhuratat fëmijëve të tyre të cilët, kur ishin zgjuar, i kishin gjetur çorapët fare bosh. E pikërisht në atë të imtë, prifti, që kishte kremtuar Meshën e Mesnatës së Krishtlindjes, u duk në derë, duke gulçuar. Në prag të kapelës kishte gjetur një shtatore të Krishtit Fëmijë, veshur në ar, me një këmbë zbathur e tjetrën mbathur me një sandale të vjetër.
Në sallon ra një heshtje mistike: bashkësia falënderoi Zotin e mrekullitë e tij. Tetua nisi të qante me dënesë, e penduar e kërkoi falje. E zemra e fëmijës u mbush përplot me zjarrin e dashurisë”.







All the contents on this site are copyrighted ©.