2013-12-19 12:50:41

Papa Françesku: përvuajtëria na bën të frytshëm, kryelartësia, shterpë


“Përvuajtëria është e nevojshme për të qenë të frytshëm”, tha sot Papa Françesku në meshën e mëngjesit, në Shtëpinë e Shën Martës. Ati i Shenjtë theksoi se vetëm ndërhyrja e Zotit e bën jetën tonë të frytshme e nuk e lë në amullinë e shterpësisë. Në Bibël, shpjegoi Papa, gjejmë shpesh gra shterpë, të cilave Zoti u dhuron shtatzaninë, mundësinë për të nxjerrë në dritë një jetë të re. Pikërisht Ungjilli i sotëm tregon për Elizabetën, e cila edhe pse në moshë të shtyrë, pati prej Hyjit një djalë, Gjonin. Ati i Shenjtë përmendi edhe Noemin, e cila pa shpresë për jetën, pati një nip:
“Zoti ndërhyn në ekzistencën e këtyre grave për të na thënë: ‘Unë jam Ai, që jap jetën’. Edhe profetët flasin për shkretëtirën, për tokën e shkretuar ku nuk rritet asnjë pemë, asnjë frut, por ku Zoti bën të lindë diçka. ‘Kjo shkretëtirë do të bëhet si pylli – thonë profetët – do të jetë e madhe, do të lulëzojë’. Po a mund të lulëzojë shkretëtira? Po. A mund të sjellë në dritë jetën, gruaja shterpë? Po. Ai premtim i Zotit: Unë mundem! Unë mundem që nga shkretia, nga shkretëtira juaj, të sjell në dritë jetën, shpëtimin! Nga thatësira, unë bëj të rriten frytet!”
Këtë, vazhdoi Papa Françesku, nuk mund ta bëjmë vetë, kemi nevojë për Zotin. E megjithatë, shumë janë ata, që mendojnë se i kanë aftësitë për të na shpëtuar, për të na shëlbuar:
“Edhe të krishterë, ndër ta! Mjafton të mendojmë për pelagjianët, për shembull. Por gjithçka është hir. Është ndërhyrja e Zotit, që na shëlbon. Është ndërhyrja e Hyjit, që na ndihmon në udhën drejt shenjtërisë. Vetëm Ai mund ta bëjë këtë. Po ne, nga ana jonë, ç’duhet të bëjmë? Së pari: ta shohim shkretëtirën ku ndodhemi, paaftësinë tonë për të dhënë jetën. Ta kuptojmë këtë. Së dyti, të lutemi: ‘O Zot, dua të jem frytdhënës. Dua që nga jeta ime të dalë jetë, që feja ime të sjellë fryte, të cilat mund t’ua jap edhe të tjerëve. O Zot, unë jam shterpë, unë s’mundem, Ti mundesh. Unë jam shkretëtirë e gjallë: nuk mundem, Ti mundesh’”.
Kjo mund të jetë lutja e këtyre ditëve, ndërsa presim Krishtlindjen, tha Ati i Shenjtë. Po ç’ndodh me ata, që mendojnë se mund të bëjnë çdo gjë vetë dhe e mbajnë kryet lart për këtë? Papa foli për Mikolën, bijën e Saulit. Grua, kujtoi, që nuk ishte shterpë, por tepër kryelartë dhe nuk e kuptonte ç’do të thoshte t’i thurte lavde Zotit, madje i përqeshte. U dënua të jetë shterpë, nënvizoi Papa:
“Përvuajtëria është e nevojshme për të dhënë fryte. Sa njerëz mendojnë se janë të drejtë si bija e Saulit, por në fund të fundit janë të mjerë. Përvuajtëria për t’i thënë Hyjit: ‘O Zot, jam shterpë, jam i shkretë’… e t’i përsërisim këto ditë antifonat e bukura, që Kisha na i propozon për lutje: ‘O bir i Davidit, o Adonai, o Dije – sot – o filizi i Jeseut, o Emanuel, eja të na japësh jetën, eja të na shëlbosh, sepse vetëm Ti mundesh, unë, i vetëm, nuk mundem!’ E me këtë përvuajtëri në shkretëtirën e shpirtit të shterptë, të marrim hirin për të lulëzuar, për të dhënë fryte, për të lindur jetën”.








All the contents on this site are copyrighted ©.