2013-12-19 11:43:31

Kirili, Patriku i Moskës: Papa Françesku na jep shumë shpresë


Patriku Kiril pohoi dje, në takimin me Kryetarin e Këshillit Papnor për Bashkimin e të Krishterëve, kardinali Kurt Koch, se Papa Françesku ka ngjallur pritje të mëdha dhe se ndërmjet Kishës ortodokse ruse dhe Kishës katolike janë zhvilluar disa pikëpamje të përbashkëta. Me këtë takim kardinali Koch përmbylli vizitën e tij në Rusi, ku kishte mbërritur më 14 dhjetor dhe ku ka pasur takime jo vetëm me bashkësitë vendore, por edhe me përfaqësues të ministrisë së jashtme ruse. “Shumë nga gjërat që Papa Françesku i propozon Kishës, botës, shoqërisë, është në përputhje me pikëpamjet tona”, i tha Kirili kardinalit Koch, të cilin e priti në rezidencën e tij, në manastirin e Danilovskit. Sipas udhëheqësit ortodoks, në momentin historik në të cilin gjendemi është shumë i rëndësishëm dialogu ndërmjet dy kishave motra, të cilat mbajnë qëndrime të përbashkëta për shumë çështje: që nga paqja në Lindjen e Mesme deri tek mbrojta e të krishterëve të përndjekur, tek mbrojtja e vlerave tradicionale se familja dhe jeta. “Janë shtuar rastet e takimeve me prelatët katolikë, duke përfshirë edhe anëtarët e kolegjit të kardinalëve”, - shtoi Patriku, iu cili vlerëson mundësinë për të komunikuar drejtpërdrejt. Kjo është një periudhë kontaktesh të shpeshta ndërmjet Patrikanës dhe Selisë së Shenjtë. Në nëntor shkuan në Moskë tre përfaqësues të tjerë të lartë të Vatikanit: kardinali Poupard, kardinali Angelo Scola e imz. Vincenzo Paglia. Edhe kardinali Koch i përshkroi marrëdhëniet ndërmjet dy Kishave si “të mrekullueshme”. Duke folur për veprimet e përbashkëta ndërmjet ortodoksëve dhe katolikëve për mbrojtjen e konceptit të përbashkët të martesës, kardinali vërejti se “instituti i familjes është tani në një krizë të thellë” dhe bëri thirrje për t’u bashkuar në luftën kundër abortit. Gjatë vizitës së tij në Moskë kardinali Koch takoi edhe zëvendësministrin e jashtëm Alexei Meshkov, me të cilin diskutoi për “bashkëpunimin” ndërmjet Federatës Ruse dhe Selisë së Shenjtë. Këtë bashkëpunim e nisi në shtator Ati i Shenjtë, me letrën që i dërgoi presidentit Vladimir Putin për të për shmangien e ndërhyrjes ushtarake të Natos në Siri.








All the contents on this site are copyrighted ©.