2013-12-19 14:05:32

Engjëll KOLIQI, "Miku i madh i shqiptarëve": reflektim i don Lush Gjergjit


Engjëll KOLIQI, Miku i madh i shqiptarëve, Rugova Art – DRITA, Prishtinë, 2013, fq. 261

Ky studim dhe botim i mirëfillët ndriçon jetën dhe veprën e madhe të të Lumit Papës Gjon Pali II në dimensione familjare, thirrjes dhe shërbimit të tij meshtarak, ipeshkvit ndihmës në Krakovë, pjesëmarrësit në Koncilin e Dytë të Vatikanit, emërimit kardinal, zgjidhjes së tij të papritshme në Selinë e Shën Pjetrit. Sidomos theksohet dhe paraqitet me porosi dhe fotografi dërgimi i tij apostolik gjatë pontifikatit vërtet unik në historinë e Kishës katolike, mirëkuptimi dhe përkrahja e gjithanshme ndaj popullit shqiptar, si dhe ndaj shumë popujve të ndrydhur dhe të shtypur.
Jeta dhe vepra e tij është aq e madhe dhe domethënëse, sa që vështirë mund të gjejmë ndonjë emërtim të thjeshtë dhe të përbashkët për ta vlerësuar dhe cilësuar atë. Pendat më të ngritura, regjisorët dhe kamermanët e afirmuar dhe të spikatur, gazetarët, publicistët, krijuesitë e profileve të ndryshëm në Papën Gjon Pali II kanë pasur një Protagonist të shkëlqyeshëm për frymëzim, një figurë të madhe për zbërthim, një shembull të prekshëm për modelimin e njeriut dhe njerëzimit të ri.
Edhe Engjëll Koliqi i bashkangjitet kësaj “aradhe”, dhe disi dëshiron ta lajë borxhin e madh të Shqiptarëve, siç e quan ai ndaj “Miku i madh i Shqiptarëve”, për kujdesin e tij atëror, guximin e tij të profetik dhe biblik për ta luftuar komunizmin dhe ateizmin, për afërsinë dhe ngrohtësinë e tij gjatë Kalvarit tonë në Shqipëri dhe në Kosovë, për shpresëdhënie ndaj së ardhmes më të mirë për ne dhe për mbarë njerëzimin.
Të gjitha këto verpimtari të llojllojshme kanë një emërtim të përbashkët, një vlerësim të përputhur, një shqyrtim të gërshetuar dhe të njësuar: Papa Gjon Pali II vërtet ishte Njeriu i Zotit, i Kishës Katolike dhe i mbarë njerëzimit, Njeri i risive dhe rekordeve në Kishë dhe në botë. Afro 27 vitet e shërbimit të tij në Selinë Apostolike të Shën Pjetrit zbuluan mendjen e tij të mprehtë, vizionare dhe profetike, zemrën e tij të madhe, të ngrohtë dhe kozmike, vullnetin e tij të fortë dhe të pathyeshëm për dashuri, shërbim, flijim dhe përqafim të tërë njerëzimin, verpimtarinë e tij të palodhshme për paqe, drejtësi dhe pajtim mes njerëzve, popujve, feve, shteteve, për njeri dhe njerëzim të afruar, të bashkuar dhe të vëllazëruar, për bijësi me Zotin dhe vëllazëri me të afërmin.
Jeta dhe veprimtaria e tij ishte shumë e gjithanshme dhe krijuese: poet, dramaturg, filozof, teolog. Opusi i tij është tejet i madh dhe shumë i begatshëm, me plotë shqyrtime dhe studime të gjithanshme.
Për ne Shqiptarët Gjon Pali II ishte dhe do të mbesë mik, dashamir, përkrahës mbrojtës dhe prijës i pathyeshëm para qarqeve botërore.
T’ i përkujtojmë vetëm di sa lidhje të ngushta të tija me ne:
“Unë pas popullit tim polak më së tepërmi e dua popullin shqiptar, sepse, së pari keni vuajtur tepër gjatë e tepër shumë dhe padrejtësisht, dhe së dyti, sepse na keni dhuruar Nënën Tereze” (2 shkurt 1981).
Në shumë fjalime, udhëtime, meshë gati gjithmonë e pati në gojë dhe në zemër popollin shqiptar, Shqipërinë dhe Kosovën, duke theksuar fenë, shpresën dhe dashurinë, historinë, traditën, kulturën, lashtësinë tonë, qendresën shumshekullore dhe martirizimin me theksime mjaft të qëlluar dhe shumë pozitive.
“S’ mund të mbytet njeriu që e ka fenë e gjallë… Nëse në jetën e njeriut mbytet Zoti, mbytet edhe njeriu… Përjetoj përzemërsisht dhe vëllazërisht këto vuajtje të mëdha me vëllazërit dhe motrat shqiuptare” (27 prill 1986).
Apo: “E njoh historinë tuaj, shpeshherë të shkruar me gjak. E di se me arsye mbaheni krenarë për ligjet dhe traditat tuaja bujare…” (6 maj 1988).
Një kapitull shumë i veçantë për Papën Gjon Pali II ishte Kosova jonë, sfidat, rreziqet, dhuna që pësuam. Si babë dhe bari i mirë pothuaj në çdo qast dhe rast foli, shkrojti, protestoi, apeloi, lutej për mbrojtjen e popullit të pambrojtur dhe të pafajshëm, për lirinë dhe dinjitetin tonë njerëzor dhe kombëtar duke i cilësuar ngjarjet tona kështu:
“Krishti është përbuzur dhe refuzuar në ata të share dhe të vrarë në luftën e Kosovës…” (29 mars 1999); “Unë mendoj për ata që janë të vrarë, për ata që janë të pastrehë, për ata që janë të ndarë nga familjet e tyre, për ata që janë detyruar të largohen…” (4 prill 1999).
Me një fjalë pa të Lumen Nënën tonë Tereze (1910-1997) dhe Papën Gjon Pali II s’ mund të kuptohet dhe të shpjegohe gjendja e Kosovës, ndërhyrja e NATO-s, internacionalizimi i çështjes sonë si sfidë dhe si sprovë e ndërgjegjes njerëzore.
Papa Gjon Pali II e cilësoi Nënën Terze si përfaqësuesen më të mirë të popullit shqiptar dhe të Kishës Katolike në dimensione botërore.
“Ju falënderoj, të dashur shqiptarë, për këtë bijë të tokës suaj, të popullit tuaj…Grua sa të vogël me shtat, aq të madhe me vepra…që sjell dhe ruan brenda vetes hirin e bujarisë së papërmbajtur të zemrës shqiptare…(25 prill 1993).
Në lumturimin e saj ndër të tjera tha: “Jam personalisht i falënderueshëm ndaj kësaj Gruaje të guximshme të cilën gjithmonë e kam pasur afër vetes…” (19 tetor 2003).
Këtë miqësi, dashuri dhe përkrahje ndaj popullit shqiptar Gjon Pali II e ka shprehur në çdo vend dhe kend të botës, sidomos gjatë vizitës së tij në Shqipëri më 25 prill 1993, në emërimin e kardinal Mikel Koliqit (26 nëntor 1994), gjatë trazirave në Shqipëri (1997), gjatë Kalvarit të gjatë të Kosovës (1981-1999), në përshpejtimin e procesit të lumturimit të Nënës Tereze.
Në këto lidhje të ngushta, të përzemërta dhe miqësore mes Papës Gjon Pali II dhe popullit shqiptar, rol të rëndësishëm paten edhe dy prelatët e lartë tonë, Imzot Nikë PRELA (1918-1996) dhe Imzot Mark SOPI (1938-2006), që fatbardhësisht vazhdon edhe me pasardhësin e tij, Papën Benediktin XVI, tani me Papën Françeskun.
Papa Gjon Pali II dhe Imzot Nikë Prela paten takime të shpeshta dhe të përzemërta, bisedime të frytshme për Kosovën dhe për Kishën tonë. Imzot Nikë Prela vazhdimisht e ka informuar Papën gojarisht dhe me shkrim mbi gjendjen tonë, si dhe të gjitha institucionet tjera kishtare dhe shetetërore të Evropës dhe të botës.
Po e përkujtoj vetëm takimin e tyre të fundit më 17 tetor 1995, kur Papa dukshëm i emocionuar para Ipeshjvit në karrocë, para të gjithëve me ofshamë goje dhe zemre klithi: “Kosova plaga dhe shpresa jonë!”.
Gjon Pali II fill pas luftës në Kosovë (1999), e falënderoi personalisht Imzot Mark Sopin, Kishën dhe klerin katolik për guximin, dëshminë dhe shërbimin ndaj popullit të rrezikuar pa dalime gjatë Luftës 1998-1999.
Imzot Mark Sopi kështu e vlerësoi Gjon Palin e II: “Për popullin Shqiptar Papa ishte mik i madh dhe tregoi dashuri të madhe për të. Ai këtë e dëshmoi me vepra duke treguar angazhimin e palodhshëm në gjetjen e zgjidhjeve paqësore për Kosovën tonë të dashur”.
Kjo simpati dhe dashuri ndaj popullit shqiptar në përgjithësi, ndaj Kosovës në veçanti, është dëshmuar dhe përforcuar edhe me takimet e Gjon Palit II dhe Presidentit të Kosvës dr. Ibrahim RUGOVA )1944-2006).
Papa çmonte shumë Njeriun e urtë dhe veprimtarin e guximshëm, krijuesin dhe frymëzuesin e strategjisë paqësore jodhunore në Kosovë, në Ballkan dhe në Evropë, dr. Ibrahim Rugovën.
Ja vetëm disa hollësi:
Pas takimit të dr. Ibrahim Rugovës me Sekretarinë e Shtetit të Vatikanit ai ndër të tjera tha: “Pasi Zoti, Papa, Vatikani është me ne, atëherë jam i bindur se e dhe bota do të jetë me ne, në anën tonë…”(27 qershor 1991).
Gjatë bombardimeve të NATO-s Papa Gjon Pali II e pranoi në audiencë private dr. Ibrahim Rugovën dhe familjen e tij. Po ashtu edhe në takimet tjera, veçmas atë të fundit në vitin 2003, qe vlerësuar nga qarqet e Vatikanit dhe të botës si përforcim miqësie dhe bashkëpunimi mes Selisë Shenjte dhe Kosovës.
Dr. Ibrahim Rugova në një takim me Imzot Nikë Prelën ndër të tjera tha:
“Në mua kanë ndikuar pozitivisht dy personalitete botërore, Papa Gjon Pali II dhe Nëna Tereze. Papa Gjon Pali II angazhohet gjithnjë për paqe në mbarë botën dhe është vendosmërisht kundër dhunës dhe luftës kudo. Nëna Tereze me dashuri e përfitoi mbarë njerëzimin…” (gusht 1993).
Pjesëmarrja e delegacionit të lartë të Vatikanit në varrimin e dr. Ibrahim Rugovës, si dhe cilësimi i tij si “Gandi dhe vizionari paqësor i politikës”, edhe një herë dëshmuan dhe vërtetuan marrëdhëniet e mira dhe bashkëpunimin e frytshëm mes Papës Gjon Pali II dhe dr. Ibrahim Rugovës, Kosovës dhe Vatikanit.
Në historiografinë e afërt të popullit shqiptar Papa Gjon Pali II ka një vend kulmor dhe meritor për zhvillimin dhe zgjidhjen e çështjes së Kosovës, si dhe më gjerë, të popullit tonë. Provani a Zotit në kohën e duhur i gjeti njerëzit e zgjedhur dhe së bashku me ta e shkrojti një faqe të ndritshme të historisë sonë.
Njerëzit e mirë dhe të mëdhenj, si ishin papa Gjon Pali II, Nëna Tereze, Imzot Nikë Prela, Imzot Mark Sopi, dr. Ibrahim Rugova, lindin rallë dhe nuk vdesin kurrë. Kjo është histori, fatbardhësi dhe lumturi për ne, ngushëllim dhe siguri se Zoti mendon dhe vepron ndër ne, për ne dhe me ne.
Falënderoj përzemërsisht Engjëll Koliqin për punë dhe studim në këtë monografi, që është edhe si “meze” për shpalljen Shenjt të të Lumit Papës Gjon Palit II së bashku me të Lumin Papën Gjoni 23, vitin e ardhshëm, më 27 prill 2014. Ky botim është shkruar me shumë përkushtim, flijim, frymëzim, falënderim dhe dashuri. Shpresoj dhe uroj që të pranohet dhe lexohet me të njëjtat ndjenja.

Tiranë, 18 dhjetor 2013 Don Lush GJERGJI








All the contents on this site are copyrighted ©.