2013-12-18 15:41:16

Thirrje e Papës: në sofrën e festës, një vend bosh për të varfërit


Thirrje e Papës: në darkën e Krishtlindjes, lëreni një vend të lirë për të varfërit.
Natën e Krishtlindjes, kur të shtroheni në sofrën e begatë të festës, një vend lëreni për të vetmuarit”. Ishte kjo thirrja, drejtuar pjesëmarrësve në audiencën e përgjithshme, gjatë përshëndetjes në gjuhën polake. Ftesë e një Pape që dje, me rastin e 77- vjetorit të ditëlindjes, u shtrua në sofër me katër të pastrehë. “Duke lënë një vend bosh në tryezë të Natës së Krishtlindjes, të mendojmë për të varfërit, tha Papa, për të uriturit, për të vemtuarit, për të pastrehët, për të përjashtuarit nga radhët e shoqërisë, për viktimat e luftës e, posaçërisht, për fëmijët”.Na duket sikur rikujton traditat më të mira të Kombit tonë shqiptar, Papa. Popullit, që e la gjithnjë një vend bosh në sofër, për mikun e largët, të paftuar, që mund të arrinte në çastin e fundit, i lagur e i ndragur nga koha e keqe në shtigje malesh. Ishte i pasur a i varfër, kjo nuk kishte fare rëndësi, në një vend ku, dikur, çdo njeri peshonte njëlloj 400 derhem në kandar të vet e pritej në çdo kohë, me bukë e kripë e zemër!
“Bukë e kripë e zemër për të varfërin e të vetmuarin, Natën e Madhe, pra!”.









All the contents on this site are copyrighted ©.