2013-12-18 15:42:41

Shugurohet diakon Emiljan Paloka në dioqezën e Sapës


Në ditën e Shën Gjonit të Kryqit, Emiljan Paloka, një person i thirrur prej Zotit nëpërmjet Kishës së tij, pas studimeve hap pas hapi siç e parasheh rregulli i studimeve për të arritur në Meshtari, mori Urdhërin e Shenjtë të Diakonatit.RealAudioMP3
Me falenderimin ndaj Zotit për këtë dhuratë që i bëri Dioqezës së Sapës, kishës dhe popullit të saj, ceremonia e shugurimit u mbajt të shtunën me 14.12.2013 në Katedralen Nënë Tereza në Vau-Dejës në prani të bashkësisë dioqezane, meshtarëve e motrave, familjarë dhe miqve të Emiljanit. Mesha e shenjtë u kryesua nga Ipeshkëvi i vendit Imzot Lucjan Avgustini në bashkëkremtim me rreth 50 meshtarë të tjerë. Pas shpalljes së Ungjillit, ish Vikari i përgjithshëm i Sapës, Dom Karlo Fantini, i cili po ndjek nga afër studimet përfundimtare të tij në Itali, dhe sipas informatave, dëshmoi se akoliti Emiljan Paloka është i gatshëm për të marrë urdhërin e meshtarisë në cilësinë e diakonit.

Ndërsa gjatë fjalës së rastit Shkëlqesia e Tij, Imzot Lucjan Avgustini, u ndal në rëndësinë e të qenurit diakon, ku dashuria ndaj Zotit dhe njëri-tjetrit realizohet nëpërmjet shërbimit të përvujtë, sikurse na mëson vetë Krishti. Pikërisht këtu e gjen kuptimin Diakoni. Duke iu drejtuar kandidatit me emër, ai i tha se ti me shugurimin diakonal bëhesh shenjë e gjallë e Krishtit shërbëtor. Ndaj duhet të angazhohemi për të marrë ato ndjenja të dashurisë së Krishtit. Ne bashkë me ty i lutemi Zotit që të të bëhet ndihmë në shërbim të tij. Gjithashtu Ipeshkvi, nuk harroi të mos kujtonte edukatorët e Emiljanit, si i ndjeri Dom Injac Dema që e pagëzoi, i ndjeri Dom Genc Tuku, dhe meshtarë të tjerë që e ndihmuan në ecjen dhe formimin e tij në vite. Po ashtu, ai falenderoi dhe përgëzoi edhe familjen e tij që e mbështetën birin e tyre duke ia hapur zemrën Zotit, duke pranuar thirrjen dhe kushtimin e djalit të tyre si vullnet të Zotit, dhe duke i dhënë bekimin fëmijës së tyre. Me urimin: Krishti Bariu i mirë qoftë udhëheqësi yt në ecjen tënde drejt meshtarisë, përfundoi dhe homelia e rastit.
Me të mbaruar homelia, ipeshkëvi kërkoi prej kandidatit gatishmërinë për të ushtruar shërbesën e diakonatit dhe për të jetuar një jetë në bindje dhe celibat, sipas dëshirës së Krishtit dhe Kishës së Tij. Vetë kandidati me pëlqimin e tij, iu përgjigj Zotit duke thënë “Ja ku jam o Zot!”
Më pas vazhduan ritet e pranimit të Urdhërit Diakonal, duke bërë që Emiljani të ushtrojë shërbesën e diakonatit me përvujtëri dhe dashuri në ndihmë të Urdhërit Meshtarak dhe në shërbim të popullit të krishterë. Me shenjat e shërbesës së tij, të cilat ishin petkat, stola që është gjithnjë shenjë e Urdhërit të Shenjtë dhe dalmatiku, tani e tutje Emiljani u pranua në kolegjin diakonal dhe do të vazhdojë me shërbimin në elter deri në Shugurimin Meshtarak, duke u bashkuar kështu me familjen e madhe të Zotit, për t’i shërbyer Zotit dhe Kishës.

Violeta Marashi








All the contents on this site are copyrighted ©.