2013-12-18 13:08:57

P. Kovalçik, për 20-vjetorin e Katekizmit të Kishës Katolike: “Hyji u bë njeri”


“Biri i Hyjit u bë njeri, për të na bërë si Hyji”: është një nga mendimet e Shën Athanasit, që Katekizmi i Kishës Katolike e kujton, në faqet kushtuar Mishërimit të Zotit, Misterit, mbi të cilin përqendrohet reflektimi i 25-të i jezuitit, atë Dariush Kovalçik, kushtuar 20-vjetorit të botimit të Katekizmit.

Fraza “Zoti u bë njeri” përmban thelbin e fesë së krishterë. Por është e nevojshme të saktësohet se ishte Fjala, Vetja e Dytë e Trinisë, që u bë njeri (Gjn 1,14). Me mishërim kuptojmë se Biri i Hyjit mori natyrën njerëzore, për të realizuar në të shëlbimin” (n. 461). Në këtë mënyrë, Hyji vjen pranë nesh në historinë njerëzore, e njëkohësisht, në Vetjen e Atit, lartohet përmbi gjithësinë; ndërsa Zoti është i pranishëm e vepron brenda krijimit, në lidhjen e ngushtë të njeriut me Vetjen e Shpirtit Shenjt.
Mishërimi nuk është shfaqje teatrale, Zoti nuk vë maskën e njeriut, për të bërë gjeste teatrale. Kisha beson se Jezu Krishti u bë me të vërtetë njeri, duke mbetur Hyj i vërtetë. “Mishërim i Birit të Hyjit nuk do të thotë, pohon Katekizmi, se Jezu Krishti është pjesërisht Hyj e pjesërisht njeri, e aq më pak, rezultat i përzjerjes së hyjnores me njerëzoren”(n. 464). Koncilet Ekumenike na mësojnë se Biri i mishëruar është Vetje hyjnore me dy natyra: hyjnore e njerëzore.Po pse u mishërua? E kemi thënë se Hyji u bë njeri për shëlbimin tonë. Duhet vërejtur se shëlbimi nuk mund të thjeshtohet në asnjë lloj dekreti të jashtëm, por kryhet në lidhjen e njëmendtë e të amshuar të Hyjit me njeriun e gjallë. Kjo lidhje na u zbulua e na u dhurua pikërisht në mishërim. Në Vetjen e Jezusit, natyra njerëzore bashkohet me natyrën hyjnore, pa përzjerjen e të dyjave. Hyji u bë njeri, që njeriu të mund të marrë pjesë në jetën e Trinisë përgjithmonë e jetës. Katekizmi citon Shën Athanasin: “Biri i Hyjit u bë njeri, për të na bërë të njëgjëjtë me Hyjin” (n 460). Nëse Hyji mundi të bëhej vërtet njeri, edhe ne mund të hyjnizohemi.







All the contents on this site are copyrighted ©.