2013-12-18 13:05:28

Kisha ka një shenjt të ri: Jezuiti Pjetër Favri


Që dje Kisha ka një shenjt të ri. Papa Françesku i dorëzon Kishës universale kultin liturgjik për meshtarin rregulltar të Shoqërisë së Jezusit Pjetër Favrin. Në audiencën me Kardinalin Angelo Amato, prefekt i Kongregatës për Çështjet e Shenjtërve, Papa autorizoi edhe miratimin e dekreteve për mrekullitë që i njihen Shërbëtores së Hyjit Maria Tereza Demjanovich, Motër e Kongregatës së Motrave të Dashurisë së Shën Elizabetës, e cila vdiq në Elizabeth, në Shtetet e Bashkuara, në vitin 1927. U miratua edhe dekreti për njohjen e virtyteve heroike të Shërbëtorit të Hyjit Emanuele Herranz Establés, meshtar dioqezan dhe themelues i rregulltarëve Esclavas de la Virgen Dolorosa, i cili vdiq në Madrid në vitin 1968, dhe për njohjen e virtyteve heroike të shërbëtorit të Hyjit Giorgio Ciesielski, Laik e prind, i cili vdiq në Egjipt më 9 tetor 1970.
Njeri i përshpirtshëm, në një kohë kur ky cilësim nuk ngjallte nënqeshje, si sot, por ndrynte në vetvete admirimin për një njeri me karakter të epërm shpirtëror e njerëzor. I tillë qe, në kohën e vet, para 500 vjetësh, Pjetër Favri, me profesion “apostull”. Apostull i Ungjillit, apostull i Papës, apostull i karizmës së sapolindur të jezuitëve, të cilën do ta përhapte gjithandej përgjatë udhëtimeve të tij të shumta. Favri studioi në Paris dhe dha mësim për dy vjet në universitetin Sapienza, në Romë, por mësimdhënia e tij është si për të arsimuarit, ashtu edhe për analfabetët dhe për të nuk përbën asnjë ndryshim, kur Papa e çon të japë katekizëm nëpër fshatrat e Parmës. Njësoj do t’i duket edhe kur Papa, më vonë, i kërkon të shkojë në Gjermani, për të vendosur bisedime ndërmjet Kishës dhe protestantizmit të Luterit, që rritej dita-ditës. Nga ana tjetër, Favri është një jezuit i dashuruar me rrugën e hapur nga Shën Injaci, në të cilën bëhet meshtari i parë në maj të 1534 dhe më 15 gusht të të njëjtit vit, me themeluesin e Shoqërisë madhe pesë shokë të tjerë, bën kushtin e famshëm të Monmartrit, kushtin për të jetuar në varfëri e për të shkuar në Jeruzalem, me premtimin për t’u vënë në gatishmëri të Papës.
Lufta turko-venedikase i pengon të nisin shtegtimin, prandaj ajo bërthamë e parë e Urdhrit të ardhshëm shkon tek Papa Pali III. Papa u jep detyra tët ndryshme. Pjetër Favri fillon të udhëtojë nëpër Evropë. Predikon, mban Ushtrime Shpirtërore, viziton kuvendet, me një përkushtim dhe një qëndresë, që vënë në provë shëndetin e tij fizik. Ashtu, shëndetlig, niset për Romë, ku mbërrin më 17 korrik 1546, për të marrë detyrën e tij të fundit e më të madhen: të japë ndihmesën e tij për dialog në debatet e Koncilit të Trentos, me të cilin Kisha synon t’i përgjigjet Reformës së Luterit. Por Favri sëmuret në Romë e vdes më 1 gusht 1547.
Bukuria e shpirtit të Pjetër Favrit pasqyrohet në elegancën e spanjishtes dhe të latinishtes, me të cilat shkruan “kujtimet” e tij, një lloj ditari shpirtëror, që, bashkë me letërkëmbimin e tij, i japin shkëlqim margaritarit të fesë së tij dhe të stilit të jetës së tij prej të krishteri të thjeshtë.
Për lidhjen e Pjetër Favrit me Shën Injacin e Lojolës dhe për devocionin, që ka tërë Shoqëria e Jezusit për të, duke filluar nga Papa Françesku, radio Vatikani intervistoi postulatorin e përgjithshëm të Jezuitëve Atë Anton Witwer:
Ai takim qe themelor për tërë jetën e tij, sepse formimin shpirtëror e mori nga Shën Injaci. Megjithatë, edhe për vetë Shën Injacin ishte kthyer në një sfidues, veçanërisht për shkak të skrupujve që pati për një kohë të gjatë. Kjo e shtyu, pastaj, Shën Injacin, të vinte në librin e ushtrimeve shpirtërore rregullat për skrupujt. Në Shoqërinë e Jezusit , Pjetër Favri ka jetuar gjithmonë nën dëgjesë dhe ka qenë gjithmonë në mision për të tjerët: për Papën, për Eprorin e Përgjithshëm, për Perandorin, për Mbretin e Portugalisë, të Spanjës. E kështu, pikërisht për shkak të mundimit të madh të udhëtimeve, vdiq në moshën 40 vjeçare.
Ati i Shenjtë, Françesku, e vlerëson jashtë mase Pjetër Favrin dhe e ka quajtur, në intervistën dhënë për revistën jezuite, “prift reformator”. Çfarë do të thotë kjo?
Në fillim të gjithë jezuitët u quajtën priftërinj reformatorë, e jo vetëm Pjetër Favri, sepse e jetonin meshtarinë me varfëri – aspekt themelor – dhe u vunë në shërbim të gjithë Kishës, pa kërkuar asgjë. Kjo qe risia dhe ky aspekt ka mbetur në përshpirtërinë e Shoqërisë së Jezusit. Pse ky devocion i veçantë për Pjetër Favrin? Sepse ka qenë meshtari i parë i Shoqërisë. Ai e kremtoi meshën në të cilën shokët e parë, përfshirë edhe Injacin, bënë kushtin e Monmartrit, më 15 gusht 1534. E pas nisjes së Shën Injacit nga Spanja, Pjetër Favri qe drejtuesi shpirtëror i gjithë këtij grupi. Ndikimi i mënyrës si e jetonte ai meshtarinë ka qenë i madh për të gjithë shokët e tjerë. Për këtë arsye, në Shoqërinë e Jezusit, për sa i përket meshtarisë, ai është figura më e rëndësishme.
Pjetër Favri udhëtonte shumë dhe hyri në kontakt edhe me Reformën, njohu luftën ndërmjet kishave. Cila është sjellja për të cilën dallohet në situatat e vështira?
Pjetër Favri ka qenë gjithmonë njeri i pajtimit, i paqes. Ka parë te protestantët jo aq sulmin kundër Kishës, që vuante, por “padijen” e njerëzve për fenë. Prandaj thoshte: “Ajo që duhet të bëjmë, është të kumtojmë Ungjillin”. Ishte i bindur se kumtimi i vërtetë i fesë në Jezu Krishtin mund t’i shuante të gjitha ndasitë –edhe për ne sot është e rëndësishme – në atë masë në të cilën të gjithë rriten si të krishterë. Edhe bashkimi mund të kthehet në realitet.
Çfarë na thotë Pjetër Favri sot si katolikë?
Prej tij mund të mësojmë të shikojmë realitetin tonë, realitetin e përditshëm, me sytë e Jezu Krishtit.
Shën Pjetër Favri si shenjti i ndërgjegjes?
Është pajtori i shqyrtimit të ndërgjegjes, që të gjithë duhet ta bëjmë.








All the contents on this site are copyrighted ©.