2013-12-18 13:08:32

Kardinali Koch në Rusi: bashkëpunimi ndërmjet Kishës katolike dhe ortodokse është më i mirë


Vijon vizita e Kryetarit të Këshillit Papnor për Bashkimin e të Krishterëve, kardinalit Kurt Koch, në rusi. Dje, në Moskë, takimi me Metropolitin Hilarion, kryetari i Departamentit për marrëdhëniet kishtare me jashtë të Patrikanës së Moskës. Sot, në katedralen e Krishtit shpëtimtar, audienca me Kirilin, patriarkun e Moskës dhe të gjithë rusisë. Në një konferencë për shtyp në kryeqytetin rus, Kardinali tha se marrëdhëniet ndërmjet katolikëve dhe ortodoksëve rusë “janë përmirësuar: metropoliti Hilarion vjen shpesh në Romë. Vërejmë se në Moskë Kisha ka më shumë dëshirë për të ndërmarrë veprime të përbashkëta”.
Ka kaluar pak më shumë se një muaj nga audienca e Papës Françesku me Metropolitin Hilarion të Volokolamskut, të cilin ati i shenjtë e priti në Shtëpinë e Shën Martës më 12 nëntor. Tani Kardinali Kurt Koch gjendet në Rusi, në një udhëtim me ndalesa në Moskë e shën Pjetërburg dhe me disa takime me përfaqësues të Kishës ortodokse dhe të Kishës katolike. Dje, takimi me Metropolitin Hilarion, sot audienca me Patrikun Kiril. Për dëshirat në lidhje me takimin me Patrikun e Moskës dhe të gjithë Rusisë, të dëgjojmë Kardinalin Koch, në deklaratën që dha në Shën Pjetërburg për Radio Vatikanin:
Është tepër shpejt për të thënë diçka konkrete, por shpresoj se vizita ime do të ndihmojë për të thelluar marrëdhëniet ndërmjet Kishës ortodokse ruse dhe Kishës katolike. Dhe shpresoj se takimi me Patrikun Kiril do të favorizojë thellimin e çështjeve të përbashkëta ndërmjet Kishave. Kam vërejtur edhe një bashkëpunim më të madh me Kishën katolike, me Kishën e Romës, dhe këtë e vlerësoj shumë. Shpresoj se në të ardhmen ky bashkëpunim të mund të rritet e të përmirësohet edhe më shumë.
Për rrugën e dialogut ekumenik ndërmjet katolikëve e ortodoksëve flet Atë Germano Marani, docent i teologjisë dogmatike dhe i misiologjisë pranë Institutit Papnor Lindor dhe Universitetit Papnor Gregorian, njohës i thellë i ortodoksisë ruse:
2013 ka qenë një vit mjaft pozitiv për sa i përket marrëdhënieve ndërmjet Kishës katolike dhe asaj ortodokse ruse. Ka pasur përmirësime, edhe pse nuk janë aq të dukshme tani për tani, e mbi të gjitha vërehet se në gazetat ruse flitet më mirë për Kishën katolike dhe për çfarë ka lidhje me të. Sipas meje është një pikë e rëndësishme.
Çfarë e ka ndihmuar këtë progres?
Klima që po përmirësohet, marrëdhëniet e ndryshme, që po zhvillohen, shkëmbimet, edhe pse nuk shihen e nuk flitet për to.
Takimi i Kardinalit Koch me Patrikun Kiril ka ngjallur pritje. Gjatë bisedimeve mund të shqyrtohen temat ekumenike dhe ato ndërkombëtare: sfida e bashkimit në fe, doktrina shoqërore e Kishës, familja dhe paqja në Siri e në Lindjen e Mesme. Cilat janë pikat më të vështira dhe më të ngutshme?
Kriza siriane është një pikë e rëndësishme për Kishën Katolike, me thirrjet e Papës Françesku dhe me ditën e lutjes dhe të agjërimit më 7 shtatorin e kaluar, por edhe me gjithë shqetësimin për rrjedhojat që mund të ketë në Lindjen e Mesme. Besoj se një shqetësim i tillë prek edhe Kishën ortodokse ruse, hierarkinë e saj, e cila përcjell veprimin që, në një farë mënyre, është duke ndërmarrë gjatë këtyre muajve qeveria ruse.
Por për sa u përket aspekteve dogmatike, cilat janë temat që duhen trajtuar?
Besoj se sfida e bashkëpunimit të dukshëm ose dhënia e një shenje të dukshme të bashkimit mund të jetë me të vërtetë hapi i ardhshëm, i cili, në një farë mënyre, mund të përbëjë sfidën e madhe për të dyja Kishat. Duhet kaluar, pra, nga klima e përzemërt, e hapur, në bashkëpunimin e dukshëm në fushat e doktrinës shoqërore, të çështjes së vlerave të krishtera, të etikës. Janë sfida të përbashkëta për të dyja Kishat, në këtë çast, edhe në kontekstin evropian.
Sa mund të jetë i rëndësishëm dialogu nga pikëpamja e të krishterëve të përndjekur? Në një intervistë të kohëve të fundit, Papa Françesku ka thënë se në disa vende të krishterët i vrasin pa i pyetur a janë anglikanë, luteranë, katolikë apo ortodoksë. “Gjaku i përzier”, “për ata që vrasin, jemi të gjithë të krishterë”, ka shtuar Ati i Shenjtë.
Po, kjo është njëra ndër temat e mëdha që mbarim me vete që nga viti 2000. Martirizimi është dëshmia më e madhe e përbashkët e Kishave ortodokse, protestante, anglikane e katolike.
Sipas jush, a janë duke u vënë bazat për një takim ndërmjet Papës Françesku dhe Patrikut Kiril?
Sipas meje, kemi mbërritur tek një sfidë e vogël, që është kjo: “Të japim një shenjë të dukshme të përbashkët!”. Nëse kjo do të jetë takimi i Papës Françesku me Patrikun Kiril, këtë nuk mund ta them. Sigurisht flitet për këtë gjë, sikurse është folur e do të flitet. Sidoqoftë, në këtë moment, ndoshta, dhënia e një shenje, e një simboli, diçka që mund të ketë lidhje me dëshirën për bashkim të Papës Françesku dhe të Patrikut Kiril, diçka e dukshme për të gjithë, do të ishte një gjë shumë e bukur.








All the contents on this site are copyrighted ©.