2013-12-17 16:03:24

Papa: nuk i shërbejmë Ungjillit për fitim personal. Gjithçka kemi është për të varfërit


Në Kishë, të gjithë duhet të mësojnë se Ungjillit i shërbehet pa kërkuar lavdi e fitime personale. Një nga shtyllat, mbi të cilat mbështetet magjisteri i Papës Françesku, spikat ndërmjet rreshtave të Mesazhit të gjatë, që Ati i Shenjtë i dërgoi sot Urdhërit të së Shenjtnueshmes Trini, në 800-vjetorin e vdekjes së themeluesit, shën Huan de Mata dhe, në 400-vjetorin e vdekjes së reformatorit, shën Gjon Baptisti i Zojës së Papërlyer. Të dy, protagonistë të një jete të qetë e të sigurtë, pasi pranuan thirrjen e Zotit, e ndryshuan krejtësisht ekzistencën, në favor të nevojtarëve. Për Papën Françesku, ky është shembull për t’u imituar: të dy shenjtorët, shkruan, ditën ta përballonin sfidën, që u shtrohej përpara, ditën ta mohojnë vetveten, ta marrin mbi supe Kryqin e Krishtit e ta lenë veten krejtësisht në duart e Zotit, që Ai t’i udhëhiqte. Si ata, vazhdon Ati i Shenjtë, të gjithë jemi të thirrur ta provojmë gëzimin, që rrjedh nga takimi me Jezusin, duke kapërcyer egoizmin e duke shkuar me guxim në të gjitha anët, ku ndjehet nevoja e dritës së Ungjillit.
Papa kujton se si, në shekuj, Urdhëri i së Shenjtnueshmes Trini ka qenë “shtëpi e të varfërve, vend ku shëroheshin plagët e trupit e të shpirtit, së pari me lutje e pastaj me impenjimin pa kushte dhe me shërbimin pa interes e plot dashuri. Trinitarët, shkruan Ati i Shenjtë, e kanë të qartë se në Kishë, çdo përgjegjësi apo autoritet duhet jetuar si shërbim. Prandaj, puna jonë, thekson Papa Françesku, duhet zhveshur nga çdo dëshirë për fitim personal, duke i përdorur talentet e dhuruara prej Zotit për të ndihmuar të varfërit. Këta janë shumë, vazhdon Papa, i shohim çdo ditë e nuk mund ta kthejmë kryet nga ana tjetër, duke u mjaftuar vetëm me fjalën e mirë. Krishti nuk pati bërë kështu. Mesazhi mbyllet me kërkesën për lutje. Kur të luteni për Ipeshkvin e Romës, u thotë Ati i Shenjtë trinitarëve, vendoseni emrin tim pranë të varfërve, që të mos i harroj, ashtu si nuk i harroi Jezu Krishti, i cili i mbante thellë në zemër. I dërguar për t’u kumtuar atyre Lajmin e Mirë, përmes varfërisë së Tij, na pasuroi të gjithëve.







All the contents on this site are copyrighted ©.