2013-12-17 15:29:25

Papa: Hyji i ka lejuar njerëzit të shkruajnë historinë e tij


Sot në mëngjes, në ditëlindjen e tij, Ati i Shenjtë ka dashur që në meshën në Shtëpinë e Shën Martës të ishte i pranishëm personeli i vetë shtëpisë, për ta përjetuar kremtimin në një klimë familjare. Ungjilli i sotëm i breznive plot me emrat e paraardhësve të Jezusit, i dha shkas Papës për të kujtuar, me dashuri, gjatë meshës, edhe emrat e disa nëpunësve të pranishëm. Bashkë me Papën kremtoi edhe dekani i Kolegjit të Kardinalëve, Kardinali Angelo Sodano, i cili përfaqësoi Kolegjin. Pas meshës, si gjithmonë, Papa përshëndeti të gjithë të pranishmit një nga një. Sekretari i Shtetit, Imzot Pietro Parolin, i shprehu urimet Papës edhe në emër të bashkëpunëtorëve të Sekretarisë së Shtetit. Urimeve për Atin e Shenjtë iu bashkua edhe lëmoshtari, Imzot Konrad Krajevski, i cili solli tek Papa katër të pastrehë, që banojnë përreth Vatikanit. Të pranishmit, bashkë me drejtorin e Shtëpisë së Shën Martës, i shprehën urimet me një këngë. Më pas, të gjithë kanë ngrënë mëngjesin së bashku në mensën e Shën Martës.
Hyji nuk na lë kurrë vetëm, por gjithmonë ecën me ne. Papa Françesku, duke lexuar Ungjillin e sotëm, që tregon breznitë para Jezusit, u ndal tek tema e pranisë së Zotit në jetën tonë:
“Kam dëgjuar se dikush ka thënë se kjo pjesë e ungjillit duket si një listë telefonike! Eh jo, është krejtësisht diçka tjetër: kjo pjesë e Ungjillit është histori e pastër dhe përmban një argument të rëndësishëm. Është histori e pastër, sepse Hyji, siç thoshte Shën Leoni Papë, Hyji ka dërguar Birin e tij. Dhe Jezusi është i njëgjëjtë me Atin, me Hyjin, por edhe me Nënën, me një grua. E kjo është njëgjëjësia me Nënën. Hyji është bërë histori. Hyji ka dashur të bëhet histori. Është me ne. Ka bërë udhë me ne”.
Pas mëkatit të parë, në Parajsë, nënvizoi Papa, Ai ka pasur këtë ide: të bëjë udhë me ne. Ka thirrur Abrahamin, i pari që përmendet në këtë listë, dhe e ka dërguar për të ecur. E Abrahami e ka nisur atë udhë. E pastaj Isakun, Jakobin, Judën. E kështu kjo udhë e përshkon historinë. Hyji, pohoi Papa, “ecën me popullin e tij. Hyji nuk ka dashur të vijë për të na shëlbuar pa historinë. Ai ka dashur të bëjë histori me ne”. Një histori, theksoi, që “shkon nga shenjtëria tek mëkati. Në këtë listë ka shenjtër, por ka edhe mëkatarë”:
“Mëkatarë të një niveli të lartë, që kanë bërë mëkate të mëdha. E Hyji ka bërë histori me ta. Mëkatarë që nuk i janë përgjigjur çdo gjëje që Hyji mendonte për ta. Të mendojmë Salomonin, aq i madh, aq i mençur, e përfundoi deri në atë pikë, që nuk dinte as si quhej! Por Hyji ishte me të. E kjo është e bukur, apo jo? Hyji është i njëgjëjtë me ne. Bën histori me ne. Edhe më shumë: kur Hyji do të thotë se kush është, thotë: “Unë jam Hyji i Abrahamit, i Isakut, i Jakobit, i Pjetrit, i Marjetës, i Marizës, i Simonit, i të gjithëve. Prej nesh merr mbiemrin. Secili prej nesh është mbiemri i Hyjit”.
Ai, Hyji ynë, shtoi Papa, ka bërë histori me ne, e ka marrë mbiemrin nga emri ynë, ka lejuar që t’ia shkruajmë ne historinë: “Ne e shkruajmë këtë histori hiri e mëkati dhe ai ecën pas nesh”. Kjo është përvuajtëria e Hyjit, durimi i Hyjit, dashuria e Hyjit. E kjo, tha Papa, na mallëngjen.
“Gëzimi i tij ka qenë të ndante jetën me ne. Libri i Urtisë thotë se gëzimi i Zotit është mes bijve të njeriut, me ne. Tani që po afrohet Krishtlindja, të vjen të mendosh: nëse ai e ka bërë historinë e vet me ne, nëse Ai e ka marrë mbiemrin nga ne, nëse Ai na ka lejuar t’ia shkruajmë ne historinë, atëherë ne ta lejojmë që ta shkruajë Ai historinë tonë. Kjo është shenjtëria: ‘Ta lejojmë Zotin të shkruajë historinë tonë’. E ky është urimi i Krishtlindjeve për të gjithë ne. Zoti e shkroftë historinë tënde e ti e lejofsh që ta shkruajë! Ashtu qoftë!”








All the contents on this site are copyrighted ©.