2013-12-17 10:27:37

Kremtimet e Papës Françesku në periudhën e Krishtlindjes


Po afrohet java e madhe e Krishtlindjes, me kremtimet më të rëndësishme të kësaj kohe, gjatë së cilës jemi përgatitur për pritjen e lindjes së Krishtit. Papa Françesku do të kremtojë meshën në Bazilikën e Vatikanit, të martën, 24 dhjetor, në orën 21.30, pra në Natën e Krishtlindjes. Të nesërmen, dita e lindjes së Shëlbuesit të botës, Ati i Shenjtë do t’i drejtojë Romës e botës mesazhin e bekimin “Urbi et Orbi”, sipas traditës, në mesditë, nga Llozha qendrore e Bazilikës. Do të vazhdojë veprimtaritë e zakonshme deri në dy ditët në kapërcyell të vitit.
Më 31 dhjetor, Natën e Vitit të Ri, Papa Françesku do të kremtojë Mbrëmësoret e para të Solemnitetit të Nënës së Zotit, për të vazhduar me adhurimin e të Shenjtueshmit Sakrament e me himnin “Te Deum”, që falenderon Zotin për të mirat e vitit 2013. Në fund, Ati i Shenjtë do t’u japë të gjithëve Bekimin Eukaristik. Të mërkurën, 1 janar 2014, në orën 10.00, Ati i Shenjtë do të kremtojë meshën e Solemnitetit të Nënës së Zotit. Po më 1 janar kremtohet Dita Botërore e Paqes. Mesazhi i Papës për këtë rast përqendrohet tek vëllazërimi. Vërtet, tema e sivjetme është “Vëllazërimi, themel e udhë për paqen”.
Kremtimi i fundit, që mbyll periudhën e Krishtlindjes, është ai në festën e Dëftimit të Zotit, më 6 janar 2014. Papa Françesku do të kremtojë meshën, në orën 10.00, në Bazilikën e Vatikanit.








All the contents on this site are copyrighted ©.