2013-12-15 14:46:19

Françesku në Engjëllin e Tënzot: Kisha është shtëpi gëzimi e jo strehë për njerëz të trishtuar


“Kisha nuk është strehë për njerëz të trishtuar”. Kështu u shpreh sot Papa në lutjen e Engjëllit të Tënzot, në të dielën e tretë të Kohës së Ardhjes, kohë gëzimi, nësa afrohet gjithnjë më shumë Krishtlindja. Papa Françesku përshëndeti fëmijët e shumtë, sot në Sheshin e Shën Pjetrit për të bekuar shtatoret e Krishtit Fëmijë, të cilat, pastaj, do t’i vendosin në Shpellat e tyre të Betlehemit e u kërkoi të luten për të.

Në “të Dielën e gëzimit”, nuk mund të mos ngazëllojmë, sepse Zoti është fare pranë. E mesazhi i krishterë është lajm i mirë për mbarë popullin, që galdon:
Kisha nuk është strehë për njerëz të trishtuar; Kisha është shtëpia e gëzimit!”.
Po ky i Ungjillit nuk është çfarëdolloj gëzimi, sqaroi Papa. Është gëzim i arsyeshëm. Njeriu gëzon, nga që e di se Zoti e pret, Zoti e do, Zoti vjen ta shpëtojë, Zoti e ndihmon, çdo njeri, e posaçërisht, atë që e lëshon zemra:
“Ardhja e tij ndër ne na forcon, na bën të patundur, na jep zemër, lulëzon shkretëtirën e stepën, domethënë zemrën tonë, kur është e shkretë. E kur shkretohet jeta jonë? Kur i mungon uji i Fjalës së Zotit e i Shpirtit të Tij të dashurisë”.
Por sado të shumta të jenë kufizimet tona, e sado të na ketë lëshuar zemra, Papa Françesku na kujton se ...
“… nuk na lejohet të jemi të plogësht e të lëkundur përballë vështirësive; e as përballë vetë ligështive tona”.
Përkundrazi, Papa na fton t’i çelnikosim duart, t’i forcojmë gjunjët e këputur nga udhët e gjata të jetës e, sidomos, të mos kemi frikë, sepse Zoti e dëshmon gjithnjë madhështinë e mëshirën:
Falë ndihmës së Tij mund të rifillojmë gjithnjë nga e para: e si u filloka nga e para? Ndokush mund të më thotë: ‘Jo, o Atë, kam bërë gjithë të zezat… Jam mëkatar i madh, mëkatare e madhe…Unë nuk mund t’ia nis më nga e para’. Gabohesh! Ti mund t’ia nisësh përsëri nga fillimi! Pse? Sepse Zoti të pret, Ai është pranë teje, Ai të do, Ai është i mëshirshëm, Ai të fal, Ai të jep forcë të nisësh nga e para! Na jep të gjithëve! Jemi të aftë t’i hapim rishtas sytë, ta mundim trishtimin e vajin e të nisim një këngë të re!”.
E këtij gëzimi të vërtetë, s’ka ç’i bën as prova, as vuajtja…:
“…sepse nuk është i cekët, por zbret në thellësi të zemrës, që lëshohet plotësisht në dorë të Zotit e i beson me gjithë vetveten”.
Ata, që janë takuar me Jezusin në udhën e jetës, e kanë zemrën në paqe, të mbushur plot me një gëzim, të cilin nuk mund t’ua rrëmbejë askush, sado t’i sulmojë, t’i mënijë, t’i mundojë:
“Prandaj, kur i krishteri trishtohet, do të thotë se është larguar nga Jezusi. E atëherë nuk duhet ta lëmë vetëm! Duhet të lutemi për të e ta ndihmojmë ta ndjejë ngrohtësinë e bashkësisë”.
Pastaj, lutja drejtuar Marisë, që të na nxjerrë hirin ta jetojmë gëzimin e Ungjillit në familje, në punë, në famulli e në çdo ambient. Një gëzim i thellë, gëzim zemre, gatuar me frymën e mrekullisë e të dashurisë:
“Gëzimi, që provon nëna, kur shikon foshnjën e saj të posalindur e ndjen se është dhuratë e Zotit, mrekulli, për të cilën mundesh vetëm të falënderosh”.
E gëzimi i madh sot dukej sidomos në sytë e fëmijëve, ngulur tek dritarja e Papës. Ishin aty në Sheshin e Shën Pjetrit, me shtatoret e Krishtit Fëmijë, për Shpellat e tyre të Betlehemit. E Papa ua bekoi e, pas lutjes mariane, i përshëndeti me dashuri të madhe:
“Të dashur fëmijë, kur të luteni para Shpellës suaj të Betlehemit, kujtojuni për mua; e edhe unë do të kujtohem për ju. Ju falënderoj, e ju uroj gëzuar Krishtlindjen!”.
E fëmijët, ngarkuar me gëzimin e së dielës gazmore e me gazmendin e fjalëve të Papës, u larguan, pas turmës vigane, nga Sheshi i Shën Pjetrit, stolisur për festë, për t’u rikthyer në shtëpitë e tyre. Aty i kanë tashmë gati Shpellat e Betlehemit. Mungon vetëm Foshnja Hyjnore, që e bekuan sot e që do ta vendosin në grazhdin me kashtë në mesnatën e Solemnitetit. Do të gjunjëzohen, pastaj, para Ferishtes Hyjnore, duke iu lutur në heshtje për realizimin e dëshirave të tyre foshnjore, pa harruar edhe porosinë që u dha sot Françesku: “Lutuni për mua”.









All the contents on this site are copyrighted ©.