Papa Françesku: Bredhi i Krishtlindjes, shenjë e gëzimit të Jezusit, që ndriçon botën
Edhe sot Jezusi vjen për ta davaritur errësirën e botës, me dritën e vet. Janë fjalët
e Papës Françesku, frymëzuar nga Koha e Ardhjes, me të cilat priti e falënderoi, në
Vatikan, delegacionin e shumënumërt, shtegtar nga Bavaria, në Romë, për të marrë pjesë,
sot pasdite, në orën 16.30, në ndriçimin e Bredhit të Krishtlindjes, dhuruar pikërisht
nga ky land gjerman.
Shtatë tonelata gjethimi, veshur me vezullime, me majën
lartuar drejt qiellit, flasin vetë për zanafillën e dritës së madhe e cila, dymijë
vjet më parë, i hapi botës rrugën e shpresës e të shëlbimit. Bredhi madhështor bavarez
i Krishtlindjes, që sonte ndriçoi Sheshin, ku rreh zemra e krishterimit, ka pikërisht
këtë vlerë simbolike. E Papa Françesku e nënvizoi, duke pritur 350 shtegtarët, mysafirë
nga Bavaria, në Romë, një kurorë e vërtetë njerëzore, rreth Pemës së Dritës e të
dritave. Vijon, kështu, nga viti në vit, kjo traditë e mrekullueshme, që ia kumton
dritën e Krishtit mbarë botës, nga Sheshi i Shën Pjetrit: “Për Krishtlindje
jehon përsëri ëmbëlsisht në të katër anët e botës kumti, që u dha engjëlli barinjve
të Betlehemit: ‘Sot, në qytetin e Davidit, lindi për ju Shëlbuesi, Krishti Zot!’.
E këta barinj, na kujton Ungjilli, i mbështolli një dritë e madhe. Edhe sot Jezusi
vijon ta davaritë errësirën e gabimit e të mëkatit, për t’i sjellë njerëzimit gëzimin
e dritës flakëruese hyjnore, të cilën e simbolizon dhe e kujton Bredhi i Krishtlindjes”. Kanë
kaluar 30 vjet, që nga viti 1984, kur një Bredh tjetër i ardhur nga Gjermania, pati
zbukuruar Sheshin e Shën Pjetrit. Ndërsa Bredhi, që u ndriçua sonte, erdhi këtu nga
Waldmünchen, Palatinati i Epërm. E bashkë me të erdhën në Vatikan edhe shumë bredha
më të vegjël, që zbukurojnë tashmë mjediset e ndryshme të Selisë Apostolike: “Me
këto dhurata, shumë të këndshme, ju shprehët afërsinë shpirtërore e miqësinë, që lidh
mbarë Gjermaninë, e posaçërisht Bavarinë, me Selinë e Shenjtë, në gjurmët e traditës
së krishterë, që fekondoi kulturën, letërsinë e artin e Kombit tuaj e të mbarë Evropës”. Kujtojmë
se Bredhi, me diametër 98 cm e peshë 7,2 tonelata, është i lartë 25 metra. Sipas
traditës, ishin punëtorët e Governatoratit të Vatikanit ata, që e zbukuruan për festë.
Më pas, druri i bredhit, gjithnjë sipas traditës, do të përpunohet për të prodhuar
sende të vogla të përdorimit të përditshëm dhe lojra, nga shitja e të cilave financohen
shoqata bamirëse.