2013-12-13 17:19:06

Atë Cantalamessa: Shën Françesku, model për një Kishë të përvuajtur, që shërben me dashuri


Përvujtnia e Shën Françeskut të Asizit në qendër të predikimit të dytë të ardhjes. Predikatari i Shtëpisë Papnore, Atë Raniero Cantalamessa, u ndal përsëri tek disa aspekte të Skamnorit të Asizit gjatë fjalës së tij para Atit të Shenjtë, në kapelën Redemptoris Mater, në Vatikan.
“E vërteta para Hyjit” dhe “shembulli i Krishtit”. Këto janë dy burimet e dritës së përvujtnisë së Shën Françeskut të Asizit, në përsiatjen e Atë Cantalamessa-s para Papës dhe Kurjes Romake. Sot, tha predikatari i Shtëpisë Papnore, gjithë bota “rend pas Françeskut”:
“Bota shkon pas Françeskut, sepse sheh të realizuara tek ai ato vlera, që i dëshiron çdo njeri: lirinë, paqen, paqen me vetveten dhe me gjithësinë e krijuar, vëllazërinë dhe gëzimin. Porse ne do të flasim për një veti të Françeskut, për të cilën bota nuk ka asnjë aspiratë. Janë të paktë ata që synojnë ta arrijnë, por është rrënja e të gjitha atyre vlerave, që kemi përmendur: është përvujtnia”.
Përvujtnia mund të kuptohet duke shikuar Marinë, e cila e kishte këtë virtyt “në shkallën më të lartë”, tha frati kapuçin, por nuk e dinte. E kjo është e mira e përvujtnisë: ajo “është një parfum që nuk e ndjen ai që e përhap, por ai që e merr”. Në rastin e Shën Françeskut “jemi përballë përvujtnisë esenciale, përvujtnisë së krijesës, që bëhet e vetëdijshme për veten para Hyjit”:
“Për sa kohë njeriu të matet me veten, me të tjerët ose me shoqërinë, nuk e njeh kurrë vetveten: i mungon masa e saktë. Françesku pati saktësisht këtë tip të përvujtnisë teologjike. Thoshte: ‘Njeriu është ai që është para Hyjit. Ai e asgjë më shumë’”
Të jesh i përvuajtur, shpjegoi Atë Cantalamessa, do të thotë “të shohësh një herë Hyjin e pastaj veten”. Ajo që i bën përshtypje Shën Françeskut është përvujtnia e Hyjit:
“Françesku ka kapur një të vërtetë shumë të thellë rreth Hyjit, që duhet të na çudisë pa masë edhe ne, fort të nderuar Etër e vëllezër: Hyji është përvujtni, sepse është dashuri”.
Dashuria, për vetë natyrën e saj, tha predikatari i Shtëpisë Papnore, krijon “vartësi dhe vartësia është përvujtni: për këtë arsye, shtoi, Hyji është përvujtni, sepse është dashuri”:
“Shfaqja e dukshme e përvujnisë së Hyjit shihet në kundrimin e Krishtit, i cili ulet në gjunjë para nxënësve të vet, për t’u larë këmbët. E, mund ta marrim me mend, ishin këmbë të palara! Shihet edhe më shumë kur, i rënë nën pafuqinë e skajshme të kryqit, vijon të dojë, pa dënuar kurrë”.
Françesku e ka kapur lidhjen ndërmjet përvujtnisë së Hyjit dhe mishërimit. Kështu zbulojmë se përvujtnia “nuk qëndron kryesisht në të qenët ‘të vegjël’, sepse mund të jemi të vegjël pa qenë të përvuajtur”. Kur jemi të përvuajtur?
“Kur bëhemi të vegjël jo për ndonjë nevojë, por për dashuri, për të lartësuar të tjerët”.
Kështu ka veprur Jezusi, që “u përvujtërua, siç u mishërua”, shpjegoi Atë Cantalamessa. Fytyra e re e përvujtnisë përmblidhet me një fjalë: “shërbimi”. Për t’u bërë “i pari”, duhet të bëhesh “i fundit”, tha frati kapuçin, i cili shtoi se, “nëse Hyji është përvujtni, edhe Kisha duhet të jetë përvujtni; nëse Krishti shërbeu, edhe Kisha duhet të shërbejë, për dashuri”:
“Besoj se Kisha, në përgjithësi, i ka treguar botës për një kohë tepër të gjatë të vërtetën e Krishtit, por jo sa duhet dhe me të njëjtën qartësi përvujtninë e Krishtit”.
Me përvujninë e Krishtit, përfundoi atë Cantalamessa, fashiten armiqësitë, shkrehen paragjykimet dhe hapet udha e pranimit të Ungjillit”.








All the contents on this site are copyrighted ©.