2013-12-12 13:45:18

Mesazhi i Papës për paqen: të ripërtërijmë vëllazërinë në familje, në ekonomi e në marrëdhëniet mes popujve


Pa vëllazëri është e pamundur të ndërtojmë një shoqëri të drejtë dhe të vendosim paqen e qëndrueshme e jetëgjatë, thotë Papa Françesku në mesazhin e tij të parë për Ditën Botërore të Paqes, botuar sot. Tema e dokumentit është: “Vëllazëria, themeli dhe udha e paqes”. Papa drejton edhe një thirrje shungulluese për ata që mbjellin dhunë e mort, që të heqin dorë nga armët, dhe denoncon korrupsionin dhe krimin e organizuar.
(Alessandro Gisotti)
“Hiqni dorë nga armët dhe shkoni drejt të tjerëve me dialog, duke falur dhe duke u pajtuar, për të rindërtuar drejtësinë, besimin dhe shpresën përreth jush”. Kjo është thirrja e ngutshme, që u drejton Papa, në mesazhin e tij të parë për Ditën Botërore të Paqes, “atyre që, me armë, mbjellin dhunë e mort”. Dhe shton: “Zbuloni edhe një herë vëllain tuaj tek ai që sot e shihni vetëm si armikun që duhet vrarë, dhe ndalni dorën!”. Papa, që uron pendimin me gjithë zemër, drejton edhe thirrjen për “çarmatosje nga ana e të gjithëve, duke filluar nga çarmatosja bërthamore e kimike”. Edhe sepse, vëren me hidhërim, “përderisa do të qarkullojnë kaq shumë armatime”, “do të gjenden gjithmonë pretekste të reja për të ndezur mëritë”.
Shtylla kryesore e dokumentit të Papës është vëllazëria, “përmasa thelbësore e njeriut”, shkruan Papa, pa të cilën “është i pamundur ndërtimi i një shoqërie të drejtë” dhe i “paqes së qëndrueshme e jetëgjatë”. E menjëherë saktëson se “një shoqëri që nuk ka lidhje me një Atë të përbashkët, që është themeli i saj më i thellë, nuk rri dot më këmbë”. “Vëllazëria e vërtetë mes njerëzve, thekson, nënkupton dhe lyp atësinë transcendente”. Rrënja e vëllazërisë, lexohet në mesazh, “gjendet në atësinë e Hyjit”, “atësi që i jep jetë vëllazërisë”, e cila e shndërron ekzistencën tonë. Në lidhje me këtë, Papa vë në duke si tregimi i Kainit dhe Abelit na mëson se “njerëzimi e mbart të shkruar brenda vetes thirrjen për vëllazëri, por edhe mundësinë dramatike të tradhtimit të saj”.
Papa thotë, pra, se thirrja për vëllazëri kundërshtohet shpesh sot nga globalizimi i indiferencës, që dalëngadalë “na bën të mësohemi me vuajtjen e të tjerëve dhe na mbyll në vetvete”. Luftërave me armë “u shtohen luftëra më pak të dukshme, por jo më pak të kobshme, që luftohen në fushën ekonomike dhe financiare me mjete po aq shkatërrimtare për jetën e njerëzve, për familjen dhe për sipërmarrjet”.
Françesku citon dokumentin Populorum progressio të Palit VI dhe Sollicitudo rei socialis të Gjon Palit II për të pohuar edhe një herë se “jo vetëm njerëzit, por edhe kombet duhet të takohen me frymën e vëllazërisë” dhe shton se paqja “është një e mirë e pandashme. Ose është e mira e të gjithëve, ose e askujt”. Vëllazëria është edhe kryeudha për të mundur varfërinë. Në të njëjtën kohë, thotë Papa, “nevojiten politika që e mbështesin parimin e vëllazërisë”, që u sigurojnë njerëzve mundësinë për të thithur kapitale dhe pasuri. Ati i Shenjtë vë në dukje edhe nevojën për të zhvilluar politika për zbutjen e pabarazisë së tepruar në ndarjen e të ardhurave.
Duke folur për krizën e sotme ekonomike dhe financiare, Papa vë në dukje se ajo lind nga “largimi gjithnjë në rritje i njeriut nga Hyji dhe nga i afërmi, në kërkimin e pangopur të të mirave materiale” dhe nga “zvjerdhja e marrëdhënieve mes njerëzve dhe në shoqëri”. Papa Françesku nënvizon se “krizat e njëpasnjëshme ekonomike duhet të na bëjnë të mendojmë edhe një herë nga e para modelet e zhvillimit ekonomik dhe të ndryshojmë stilin e jetës”. Kriza e sotme “mund të jetë edhe një rast i volitshëm për të rifituar virtytin e urtisë, të përkorjes, të drejtësisë dhe të forcës”. Njeriu, thotë mesazhi, “mund të bëjë më shumë sesa të kërkojë deri ku s’shkon interesin vetjak”. Pastaj Papa Françesku denoncon me forcë korrupsionin dhe krimin e organizuar. Bashkësia politike, thotë, “duhet të veprojë në mënyrë të nëpërdukshme (transparente) dhe të përgjegjshme” për të vendosur paqen sociale. Qytetarët “duhet të ndjehen të përfaqësuar nga pushtetet publike, në respekt të lirisë së tyre”. Por, vëren, “shpesh herë ndërmjet qytetarëve dhe institucioneve hyjnë interesa të pjesshme, që e deformojnë këtë marrëdhënie dhe e bëjnë të lehtë krijimin e klimës së përhershme të konfliktit”.
Papa Françesku nuk lë pa denoncuar egoizmin, që zhvillohet në shoqëri “si me anë të formave të ndryshme të korrupsionit, që sot është i përhapur në mënyrë kapilare, ashtu edhe nëpërmjet formimit të organizatave kriminale, nga grupet e vogla tek ato në shkallë globale”. Këto organizata, thotë, “fyejnë rëndë Hyjin, dëmtojnë vëllezërit dhe botën e krijuar, aq më shumë kur kanë natyrë fetare”. Papa numëron edhe disa nga dramat e kohës sonë, si droga, shfrytëzimi punëtorëve, “trafikimi i neveritshëm i organeve njerëzore” dhe “abuzimet me të miturit”. Përmend në mënyrë të veçantë “kushtet çnjerëzore të shumë burgjeve, ku i burgosuri katandiset shpesh në një situatë nën-njerëzore dhe dhunohet në dinjitetin e vet njerëzor. Paragrafi i fundit i mesazhit i kushtohet ruajtjes së natyrës. Edhe këtu, pohon, lipset vëllazëria, sepse “shpesh herë na udhëheq babëzia, krenaria e pushtetit” dhe nuk e shohim natyrën se “një dhuratë falas” që “duhet vënë në shërbim të vëllezërve”. Papa përtërin thirrjen kundër skandalit të urisë në botë: “Është një detyrë e ngutshme, shkruan, të përdoren të mirat e tokës për t’i liruar të gjithë njerëzit nga uria”.
Mesazhi, që është firmosur me 8 dhjetor, e Kremtja e Zojës së Papërlyer, përfundon me një lutje drejtuar Marisë, që “të na ndihmojë të kuptojmë e të jetojmë çdo ditë vëllazërinë që buron nga zemra e Birit të saj, për ta çuar paqen tek çdo njeri, mbi tokën tonë të dashur”.








All the contents on this site are copyrighted ©.