Sot përfundojmë paraqitjen e enciklikës Drita e fesë. Jemi në kapitullin e katërt,
që i kushtohet përmasës publike të fesë së krishterë dhe rolit të saj në jetën e shoqërisë.
Në përfundim të kapitullit të katërt dhe të gjithë enciklikës, flitet për misterin
e vuajtjes dhe dritën e fesë brenda errësirës së dhimbjes njerëzore: “Të flasësh për
fenë, shpesh herë do të thotë të flasësh për provat e dhimbshme, por pikërisht tek
këto e sheh Shën Pali kumtimin më bindës të Ungjillit, sepse tek dobësia dhe tek
vuajtja del në pah dhe zbulohet fuqia e Hyjit, që e tejkalon dobësinë dhe vuajtjen
tonë” (n.56). Krishti, duke u bërë njeri, e ka përqafuar vuajtjen deri në rrjedhojën
e saj më të skajshme, që është vdekja. Feja në Krishtin nuk na i mbyll sytë përballë
vuajtjes, as na shtyn të shpresojmë se mund apo duhet ta shmangim atë, por ndez brenda
errësirës së vuajtjes dritën e Hyjit, që na udhëheq nëpër këtë errësirë: “I krishteri
e di se vuajtja nuk mund të zhduket, por mund të gjejë kuptim, mund të bëhet vepër
dashurie, lëshim në duart e Hyjit, që nuk na braktis, dhe, kështu, mund të na rrisë
në fe dhe në dashuri” (n.56). Duke marrë pjesë në dhimbjen e botës, i krishteri mëson
të ketë vështrimin e Krishtit. Në historinë e Kishës janë të shumtë ata që kanë parë
tek të vuajturit ndërmjetësit e dritës. Ndër ta spikasin Shën Françesku i Asizit dhe
Nënë Tereza e Kalkutës. Feja e tyre nuk ka mëtuar ta shpjegojë misterin e të keqes
e të shpërndajë krejtësisht errësirën e saj, por u ka shërbyer si llambë në shtegun
e natës. Shërbimi që feja i bën shoqërisë, për sa i përket misterit të vuajtjes, është
shërbimi i shpresës, sepse feja tërheq të ardhmen, që vjen nga Krishti i ringjallur.
Ai e ka mundur të keqen, duke kaluar përmes të keqes. Feja është e lidhur me shpresën
dhe të dyja janë të lidhura me dashurinë, sepse kujdesi për të vuajturit është vepër
e dashurisë. “E bashkuar me fenë dhe dashurinë, shpresa na projekton drejt një të
ardhmeje të sigurt, që gjendet në një perspektivë të ndryshme nga perspektiva e parashtrimeve
të rreme të idhujve të botës, dhe na jep një hov të ri dhe një forcë të re në jetën
e përditshme” (n. 57). Enciklika përfundon me paraqitjen e Marisë si ajo që ka
besuar, prandaj është e lume (Lk 1,45): “Nëna e Zotit është ikona e përsosur e fesë,
siç do të thotë Shën Elizabeta: ‘Lum ajo që ka besuar’” (Lk 1,45). Tek ajo fara e
fjalës gjeti tokën e mirë . Kjo tokë është zemra, ku Maria ruajti me kujdes gjithçka
bënte Zoti me të. Ajo është shembulli më i mirë se si feja e përfshin njeriun dhe
përcakton krejtësisht rrjedhën e jetës: “Mund të themi se në të Lumen Virgjërën Mari
vërtetohet se si besimtari përfshihet katërcipërisht në shpalljen e fesë. Maria, falë
lidhjes së saj me Jezusin, është e lidhur ngusht me atë çfarë besojmë. Në ngjizjen
virgjërore të Marisë kemi një shenjë të qartë të bijësisë hyjnore të Krishtit. Zanafilla
e amshuar e Krishtit është në Atin, Ai është Biri në kuptimin e plotë dhe të vetëm;
për këtë arsye lind në kohë pa ndërhyrjen e një burri. Duke qenë Biri, Jezusi i sjell
botës një fillim të ri dhe një dritë të re, plotësinë e dashurisë besnike të Hyjit,
që u dorëzohet njerëzve. Nga ana tjetër, amësia e vërtetë e Marisë i ka siguruar Birit
të Hyjit një histori të vërtetë njerëzore, një trup të vërtetë, në të cilin do të
vdesë mbi kryq e do të ringjallet nga të vdekurit. Maria do ta shoqërojë deri në kryq
(shih Gj 19,25), prej ku amësia e saj do t’i dhurohet çdo nxënësi të Birit të vet.
Edhe pas ringjalljes dhe ngjitjes së Jezusit në qiell do të jetë e pranishme në dhomën
e darkës së fundit, për të thirrur me apostujt dhuratën e Shpirtit të Shenjtë” (n.
59). Pra, të gjitha misteret e jetës së Krishtit kanë prekur tërë jetën e Marisë,
prandaj ajo është ikonë e jetës së krishterë. Prandaj Papa i drejton këtë lutje: Ndihmoje,
o Mari, fenë tonë! Na e çel dëgjimin e Fjalës, që ta njohim zërin e Hyjit dhe thirrjen
e tij. Zgjo në ne dëshirën për të ndjekur hapat e tij, duke dalë nga toka jonë
dhe duke pranuar premtimin e tij. Na ndihmo të na prekë Ai me dashuri, që ne ta
prekim me fe. Na ndihmo të kemi besim të plotë tek Ai, të besojmë në dashurinë
e tij, mbi të gjitha në momentet e vuajtjes dhe të kryqit, kur feja jonë është e thirrur
për t’u pjekur. Mbill në fenë tonë gëzimin e të Ringjallurit. Na e kujto se
kush beson, nuk është kurrë i vetëm. Na mëso të shohim me sytë e Jezusit, që ai
të jetë dritë në udhën tonë. E kjo dritë e fesë u rrittë gjithmonë në ne, deri kur
të mbërrijë dita pa muzg, që është vetë Krishti, Biri yt, zoti ynë!