2013-12-10 15:07:34

Rubrika “Te gurra e besimit”: “Feja e arsyeja” (Emisioni XXXV)


Emisioni i 35-të i rubrikës “Te gurra e besimit”, në vijim të jehonës të Vitit të Fesë, që tashmë përfundoi, trajton një nga temat më të mprehta, në qendër të vëmendjes së Kishës sot: lidhjen e ngushtë të fesë me arsyen.

Etërit e Kishës u njohën me filozofi të ndryshme të tipit platonik, në të cilat paraqitej vizioni i plotë i botës dhe i jetës, përfshirë edhe çështjen e Zotit e të fesë. Si u njohën me këto filozofi, edhe ata vetë krijuan një vizion të plotë të realitetit, duke u nisur nga feja e duke përdorur elementet e platonizmit, për t’iu përgjigjur pyetjeve themelore të njeriu të të gjitha kohëve. Këtë vizion, të bazuar mbi zbulesën biblike dhe të krijuar sipas platonizmit korrekt, parë në dritën e fesë, ata e quanin “filozofia jonë”. Prej këndej, fjala “filozofi” nuk ishte shprehje e një sistemi pastërtisht racional e, si e tillë, e ndryshme nga feja. Gjithsesi, krijonte një vizion të përgjithshëm të realitetit, të ndërtuar në dritën e fesë e të menduar me arsye; një vizion që, natyrisht, i kapërcente aftësitë e arsyes por që, si i tillë, edhe e plotësonte atë.
Për Shën Tomën takimi me filozofinë parakristiane të Aristotelit (vdekur rreth vitit 322 para Krishtit), hapte një perspektivë të re. Filozofia aristotelike ishte, natyrisht, filozofi e formuluar pa njohjen e Besëlidhjes së Vjetër e të Re, shpjegim i botës, pa zbulesën, vetëm e vetëm për arsyen. E ky arsyetim, i lidhur logjikisht, ishte bindës. Kështu forma e vjetër e ‘filozofisë sonë’, hartuar nga Etërit, nuk funksiononte më. Lidhja ndërmjet filozofisë dhe teologjisë, ndërmjet fesë e arsyes, duhej rimenduar. Ekzistonte një “filozofi” e plotë e bindëse në vetvete, një racionalitet, që i parapriu fesë, për t’u pasuar nga ‘teologjia’, të menduarit me fenë e në fe. Problemi i mprehtë ishte ky: a mund të pajtoheshin bota e arsyes, filozofia e menduar pa Krishtin e bota e fesë? Apo e përjashtonin njëra-tjetrën. Nuk mungonin elementet, që pohonin papajtueshmërinë ndërmjet dy botëve, por Shën Toma ishte plotësisht i bindur se përkonin ndërmjet tyre, madje mendonte se filozofia, e formuluar pa njohjen e Krishtit gati-gati priste pikërisht dritën e Jezusit, për të qenë e plotë.
Kjo ishte e ‘papritura’ e madhe e Shën Tomës, e cila përcaktoi edhe udhën e tij prej mendimtari.
Të shpjegonte pse filozofia është e pavarur nga teologjia e njëkohësisht, pse ka lidhje të anasjellta me të: ky qe misioni historik i mësuesit të madh. E kështu kuptohet se, në shekullin XIX, kur theksohej fort papajtueshmëria e arsyes moderne me fenë, Leoni XIII tregoi Shën Tomën si prijës në dialogun e njërës me tjetrën.








All the contents on this site are copyrighted ©.