2013-12-10 16:23:31

Përshëndetja e të mëdhenjve të kësaj bote për Mandelën. Obama: “Një gjigant i historisë”


Të mëdhenjtë e kësaj bote nderuan sot në Johanesburg, Afrika e Jugut, Nelson Mandelën. Ati i luftës kundër aparteidit u kujtua nga personalitete të rëndësishme, si presidenti amerikan Barak Obama, i cili e quajti “gjigant i historisë”.
Homazhi për këtë lider të nderuar, që ndërroi jetë në moshën 95-vjeçare, pavarësisht nga 27 vitet e burgut, sipas traditës më të mirë afrikane, u karakterizua nga këngë e valle, nga një atmosferë festive. Në stadiumin e Souetos, vend i kampionatit botëror të futbollit, qendra e protestave kundër racizmit, është vendosur fytyra e buzëqeshur e Madibës, siç thirrej Mandela me përkëdheli. Shiu nuk e frenoi aspak entuziazmin e të pranishmëve e as fishkëllimat e afrikanojugorëve, kur në kamerat kthehen nga presidenti aktual Zuma. Pas lutjeve, kujtimet e familjes së Madibës. Prekëse, fjalët e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki-mun:
“Urrente urrejtjen, nuk urrente njerëzit, tregoi ç’është pushteti i madh i faljes”.
Kjo qe dhurata dhe mësimi, që na la Mandela, vazhdoi Ban Ki-mun. Pastaj, radha e presidentit amerikan, Barak Obama, i cili, para se të mbërrinte në tribunë, i shtrëngoi dorën presidentit kuban Raul Kastro – gjest, që u vu në dukje nga të gjithë, për shkak të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve. Duartrokitje të fuqishme shoqëruan çastin kur Obama e quajti Mandelën “gjigant i historisë”:
“Është e vështirë t’i nderosh njerëzit, por është edhe më e vështirë kur bëhet fjalë për Mandelën, ikonë e lirisë e shekullit XXI”.
Nelson Mandela, vazhdoi Obama, më ka bërë njeri më të mirë. Pastaj, ironi për shumë qeveritarë:
“Ka shumë liderë, që shprehin solidaritet me luftën e Madibës për liri, por nuk tolerojnë asnjë kundërshtim nga ana e popullit të tyre. Ka shumë njerëz ndër ne, që rrinë mënjanë, rehat, cinikë, ndërsa duhet t’i dëgjojnë zërat, që vijnë nga poshtë”.
“Ishte shembull – shprehet kardinali Uilfrid Foks Napier, kryeipeshkëv i Durbanit, në një intervistë për “La Corix”. Mishëronte përvuajtërinë e kishte respekt të madh për ata, që e rrethonin. Edhe kardinali i ndjerë Karlo Maria Martini, kur e patën pyetur cili ishte personi më i veçantë, që kishte takuar gjatë jetës, u përgjigj: “Mandela. Sepse ishte i vetmi pa asnjë hije zemërimi. Njeri, krejtësisht në paqe”.
E shiu i sotëm, për banorët e Afrikës së Jugut është bekim. “Nuk mund ta ndalojmë – thanë plot njerëz – por vetë Mandela do ta kishte dashur: në traditën afrikane, kur bien shi në ditën e varrimit, është shenjë e mirë, sepse do të thotë se personi do të mirëpritet në mbretërinë e qiellit”.








All the contents on this site are copyrighted ©.