Dje, në Strasburg, Komiteti i ekspertëve për vlerësimin e masave kundër riciklimit
të parave dhe financimit të terrorizmit të Këshillit të Evropës (Moneyval) miratoi
raportin mbi Selinë e Shenjtë. Organizmi i kontrollit bën të ditur se përmirësimet
e ligjeve të Vatikanit në këtë fushë janë hapa përpara drejt përdorimit të standarteve
ndërkombëtare aktuale në të gjitha strukturat ekonomike të tij. Drejtori i Autoritetit
për Informacionin Financiar të Selisë së Shenjtë, René Brylhart, mori pjesë në mbledhjen
e Moneyval në Strasburg. E ftuam në mikrofonin tonë për ta pyetur ç’rekomandime të
tjera dhanë ekspertët evropianë: Gjithnjë ka vend për përmirësime. Moneyvval
do ta publikojë raportin e detajuar të enjten, prandaj puna e bërë nga Selia e Shenjtë
mund të shihet qartë. Sa për të përmendur dy-tri pika… Përsa i përket mbikqyrjes,
në do të marrim masa të tjera, të cilat pa dyshim do ta përmirësojnë më tej gjendjen.
Gjithashtu, duhen bërë hapa të tjera në procesin e zbatimit të kuadrit ligjor dhe
institucional, që është miratuar në javët e muajt e fundit. Mendoj se do të përqendrohemi
shumë aktivisht në këtë fushë. A e përmendi Moneyval bankën e Vatikanit, IOR-in? Fakti
nëse IOR-i është apo jo bankë, përbën çështje tjetër. Procesi i Moneyval-it nuk ka
të bëjë me institucione individuale financiare. Ai përfshin kuadrin më të gjerë të
funksionimit dhe të ligjshmërisë të sistemit të luftës kundër riciklimit të parave
dhe financimit të terrorizmit. Gjithsesi, në një frazë anësore, thuhet se puna e IOR-it
ecën pozitivisht. Cilat janë hapat e tjera, që do të bëjë Autoriteti për Informacionin
Financiar, që ju drejtoni? Ne kemi tani një statut të ri me Motu Proprio-n e
15 nëntorit të Papës Françesku, që qartas, përcakton dy funksione. Së pari, krijimin
e njësisë së kontrollit financiar e së dyti, krijimin e autoritetit mbikqyrës, duke
përfshirë edhe mbikqyrjen parandaluese. Më besoni, kemi shumë punë për të bërë, jo
vetëm për këtë strukturë të re, por edhe për të luftuar, në mënyrë krijuese, krimet
e mundshme financiare brenda Vatikanit.